LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ndrekë Luca dhe drama ime "Paqe e Përgjakur"

17 Shtator 2023, 22:54, Kulturë Sadik Bejko
Ndrekë Luca dhe drama ime "Paqe e Përgjakur"
Aktori Ndrekë Luca

Për aktorin Ndrekë Luca, (1927-1995) “Artist i Popullit”, kam shumë për të thënë. Me atë jam njohur drejtpërsëdrejti në Gjirokastër, më 1987.

Ndreka hyri me shumë nxitim në jetën time, hyri ballaz dhe fare papritmas. Mendoj se kjo ishte natyra e tij. Kur diçka i duhej, ai pa shumë prita apo lakadredhje, i sulej asaj gjëje fluturimthi dhe nuk ndalej sa ta merrte.

Ishte viti 1987, 75 vjetori i Pavarësisë. Punoja si libretist i teatrit në Gjirokastër. Gjatë verës së atij viti, mbështetur në një tregim të S.S, shkrova një dramë dhe e futa në teatër për sezonin e vjeshtës. Drama u bënte jehonë viteve në prag të Pavarësisë. Ngjarjet vendoseshin në Veriun e Shqipërisë. Nga drejtuesit e teatrit u mendua që Ndrekë Luca mund të ishte aktori i rolit kryesor të kësaj drame. U bënë bisedat për ta sjellë Ndrekën me shërbim në Gjirokastër. Iu dërgua teksti i dramës. Ai pranoi. Ngjarja shkoi, për të thënë “po-në’ përfundimtare, deri te drejtuesit kryesorë të partisë dhe të pushtetit në rreth. U pranua. Ndreka ishte njeri i futur dhe, sapo erdhi, i takoi ata dhe që të gjitha figurat kryesore të jetës së qytetit.

Teatri filloi nga puna dhe mua m’u hoq një barrë nga supet. Libretitsti është si furnitori: unë e kisha furnizuar ‘ndërmarrjen’ me ushqim, me lëndë të parë. Mulliri po bluante. Tani mund t’i jepja vetes pak pushim.

Ndrekë Luca dhe drama ime "Paqe e Përgjakur"

Por nuk qe e thënë.

Një mbasdite vonë Ndreka më troket te dera e shtëpisë. Nuk njiheshim fare. Dhe që kish ardhur në teatër, i kisha qendruar disi larg. Habia ishte se ai po kërkonte mbështetjen time si libretist dhe si autor i dramës. Donte që t’i dilja krah në atë që kish ndër mend të bënte. Dramën e kishte lexuar, kish vërejtje të ndreqshme, por nuk kishte ardhur te unë për të më dhënë vërejtjet për tekstin a rolin e tij, si roli kryesor i pjesës. Kishte biseduar veçan me disa nga aktorët dhe kish marrë miratimin e tyre. Halli ishte se nuk ia mbushte syrin regjisori i teatrit. Dhe donte që regjisori i shfaqjes të ishte ai, Ndrek Luca. Po përmbyste platformën e shfaqjes, punën e bërë, ndarjen e roleve…të gjitha.

E mbështeta, për sa më takonte mua: si autor më pëlqente që regjisor dhe aktor kryesor të ishte Ndrekë Luca. Ishte fat për çdo autor. Për të tjerat, kishte punë me teatrin, me shefat deri me të mëdhenjtë e rrethit që e kishin miratuar ardhjen e tij në teatrin e Gjirokastrës.

Për çudi - unë nuk e besova - Ndreka ia arriti që të jetë regjisori dhe aktori kryesor i dramës.

Për disa muaj mori në duart e tij teatrin, Mua më donte pranë se u pëlqyem në muhabet dhe se në ecje e sipër gjatë punës që bëjnë aktorët në tavolinë, delnin vërejtje për dialogun a për skena që mund të detajoheshin më mirë apo të shkurtoheshin.

