web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dilemat e “Tjetrit” kryeministër!

11 Mars 2024, 08:33, Opinione Ardi Stefa
Dilemat e “Tjetrit” kryeministër!
Foto ilustruese

Një pjesë shumë e madhe e elektoratit dhe shoqërisë shqiptare kërkon një rrugëdalje politike, të cilën asnjëra nga partitë aktuale dhe liderët aktualë politikë nuk ua ofron.

Në rast se shikon apo lexon sondazhet, 43% e të anketuarve duan që kryeministër të jetë dikush që s’e ka emrin as Rama, as Berisha, as Basha e as Meta.

Pavarësisht se 57% e të pyeturve zgjedhin të përzgjedhin kryeministër njërin nga katër liderët e tranzicionit 43% që nuk do asnjërin prej tyre dhe ndoshta do “Tjetrin” është shumë më shumë nga secili prej liderëve veç e veç dhe  partia e re, le ta quajmë “Asnjëra” përsëri dominon kundrejt secilës parti aktuale!

Edhe pse Rama, me gjithë skandalet e qeverisjes së tij vazhdon të dominojë në preferencat e qytetarëve për të qenë kryeministër në vitin 2025, përsëri humbet kundrejt një tjetër kryeministri, i cili ende nuk ka emër.

Aktualisht Shqipëria ka një qeveri, e cila deklarohet e plotfuqishme, por kjo vetëm e vetëm se elektorati dhe shoqëria shqiptare e kanë bërë të qartë në të gjitha mënyrat e mundshme se nuk beson asnjërën nga partitë e opozitës si alternativë.

Kemi një pakënaqësi të shtuar, e cila çuditërisht nuk shfaqet as nëpër rrugë me protesta, as me votë në zgjedhje, por me një largim masiv nga Shqipëria. Gjë që dëshmon se shoqëria shqiptare ende nuk ka gjetur një përfaqësim rezultativ politik. Të gjitha këto dëshmojnë se gjendemi në një pikë kyçe, në një pikë kthese, në pikën e fillimit të një ndryshimi, që ende duhet parë se nga cili proces do të marrë formë.

E vjetra, pra një mënyrë e tërë e organizimit të debatit dhe ballafaqimit politik, siç u formua në tri dekadat e fundit, me rrënjë edhe më të vjetra, në fakt po vonon të japë shpirt. Jo se nuk e kupton, por se shoqërinë e sheh me armiqësi!

E reja nuk është parë ende dhe në horizont shfaqen dhimbjet e para të një lindjeje të vështirë.

Por më e frikshmja është rritja e apatisë politike, e cila nga mungesa e shpresës dhe e besimit do të bëjë që një pjesë shumë e madhe e elektoratit, do të mendojë se nuk mund të ndikojë më në ndryshimin me votën e tij dhe thjesht do të zgjedhë të mos votojë.

Pakësimi i votuesve në zgjedhjet vendore të vitit 2023, pavarësisht fushatave agresive është qartësisht jo një fotografi e çastit, por një pamje e së ardhmes.

Në të njëjtën kohë, ky zhgënjim dhe mosbesim i reflektuar në këtë popullaritet të paprecedent të... “Askush nga udhëheqësit aktualë politikë” nuk ka vetëm dimensionin negativ të humbjes së të gjithë besimit në pjesëmarrjen politike.

Ai ka edhe dimensionin pozitiv të kërkesave dhe nevojave pas këtij mosbesimi. Kërkesat dhe nevojat për mbrojtje sociale, për zhvillim të drejtë, për të mira dhe shërbime publike, për siguri.

Pretendimet, pra për një shtet që mund të plotësojë nevojat bazike të qytetarëve, që nuk komercializon gjithçka, që mund të hartojë një politikë ekonomike, që zhvillimi të ketë të bëjë me të gjithë shoqërinë dhe jo vetëm me oligarkët, që mundet të planifikojë dhe përballojë sfidat e së ardhmes.

Kushdo që lexon sondazhet me kujdes mund të shohë qartë se çfarë dëshiron shoqëria: Të luftohet shtrenjtësia. Të ketë Drejtësi të verbër kundrejt të gjithëve, pavarësisht pushtetit apo parave që mund të kenë. Arsimi dhe shëndetësia të mos shpërbëhen. Të luftohet korrupsioni. Të mos ketë arbitraritet dhe arrogancë të pushtetit.

Të ndihen të sigurtë, dhe jo vetëm me më shumë polici për të luftuar krimin, pasi siguria është edhe që të mos jesh i papunë, siguria është të jesh në gjendje të paguash qiranë dhe faturat, siguria është të jetosh në mënyrë dinjitoze me punë të ndershme; të mos paguash para nën dorë për t’u kuruar apo për të zgjidhur çështje ligjore, të cilat janë të drejta.

Siguria është të kesh pronën dhe të mos të të grabitet ditën për diell.

Këto janë nevojat e qytetarëve. Dhe këto duhet përcaktojnë programin politik të “Tjetrit” që kërkon shoqëria sot.

Dhe qytetarët mund të mos besojnë më tek identitetet politike aktuale, apo në deklaratat boshe të qorrsokakut të rrugicës për rindërtimin e frontit opozitar, por stigma e politikave që kërkojnë është e qartë.

Dhe për shkak se natyra si dhe politika e urren vakumin, këto nevoja nuk do të mbeten përgjithmonë politikisht jetime.

Përkundrazi, ato formojnë terrenin për forma të reja që do të jenë në gjendje të përballojnë ankthin e shoqërisë.

Dhe personat që mund ta përfaqësojnë atë dhe që, sigurisht, nuk janë “udhëheqësit politikë” të sotëm./ CNA





10:48 Opinione Mitro Çela

Çifti ekstra…

    Budva. Ezmerka kishte datëlindjen.  Bëmë konak ...

22:52 Opinione Ilir Levonja

Shqipëri hesapi

Nato shpenzoi në Kuçovë rreth 55 milionë euro dhe sot Shqi...

10:22 Opinione Grigels Muçollari

Mandati i fundit

Me një lojë në grup, duke nisur nga Rama i pari, Mirela Ku...

Lajmet e fundit nga