LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vajza te shkallët/ Tregimi i së dielës

7 Prill 2024, 11:00, Kulturë Agim Xhafka
Vajza te shkallët/ Tregimi i së dielës
Agim Xhafka

U bënë tri ditë që sa herë në mëngjes zbrisja shkallët një kat më poshtë apartamentit tim ndeshja të njëjtën vajzë. Ulur dhe me celular përpara. Ekran i saj më dukej i fikur. Mbase përgjonte për të marrë ndonjë lajm apo priste një sms. Nuk e dija, hamendësoja. Ama qe shumë e bukur. Dhe e gjatë. Dhe me sy jeshilë. Dhe me flokë gështenjë plot onde që i zbrisnin deri poshtë shpatullave të saj. I them këto se një mëngjes kishte zënë rrugën e që të kaloja do duhej ajo të çohej. Një perri, thotë mosha ime për këtë soj shtojzavallesh.

Po sot në mëngjes u bëra shumë kurioz. Doja të dija pse rrinte atje e jo psh te kati im apo sipër te kati i shtatë.
-Po pret Miklorin?

Miklori ishte fqinji ynë. Jurist që i ecën mbarë punët dhe shtëpinë e ktheu në zyrë. Me gruan e djalin u zhvendos në periferi, te një bllok me vila. Por dhe si zyrë nuk e mbajti ngaqë u stacionua te një nga kullat e reja në Tiranë. Tani apartamenti rrinte bosh. Ndonjëherë ai vinte e shihte dhe e ajroste. Fut dhe ndonjë femër, më tha Calja para ca muajsh. Dhe në fut mirë bën se është goxha mashkull, ia preva thashethemin. E në fakt Miklorin sikur e kishin derdhur në fonderi. Aq i përsosur ishte në shtat. Apo sytë bojëqielli apo flokët e zeza apo pasuria. Këto mendoja e po prisja përgjigje nga vajza.

-Po. Miklorin po pres. Kam tri ditë.
Që ke tri ditë e di mirë, fola me vete. Por dhe u stepa nga përgjigja që mbante brenda një këmbëngulje të fortë.
-Ai nuk vjen këtu, banon jashtë Tiranës. Të të tregoj ku i ka zyrat, -doja ta ndihmoja.
-Jo, jo. E di ku banon e ku punon. Po këtu do e pres.
Dhe u ul te shkallët. E pashë që nuk kisha ç’të flisja më, ma preu që mos e zgjatja. Nisa të hedh hapat për poshtë, kur dëgjova:
-Ke kohë tre minuta të më dëgjosh?
-Kam sa të duash.
Vuri dorën te shkalla, dmth hajde ulu. Sa u rehatova filloi.

-Kam qenë disa herë me Miklorin te kjo shtëpia këtu,(me kokë bëri për nga dera prapa). Madje një natë kemi fjetur te kjo banesë. Unë dhe Miklori.(Atë çast sytë iu ngurtësuan. Më shihte sikur te bebëzat vuri një akull). E di që ai është i martuar, e di që ka fëmijë, e di që ka një grua të bukur e të mençur, e di që e do shumë atë. Por ja që mua ai burrë më ka goditur në kokë. Ma ka rrëmbyer jo veç zemrën, por dhe trurin. E dashuroj si e marrë, kjo është shprehja që më shkon këtë çast. Mendova se do qe një lajthitje çasti, do më kalojë. E ndërsa prisja qetësim e rregullim më kaploi xhelozia. Me kë rri tani ai, me kë shkon te apartamenti bosh, çfarë po bën, si po e bën…Një tmerr i madh më ka rrëmbyer dhe po e ruaj që jo ta kap, por ta shoh se ajo që më ka zevëndësuar është më e bukur se unë apo një femër e radhës. Duket çudi që flas me një të panjohur,por njerëzit kur nuk dinë ku të hapen e ku të shprehen shkojnë në pyll e flasin me drurët. Apo me duar gërmojnë një gropë të vogël e zbrazin ankthet e makthet e tyre.

E pashë që nuk kishte perëndi ta sillte në vete. Ishte kotësi të harxhoje fjalë e energji. Kurrë nuk më kishte rastisur të ndeshja një njeri në gjendje të tillë. M’u duk si telekomanda kur i mbaron bateria e televizori të ka ngec te stacioni që ti e urren. Por ajo po më shihte në sy si ai dreri në Voskopojë që i kishte kapur këmbën laku e sa u afrova lotoi. Sikur lëshoi fjalët, më ndihmo, o njeri. E pikërisht atë çast m’u kujtua Llaqi. Kush është Llaqi? Ja, ia tregova vajzës, mësojeni dhe ju.

-O vajzë e bukur që sot po më ngjan fiks si motra e Llaqit. Mos e shtrembëro fytyrën. Vërtet Llaqi është emër i shëmtuar, por ai ishte deli djalë. Mbushur me cilësi e mirësi. Por e kishte kapur sëmundja jote. I përkushtuar pas vajzës më të bukur të qytetit. E takoi disa herë e më pas ajo kaloi nga Llaqi te një çun tjetër. Po Llaqi nuk e pranonte. Si nxënësi që zysha i ve katër ai i thotë, ti vere, po unë nuk ta quaj! Besonte se dashuria është si tapia e shtëpisë që ka emrin tënd e askush nuk e merr dot. U bë si i marrë. Po e kërkonte kudo. Deri sa një ditë dikush ia tha adresën e saj. Mori kitarën dhe shkoi natën e parë atje,poshtë ca dritareve me hekura. Ia nisi serenatave. Deri në mëngjes. Po nga brenda nuk i erdhi asnjë shenje nga goca. Nuk u mërzit Llaqi. Sa u ngrys zuri sërish pozicion poshtë dritares. Këngë pas kënge e kapi mëngjesi. Disa netë kështu. Këmbëngulës nga dashuria e fiksuar. Për fat një natë kaloi atje një kushëri i tij.

E dëgjoi, iu dhimbs, u afrua, e përqafoi dhe i tha:
-Llaqi, kjo ndërtesë është magazina e patateve. Të kanë rrejt për adresën e të dashurës.
Po Llaqi nuk bindej. Erdhi dhe disa netë më pas. Fati i tij që një mëngjes, pasi e kishte zënë gjumi poshtë dritares, ta zgjonin disa burra. I kërkuan të largohej se do ngarkonin makinën me patate.

M’u duk se mesazhin ia dhashë të qartë. Vajza më dëgjoi pa i lëvizur qerpiku. Siç duket ia hoqi fiksimit të saj tisin e gënjeshtërt për dashurinë e marrë. Ndodhi si me çajin në filmat turq. Që përdorin dy samovarë. Një të nxehtë që mbushin gotën deri mbi gjysmën. Më pas shtojnë ujë të ftohtë deri te kreu. Dhe jeta e tillë është. Me dy samovarë. Një plot me marrina e fiksime, tjetra me logjikën e arsyetimin që na ekuilibron.

Pashë që u çua. Zbriti një, dy, tre shkallë e vrik u kthye. M’u sul e gati më rrëzoi me përqafimin e saj Dhe qante. Me ngashërim, me dënesë. Me lehtësim. Si një i sëmurë që i çelen sytë pas serumit që i lodron në deje, në gjak e në damarë. U lehtësova dhe unë. Se kur rri me të sëmurë sëmuresh, m’u kujtua një shprehje e gjyshes./CNA 

14:42 Kulturë Jonida Xhyra

Rrugët e ballokumes

Lulet e portokalleve janë pjesë e pandashme e çdo oborri t...

Lajmet e fundit nga