LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Olaf Sholc dhe agjentura ruse

29 Janar 2023, 08:21, Kosova & Bota CNA

Olaf Sholc dhe agjentura ruse

Në politikë, veprimet e palogjikshme kanë zakonisht dy shpjegime: marrëzi ose komplot. Cili nga të dyja e shpjegon fenomenin “Sholc”? Kancelari gjerman ka premtuar prej muajsh se do ta furnizojë Ukrainën me armatimin e rëndë që i nevojitet për të larguar rusët nga territoret e saj të pushtuara.

Megjithatë deri më sot nuk ka dërguar asgjë të tillë, madje as pas takimit të fundit të fuqive perëndimore, të mbajtur në “formatin e Ramstein” në lidhje me ndihmën ushtarake për Kievin. Madje kancelari Sholc as që shqetësohet më për të shpikur justifikime të tipit “shumica në koalicionin tim janë kundër dërgimit të armëve të rënda” apo që “prodhuesve u duhet më shumë kohë”.

Gjatë ditëve të fundit, kur iu kërkua të shpjegonte arsyet e kësaj sjelljeje, ai u kundërpërgjigj duke drejtuar gishtin nga amerikanët. Pak njerëz seriozë e besojnë atë këto ditë, sidomos duke pasur parasysh se ai po refuzon madje të lejojë edhe vendet e tjera që kanë tanke gjermane, si për shembull polakët, që t’i dërgojnë sa më shpejt në Ukrainë për t’iu kundërvënë ofensivës së ardhshme të Rusisë.

Por nuk janë vetëm gjermanët ata që po shfaqin modele sjelljeje të tilla çoroditëse. Pak para takimit të Ramsteinit, kryeministri spanjoll Pedro Sançez bëri propozimin qesharak që Perëndimi të rifillonte negociatat me Vladimir Putinin në “formatin e Normandisë”, të njëjtin format, që i drejtuar nga Angela Merkel, e ndihmoi Putinin të përgatitej për luftë e gjithanshme që nisi në shkurtin e vitit të kaluar.

Atëherë jemi përballë një marrëzie apo komploti? Edhe pse marrëzia është zakonisht e përdorshme në raste të tilla si një qasje, gjermanët në veçanti duken të prirur për të komplotuar me Kremlinin.

Me një ish-kancelar, një ish-drejtues i Deutsche Bank dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të lartë gjermanë që tani po punojnë për kompanitë ruse, politikanët e Europës Lindore janë ankuar për vite me radhë për “shrëderizimin” e politikës së jashtme gjermane.

Ky term vjen nga ish-kancelari Gerhard Shrëder, i cili kur ishte në pushtet ushtroi presion për ndërtimin e gazsjellësit “North Stream 2”, vetëm për t’u bërë drejtor i tij në emër të Kremlinit pas largimit nga detyra. Edhe një vëzhgues rastësor i çështjeve gjermane do të ketë vënë re deri tani se çdo veprim politik i fortë kundër Rusisë ose në mbështetje të Ukrainës, tenton që të refuzohet menjëherë pasi shpallet.

Olaf Sholc dhe agjentura ruse

Për analogji mënyra se si funksionon kjo mund të shihet në vende të tilla si Bullgaria, që janë prej kohësh të famshme për depërtimin e agjentëve rusë në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, nga lart-poshtë. Brenda këtij sistemi, çdo udhëzim që buron nga lart dhe që është armiqësor ndaj interesave të Rusisë has në një rezistencë në rritje teksa lëviz nëpër zinxhirin e komandës, vetëm për t’u zhdukur përpara se të mbërrijë në pikën e ekzekutimit.

Nuk është e paimagjinueshme që i njëjti sistem të jetë ngritur edhe në Gjermani. Tek e fundit, Kremlini ka pasur gjysmë shekulli në dispozicion për ta arritur këtë nën qasjen tolerante “Ostpolitik”, të nisur nga kancelari Vili Brand në vitin 1969.