Ndrekë Luca dhe drama ime "Paqe e Përgjakur"

Vënia në skenë e dramës u shty deri në muajt e parë të vitit 1988. Ndreka ishte një karakter shpërthyes dhe të merrte para si një lumë me dallgë. Aktorët i kishte bërë me krahë. Teatri, vënia në skenë e një drame, do dashuri, përkushtim, është një makineri e rëndë në veprim. Mjedisi, klima në teatër ishte e përçarë. Me Ndrekën, kundra Ndrekës… Nga të pakënaqurit shkruheshin letra fshehtas. Letra në Komitet, në Ministri, në….. Personaliteti i fortë prej dukagjinsi i Ndrekës i theu të gjitha pengesat dhe shfaqja u realizua.

Dhe ajo po ndiqej për natë nga publiku.

Ndrekë Luca i dha sukses teatrit të Gjirokastrës me vënien në skenë të dramës "Paqe e përgjakur". Në shtypin e kohës, në gazetat ‘Zëri i Populit’, në ‘Zërin e rinisë’ kjo ngjarje u paqyrua pozitivisht.... nga vlera e shfaqjes, dhe sigurisht nga emri i Ndrekë Lucës, Artist i Popullit. Gazetari i njohur i "Zërit të popullit", gjirokastriti Sedat Braja shkroi: "Shërbim i gjatë i Ndrek Lucës në Gjirokastër". Poeti Ilirian Zhupa shkroi në gazetën "Zëri i rinisë".

Ndrekë Luca dhe drama ime "Paqe e Përgjakur"

Drama u shfaq mbi 20 herë në Gjirokastër, pastaj dhe në Tiranë, në skenën e Teatrit Popullor.

Në shfaqjen e parë në Teatrin Popullor erdhi Foto Çami, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Ministria e Kulturës na pa me sy pak shtrëmbër. Nuk i vumë rëndësi.

Ndreka si çdo artist i shquar kishte adhuruesit, të dashurit, por edhe të padashurit, deri kundërshtarët e tij.

Pas shfaqjes në skenën e Teatrit Popullor në oborrin jashtë na priste vetë Foto Çami. Ndreka i qeshur e kishte mbërthyer fort për krahu. Shoku Foto i qetë përgëzoi aktorët, tha fjalë të mira për shfaqjen. U përmend veçan Fane Bita, që luante rolin kryesor, si dublant i Ndrekës. Shoku Foto m'u drejtua me pyetjen: pse Gjirokastra me një temë nga Veriu? Temë e mirë e Veriut, tha ai, është ndërprerja e gjakmarrjes në zgjedhjet për Frontin më 1945. Do mbledh material mbi këtë temë, thashë. Pastaj tha: kam dëgjuar se je mësues i mirë. Mos e lër arsimin. Na dha dorën dhe u ndamë. Aty për aty nuk e vura re nëntekstin e fjalëve të tij. Por dardhët e ëmbla... e kanë bishtin mbrapa.

Ndrekë Luca dhe drama ime "Paqe e Përgjakur"

Ne ishim lart në qiell. Dhamë shfaqje në Tiranë. Na u dha leja të jepnim shfaqje në teatrin ‘Migjeni’ në Shkodër. Ndreka fliste dhe për një turne në shumë rrethe të Veriut. Ai gëzohej që po na ecte. Gjirokastra me një temë dramatike të Veriut në Shkodër. Ishte kuriozitet. Na pritën miq, deri dhe personalitetet politike të rrethit Shkodër. Dukagjinsi Ndreka aty ishte si në shtëpinë e vet.

Por.... papritur "me urdhër nga lart" u ndërpre dhënia e shfaqjeve. Pak si me erë e me thëllim po mbaronte dhe 'mblesëria' e teatrit të Gjirokastrës me Ndrekë Lucën. Atij iu tha prerë se shfaqja do të pezullohej deri në një urdhër të dytë. Nuk kishte më punë në Gjirokastër.

Siç thashë, regjisori Ndrek Luca e kish dubluar me aktorin Fane Bita rolin e tij që shfaqja të jepej edhe pa atë.

Por drama kaq e pat, u ndalua, nuk u shfaq më. Kurrë.

Ndrekë Luca dhe drama ime "Paqe e Përgjakur"

U kthyem në Gjirokastër. Atje, në vend që të na lavdëronin, na prisnin mbledhje, linçime, ndëshkime. Ne ’ndrekistët’ u shpallëm të padëshiruar. Kishim shkelur etikën. Kishim mbështetur Ndrekën, duke iu kundërvënë regjisorit të teatrit, të emëruarit zyrtarisht. Mbledhjet ishin pak të gjata, të egra në fjalë dhe vazhduan disa ditë. Kishte hidhtësi, tundje këmbësh e kërcëllimë dhëmbësh, që të trembnin. Flitej për heqje nga puna, për dërgime në prodhim…Mbledhje dhe në sallën e Komitetit të Partisë së rrethit në prani të Sekretarit të Parë. Aty m’u drodhën gjunjët. Duhet të bëja autokritikë. Një aktor i ri, I. Lluri, më dha mësime se si ta kontrolloj (si aktorët në rol) frymëmarrjen e ankthët.

Çfarë po ndodhte? Çfarë kishim bërë? Ndrekën, ashtu siç e sollën, po me një urdhër dhe e larguan. Pse duhet të ishim përgjegjës ne që ndenjëm afër të tij, kur po punonim për dramën? Shefat mund ta ndërprisnin bashkëpunimin me Ndrekën në se nuk do t’i pranonin kushtet e tij. Pse nuk e ndërprenë? Pra, etikën e kishim thyer bashkë me shefat.

Ndrekë Luca dhe drama ime "Paqe e Përgjakur"

Arsyet ishin të tjera dhe kurrë nuk u thanë hapur. Një aktor pas një mbledhjeje dërrmuese tha: ” Ore, kjo drama kot e kishte me Pavarësinë. Ajo flitka për kohën e sotme. “Po…kjo ishte looooja”, do të ishte përgjigjur Ndrekë Luca.

Drama 'lart' nuk ishte pëlqyer për mesazhet që përcillte: një ’paqe e përgjakur’ me vrasje dhe me njerëz të uritur, asaj kohe nuk i përshtateshin (siç!) .

Mua më zbuan nga teatri. Por monizmit atëherë, më 1988, po i binin dhembët. Me ndërhyrjen e miqve të mi, pas një muaji më rikthyen në arsim. Shumë aktorë të teatrit, të rinjtë në moshë e në profesion, morën vërejtje të rëndë, heqje nga pozicioni i mëparshëm. Nuk dua të përmend emra, as të të ndëshkuarve, as të atyre që na hidheshin në fyt ne fajtorëve.

Flamur Çani, kryetari i atëhershëm i rrethit Gjjiokastër, në kujtimet e tij (vëllimi i tretë) ka shkruar emrin e një regjisori gjirokastrit, nga një familje e njohur, i cili me lot sy i kishte kërkuar që mua, libretistin e teatrit, të më burgosnin.

Ndrekë Luca dhe drama ime "Paqe e Përgjakur"

Veç shtetit, dhe ne artisët ia kemi nxjerrë sytë njëri-tjetrit.

Pas rreth një viti e gjysmë ngjarjet në botë po rrokulliseshin me shpejtësi... Më pas edhe tek ne në Shqipëri.... erdhi pluralizmi.

Mbeta me një respekt të pafund për Ndrekën... Në ato pak muaj u bëmë miq....U njohëm dhe familjarisht. Ai ishte një njeri i veçantë, një antikomunist i bindur. Që atëherë fliste “kundra”, por fliste për njerëz që të dridhej buza po t’i përflisje, apo t’i mallkoje ashtu si shkumëzonte e gjëmonte Ndreka kundër tyre…. Fshehtazi recitonte Fishtën....

Pinim kafe në Tiranën e vitit 1992. Si kundërshtarë të komunizmit nuk na e nxinte goja të shprehnim dhe pakënaqësitë për atë sesi po shkonin punët tani në "Tranzicion". Ndreka, Artisti i Popullit, mbi një biçikletë të përdorur u binte rrugëve kryq e tërthor. Energjik si gjithmonë ...

Lajmet e fundit nga