web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rrëfime nga Izraeli: Sirena sulmesh, frikë, dhimbje...

9 Tetor 2023, 19:52, Kosova & Bota CNA
Rrëfime nga Izraeli: Sirena sulmesh, frikë, dhimbje...
Shkatërrimet në Ashkelon të Izraelit pas një sulmi me raketa nga Rripi i Gazës

“Për momentin jemi në qetësi, por më vonë nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”, thotë Samiko Solomoni teksa përshkruan situatën në pjesën veriore të Izraelit.

Hebraiku me prejardhje nga Shqipëria ka 30 vjet që jeton bashkë me familjen e tij në qytetin Karimel të kësaj zone. Izraeli është në gjendje lufte, pasi militantë të Hamasit ndërmorën një sulm të papritur kundër tij, më 7 tetor.

Në përgjigje, ushtria izraelite nisi bombardimin e Rripit të Gazës - rajonit që kontrollohet nga Hamasi. Në dy ditë u raportuan mbi 1.000 persona të vrarë nga të dyja palët.

Shtete të ndryshme kanë nisur tashmë evakuimin e qytetarëve të tyre nga zonat ku luftohet. Solomoni thotë se në qytetin Karimel jetojnë rreth 150 shqiptarë.

“Rrezik nuk ndjejmë, sepse jemi larg nga fronti. Këtu shtëpitë janë të pajisura me bunkerë, vendstrehime, betone të forta... Edhe po të qëllohet vendi ynë, ku banojmë ne... familja është brenda e strehuar, nuk ka rrezik”, thotë Solomoni për Radion Evropa e Lirë.

Skenat e sulmeve që transmetojnë televizionet thotë se nuk i ka parë kurrë më herët.

Edhe në rast se dhuna përhapet në rajonin ku jeton, ai thotë se nuk do të largohet.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se tetë shtetas të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, janë larguar tashmë nga territori i Izraelit.

“Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë, me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’iu ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, tha MPJD.

Mbrëmjen e 8 tetorit, Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë tha se dyzet shqiptarë - në mesin e të cilëve dy nga Kosova - janë evakuuar nga Izraeli në Shqipëri.

Irena Stein - Steinova, një shqiptare tjetër që jeton në Izrael, rrëfen për Radion Evropa e Lirë se si i ka përjetuar ajo sulmet e grupit militant palestinez, Hamas.

“Shumë, shumë e dhimbshme dhe shumë, shumë e trishtueshme”.

Rrëfime nga Izraeli: Sirena sulmesh, frikë, dhimbje...

“Sulmi filloi të shtunën, para dy ditësh, në orën 6 e gjysmë të mëngjesit, ditë pushimi, ditë feste. Në Izrael, nga ana fetare, është festa e Gëzimit të Biblës… Në 6 e gjysmë të mëngjesit dëgjojmë sirenën. U çova dhe u futa ku duhet, [që] të mbrohem sipas udhëzimeve që na i ka dhënë ushtria”, rrëfen 67-vjeçarja.

Ajo jeton në qytetin Ber Sheva, rreth 40 kilometra larg zonës ku zhvillohen luftime.

Thotë se autoritetet i kanë udhëzuar qytetarët që t’i kufizojnë lëvizjet.

Në Izrael jeton një numër qytetarësh nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, me disa prej të cilëve REL-i arriti të bjerë në kontakt.

Lubço Tasevski nga Maqedonia e Veriut ka katër vjet që punon si menaxher i një restoranti në tel Aviv.

Ai thotë se, për momentin, nuk e ka ndërmend të kthehet në vendlindje, pasi, siç shprehet, shpreson që gjendja në Izrael të stabilizohet.

Gjendja në Tel Aviv dhe rrethinë, ku gjendet pjesa më e madhe e shtetasve maqedonas me punë të përkohshme, është e sigurt. Dëgjohen sirena... Madje, disa miq nga Kumanova, kur u dëgjova me ta, më thanë se kanë qenë në strehimore disa herë gjatë 24 orëve të fundit”, thotë Tasevski.

Restorantet, sipas tij, nuk punojnë - punojnë vetëm dyqanet ushqimore dhe furrat e bukës.

“Një numër i maqedonasve, përmes ambasadës sonë këtu, ka kërkuar që të kthehet në Maqedoninë e Veriut”, thotë ai, duke shtuar se edhe vetë është kontaktuar nga punonjësit e ambasadës.

Bashkëqytetarja e tij, Elizabeta Georgieva, u evakuua nga Izraeli në Shqipëri mbrëmjen e 8 tetorit.

Ajo ishte në Tel Aviv si turiste. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se sirenat për sulme e zunë duke ngrënë mëngjes në hotel. Thotë se ditën e parë e kaloi disi, ndërsa më pas pa se situata po përkeqësohej. Georgieva thotë se arriti të evakuohej në Tiranë me ndihmën e Ambasadës maqedonase në Tel Aviv.

E ardhmja e këtij konflikti, që nga shumë politikanë u përshkrua si më i rëndi në disa dekada, është e paqartë. Disa kanë folur edhe për rrezikun e përhapjes në vende të tjera./ REL





Lajmet e fundit nga