Por vetëm marrëzia nuk i shpjegon dot përpjekjet e Shrëderit për t’i ndihmuar rusët që të anashkalojnë Ukrainën përmes gazsjellësit “Nord Stream”, as sjelljen e butë të Merkelit ndaj Vladimir Putinit për më shumë se një dekadë, dhe as paaftësinë aktuale të Sholc për të shpjeguar refuzimin e tij ndaj furnizimit të Ukrainës me armatimet e rënda që i duhen për të mposhtur pushtuesin rus.

Dhe kur vetëm çmenduria nuk ofron një shpjegim bindës, atëherë ne jemi të detyruar që të analizojmë një sërë shpjegimesh të tjera. Në këtë rast, duhet të supozojmë se establishmenti gjerman është i mbushur me agjentë rusë, të cilët po i neutralizojnë në vazhdimësi përpjekjet për ta ndihmuar Ukrainën të fitojë luftën.

Sigurisht, kur aktivizohet, vullneti politik është i aftë që të kapërcejë shumicën e komploteve. Le të marrim sërish shembullin e Bullgarisë. Kohët e fundit na është thënë se ky vend, ashtu siç është i mbushur me agjentë rusë dhe me ndihmësit e tyre vendas, arriti që ta shpëtojë Ukrainën nga disfata.

Olaf Sholc dhe agjentura ruse

Që në javët e para vendimtare të luftës, e furnizoi atë fshehurazi me armë të rënda dhe karburant. Atë ndihmë e projektoi kryeministri i atëhershëm Kirill Petkov, përkundër pranisë së agjenturës ruse në strukturat shtetërore dhe pavarësisht pranisë së dy partive pro-ruse në koalicionin e atëhershëm qeverisës.

A mund të bëjë Sholc të njëjtën gjë nëse dëshiron? Sigurisht që po. Nuk ka asnjë pengesë të cilën Olaf Sholc nuk mund të tejkalojë siç bëri edhe Kirill Petkov i Bullgarisë. Gjithçka që nevojitet është vullneti politik ose thënë më thjesht shtylla kurrizore.

Megjithatë, marrëzia nuk duhet nënvlerësuar në asnjë nga analizat e sjelljes perëndimore ndaj Rusisë. Për këtë le të marrim shembullin më të qartë. Pse deri vonë fuqitë perëndimore ishin të gatshme të furnizonin Ukrainën vetëm me armë mbrojtëse, pra me armë që siguronin rezistencën, por jo fitoren?

Përgjigjja është e qartë dhe poshtëruese. Fuqitë perëndimore ishin të bindura se përballë rezistencës në fushën e betejës dhe pasojave të vetë sanksioneve mbi ekonominë ruse, Vladimir Putin do të dorëzohej. Se ai do të rimendonte idenë e luftës. Se në një moment do të thoshte “Dreqi e mori, kjo nuk funksionoi, më mirë të kthehem në tryezën e negociatave!”

Nëse do të pyetet çdo europiano-lindor mbi moshën 45 vjeç mund t’u kishte thënë vendimmarrësve të Europës Perëndimore, se kjo ishte një marrëzi e pastër. Sepse mendësia perandorake ruse nuk funksionon në linja të tilla. Në një vend ku jeta e njerëzve është më e lirë se çdo gjë tjetër, Putini do të angazhonte gjithnjë e më shumë trupa në fushën e betejës, derisa ukrainasit ta gjejnë veten të mbytur nën pirgje kufomash.

Më pas ai do të bënte të njëjtën gjë me vendet e ish-Paktit të Varshavës, derisa të arrinte qëllimin e tij të deklaruar qartë për ta shtyrë NATO-n në “kufijtë e saj të vitit 1997”. Këtë Putin e deklaroi hapur që para luftës. Fatmirësisht duket se kjo lloj marrëzie ka marrë fund.

Perëndimi duket se e ka kuptuar se e vetmja mënyrë për ta ndaluar Putinin është mposhtja e tij pa kushte në fushën e betejës në Ukrainë. Megjithatë, ky kuptim tani duhet të zgjerohet për të përfshirë veprime vendimtare kundër rrjetit rus të agjentëve që mbështjell ende vendet demokratike të Europës, përfshirë më të madhin prej tyre, Gjermaninë.

Shënim: Evgenii Dainov është studiues dhe analist politik bullgar.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga