LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ilir Meta, armiku perfekt i Ramës

28 Korrik 2022, 12:23, Opinione Lorenc Vangjeli
Ilir Meta, armiku perfekt i Ramës
Ish-Presidenti, Ilir Meta

Socialistët e Ramës janë ende të dëshpëruar për votën e tyre që e coi Ilir Metën në presidencë, përvec vetë Ramës, i cili në atë akt politik të pesë vjetëve më parë, dëshmoi se në politikë, i njëjti gur mund të vrasë shumë më shumë se një zog të vetëm. Të parët lexuan dhe u bënë rob të taktikës, i dyti, kreu i tyre, llogariste strategji tjetër. Pothuaj të gjithë ata që votuan dy herë rresht vullnetin e Ramës për të shkarkuar Metën në Kuvend, nuk patën asnjë ide që kreu i tyre që u kërkoi votën, në thelb priste krejt tjetër gjë si rezultat të votës. Kush i dha votën për në presidencë Metës, nuk e mendonte dot as në ankthet e tij më të errëta se celësi që u hapi dyert e pushtetit në 2013-ën, do të shndërrohej në drynin që donte t’i kycte në opozitë. Ata edhe sot i kujtojnë Metës dekretet e kthyera, betejat epike më Ramën, mosvotimin e ministrave, “popullin e dy marsit”, sherret për gjykatësit e lartë të vendit e deri edhe raketat në Malin me Gropa, kurse i dyti, Rama, kujton se në atë mënyrë, po prodhonte armikun e tij perfekt. Pikërisht atë që i duhej! Dhe këtu nuk ka asnjë paradoks, por vetëm llogari të ndryshme, në nivele të ndryshme.

Ndërkohë që komisionet hetimore rrëmonin ngërcet kushtetues për të larguar Metën nga presidenca, Edi Rama ishte njeriu i vetëm në Tiranë që nuk e donte largimin e Ilir Metës nga zyra. Kryeministri e donte kundërshtarin e tij brenda gardhit të presidencës sepse aty, i fshehur nën kostumin presidencial, si në një këmishë force qepur me porosi, i ngushtuar nga gardhi i institucionit dhe kompetencat e tij dhe madje, edhe nga “pafajësia” e protokollit, Meta ishte i burgosuri i luksit që edhe kur bërtiste, e bënte për të lajmëruar nevojën që kishte për celësin që do t’i hapte derën qelisë. Presidenca i jepte Metës eskortën që e shoqëronte, por e linte pa mbrojtje në lojën e madhe të thelbit të pushtetit.

Kush kujton tonet, polemikat dhe retorikën e egër të asaj kohe, pavarësisht se ngjan kundërthënëse me mendimin, mund të gjejë një arsye më tepër për t’i dhënë të drejtë Metës vetë, por edhe Berishës kur thonë: Edi Rama nuk mundet me votë. Por jo për shkaqet që ata shpjegojnë: manipulim votash, vjedhje rezultati, përdorim bandash apo të resurseve të shtetit, por sepse kjo është prova direkte e pafuqisë së tyre. Ajo që vërteton një të vërtetë të thjeshtë: Nuk e mundin dot sepse është më i zoti se ta! Loja me kontestimin e presidencës së Metës, ku lëvizjet ishin krejt të ndryshme nga qëllimi, kur fjalët ishin në kontrast me veprimin dhe inisiativat nuk kishin të bënin fare me rezultatin  e pritshëm, është vetëm një nga provat e panumërta që vërtetojnë këtë pohim të trishtuar, por të vërtetë të Metës dhe Doktorit.

Më pas loja ndërlikohet. Diku nga fundi i dimrit të vitit zgjedhor 2021, sondazhet nisën të dëshmonin një ngushtim të rezultatit mes maxhorancës dhe opozitës. Dy mandate për Ramën dhe dy mandatat e njëpasnjëshme të krizave, njëherë tërmeti dhe njëherë pandemia, ishin një karburat gati i mjaftueshëm që mund t’i shtohej edhe traditës së ngulitur: tetë vjet në pushtet janë shumë dhe nevjitet rotacion! Fiks atëherë Rama u dëshmua mjeshtri i vetmuar që ndryshoi fatin e betejës. Ai nisi ta trajtonte me një përkëdheli gati fyese Bashën, duke e cilësuar një djalë artist që nuk prishte punë, por që vota për të ishte paketë: “Votoni Lulin dhe merrni edhe Saliun, dhe Ilirin shtesë!”, përsëriste Rama që mbas pak muajsh u shpall sërish fitimtar nga shqiptarët që edhe nëse nuk e votonin dot atë, refuzonin të votonin njërin që ishte mbyllur në presidencë, por bërtiste sin ë luftë dhe tjetrin që bënte sikur e kishte falur kravatën, por e shtrëngonte atë sipas përmasës së fytit të tij.

Ky është sfondi që plotësoi tërësinë e pikturës që vetëm Rama kishte mundur ta shihte, jo si piktor, por si politikan. Në mbrëmjen e 24 korrikut ai bëri lëvizjen e parë, dekrete për ndryshime në qeveri, ku ai që bëri përshtypje ishte në fakt një lëvizje brenda familjes me dy nga personazhet më luajalë ndaj tij në parti dhe më të dobishëm për të në qeveri. Belinda Balluku zëvendëson Arben Ahmetajn, kurse i respektuari Zef Mazi me gjasë iku sese nuk i përkiste familjes së Ramës.

Lëvizja e dytë që nëse nuk e ka provokuar vetë, i erdhi jo nga qielli, por nga autoriteti që kontrollon dosjet. Gentiana Sula, një zonjë që shpërndan mirësi si individ, seriozitet si nëpunëse dhe këmbëngulje si e lindur në Berlin, kërkoi të verë në lëvizje Kuvendin për të krijuar mundësinë ligjore të riverifikimit të së shkuarës së personazheve të rëndësishëm politikë. Duke nisur me politikanin e lartë I. M. Ish-kryeministri, ish-presidenti, ish-kryetari i kuvendit, ish-zëvendëskryeministri, ish-ministri i jashtëm dhe ai i ekonomisë, deputeti në pothuaj të gjitha legjistaturat dhe kryetari i partisë më të re në vend, ka qenë edhe ish-informator i sigurimit të shtetit më shumë se 30 vjet më parë? Një tërmet dhe një skandal që në politikë do të hidhte në erë cilindo që do të kishte veshur të gjitha këto fanela politike njëherësh. Dhe vetëm politika mund të japë celësin për të dekoduar cfarë po ndodh. Në thelb ky është një problem tashmë moral, zgjidhja e të cilit nuk mund të jetë morale. Ajo kalon në një zinxhir të tërë shkaqesh dhe pasojash, me fajtorë dhe viktima, me veprime dhe mosveprime, që janë ndoshta radiografia më e shkëlqyer e fytyrës së dështimeve për të ndërtuar një shtet të së drejtës gjatë tre dekadave të tranzicionit kaotik shqiptar./ CNA.al

14:31 Opinione Luçiano Boçi

Fresk me humor anglez

Shumë vapë korriku. Nuk e dinim që do freskoheshim me pak ...

Lajmet e fundit nga