LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Te ballkoni përballë/ Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka

12 Maj 2024, 10:01, Kulturë CNA

Te ballkoni përballë/ Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka

Sa kthehesha në drekë nga shkolla, pasi haja atë pjatën e ngrohtë që gjyshja ma sillte mbi tavolinë, bëja një pushim te parvazi i dritares para se të nisja përgatitjen e mësimeve për të nesërmen. Mbështetja bërrylat, duart i vendosja te faqet. E afroja fytyrën puq te xhami dhe vështroja pallatin përballë.

Pa synim, thjesht për të kullotur sytë dmth. Por nga që njerëzit përtej ishin afër arrija t’u shihja edhe sytë, madje-madje po të përqendrohesha mund t’u kuptoja dhe fjalët që nxirrnin prej lëvizjeve të buzëve. Kështu e shtyja ca minuta. Deri sa në krah afrohej gjyshja e cila gjithnjë më pyeste:
-Doli bukurania?

E kishte termin e saj të preferuar për femrat që ishin yll nga pamja. Nuk dinte fjalët e moshës sonë, pjeshkë, të bi të fikët prej pamjes sate, magjia ime, etj, etj. Ajo i vinte pikë muhabetit. Thoshte bukurane e unë kuptoja një miss të botës, jo më të pallatit. Sa fliste kështu hidhja sytë te ballkoni i katit të tretë. Thuajse në orën tre mbasdite atje shfaqej Zhani, ashtu e quanin. Qe martuar para ca muajsh me Golen, xhenerikun çalaman.

Që ditën e dasmës Zhani zuri vend te ballkoni si mbretëresha e Anglisë te froni i saj. Mblidhej atje te cepi dhe i nguliste sytë lart. Sikur shihte dikë te pullazi i çatisë. E palëvizur e zinte mbrëmja e thellë. Te dritarja ngjitur atë kohë nxirrte surratin dhe Golja. Ai qe natyrë zeshkane, por më i zi ngjiste nga që punonte me vajra e me naftë të motorëve që rregullonte. Dhe ai shihte, por jo lart. Hidhte vështrimet majtas e djathtas.

Si ato makinat që drejtohen me telekomandë. Kështu kalonin orët. Zhani në ballkon e Golja ngjitur, te dritarja e kuzhinës. Ata nuk e shihnin njëri-tjetrin. Unë dhe gjyshja i vështronim të dy.
-Sa të shpifur e ka burrin, -i thosha gjyshes.
Dhe çuditesha si ajo alamet femre të martohej thuajse me babain e vet si moshë. Mua më pëlqente shumë ajo krijesë e shpesh e sillja në ëndrrat e mija prej gjimnazisti. Ama nuk zbërtheja qysh Golja ia kishte mbushur mendjen. Se të qe aq i zgjuar ai do ishte p.sh. inxhinier, ose doktor, ose... Nuk e zbuloja dot enigmën deri sa një ditë mamaja më sqaroi shkurt.
-Epo ai e mori kaq të bukur se ai është NE. Ajo është ATA.

Hiç nuk kuptova gjë kur ma tha herën e parë. Por dhe nuk pyeta për më tej. Ndërkohë çdo mbasdite hidhja sytë te ballkoni i missit. Kështu e quaja. Zhani rrinte atje si statujë. Me sytë lart dhe e ngurosur për orë të tëra. Në ditë të ngrohta i vinte një zog pranë. Nuk trembej prej saj.
-Të bukurën e duan dhe zogjtë, -thoshte përherë gjyshja.

Në dimër po ashtu veçse jo pa lëvizur. Dridhej nga acari e mbi kokë vinte një qilimkë nga ato që vendosim te këmbët e krevatit. Kishte ftohtë dhe mbrohej me atë rreckë që i tundej sipas dridhjeve të trupit. Por asnjëherë nuk luajti nga ai cep ballkoni. Aty stoik, si rojet e kufirit te piramida. Kërshëria më mbyti ndaj pyeta nënën për NE dhe ATA.
-NE jemi ne ,-ia nisi ajo.

E pa që po qeshja se dihej që NE ishim ne.
-Ka kuptim tjetër. NE e kam fjalën jemi shumica që jetojmë mirë, që kemi të drejtë të ikim psh nga Korça në Tiranë. Që shkojmë dhe blemë në dyqan. Që fëmijët i çojmë në universitet, që punojmë mjekë, mësues, doktorë. Që marrim leje të zakonshme çdo vit, që shkojmë në plazh ndonjëherë, që...

Pasi pushoi pak vazhdoi:
-ATA janë ata. Që ecin në rrugë e nuk u flet kush. Që nuk shkojnë në shkollë, që duhet të marrin leje të vijnë nga fshati në qytet, që familjet i kanë në burg, që bëjnë jetë të vështirë, që...

Sa do thoja nuk kuptoj gjë, ajo e përmblodhi:
-Zhani pra është ATA. Ajo nuk martohej dot se askush nuk merr nga NE një grua nga ATA. Ndaj pranoi Golen, se Golja u tregua kokëkrisur, guximtar dhe mori rrezikun në sy.

Atë çast m’u kujtua shoqja ime Marjana. E kisha në klasë deri vjet. Më pas e shihja nga dritarja e shkollës kur ajo me nënën iknin drejt fushave për të prashitur perimet që shiteshin në treg. E dëbuan nga shkolla se dikush kallëzoi, ajo e kishte pasur gjyshin ballist. Pra Marjana u bë ATA. Ama unë martohem me atë, nuk e le të jetë ATA, i premtova vetes. Dhe Marjanës.
Nga ai çast shihja dy botë në një shtëpi.

NE ishte Golja te dritarja, ATA qe Zhani te ballkoni. Në fakt Zhanin e doja, më tërhiqte. Por më dhimbseshin të dy. Edhe Golja, edhe ajo. I shihja të dy që asnjëherë nuk rrinin të dy. Zhani vetëm në kuzhinë deri sa burri i kthehej nga puna. Më pas prapë vetëm po në ballkon.

Hera-herës në shoqëri me zogjtë. Golja në shoqëri me veten e tij. Ajo mbijetonte vërtet nga ai burrë, por deri sa nuk rrinte një minutë me të kuptohej açik se zemra nuk ia pranonte. Halli e kishte hedhur në atë pellg.
Pasi shkova në universitet kur kthehesha në Korçë nuk kisha kohë të rrija në dritare. Ndaj ca vite harrova të shihja nga ballkoni përballë. Deri sa një mot, qe verë, pashë matanë në ballkon...Golen. Rrinte ai fiks te vendi i…Zhanit. Pa lëvizur, ashtu si ajo.

-Po Zhani?-pyeta nënën.
-Vdiq. Mori plevit nga ditët me ngrica.
Ndjeva dhimbje, por nuk pyeta si vdiq, a e shtruan në spital, a erdhën njerëz në varrim, a i vendosën lule, a i kënduan zogjtë aty te varri, a pati pranë vëlla, motër, nënë a babë? Qe kot të pyesja. Se ato kohë kishte veç një përgjigje. Shkurt, jo.
U ndjeva në faj që isha NE. Lotova për të gjithë ATA./CNA 

 

Lajmet e fundit nga