web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kriza e COVID-19 në Kinë mund ta bëjë më të rrezikshëm Xi Jinping

18 Janar 2023, 09:03, Kosova & Bota CNA

Kriza e COVID-19 në Kinë mund ta bëjë më të

Deri 2 muaj më parë, një nga pyetjet kryesore me të cilat përballej bota ishte se si të sillej me një Xi Jinping të plotfuqishëm, pasi kreu i Partisë Komuniste Kineze siguroi një mandat të tretë në detyrë duke shkatërruar traditën. Ndërkohë, tani bota do të bënte mirë të niste të përgatitej për një perspektivë edhe më shqetësuese: të përballet me një lider autoritar të dëmtuar jo pak nga rihapja kaotike e qeverisë së tij ndaj COVID-19.

Edhe pse qeveria kineze e ka fshehur numrin e vërtetë të rasteve dhe vdekjeve nga vala e parë e madhe e koronavirusit, mediat sociale kineze e kanë bërë të qartë se vendi po vuan nga mungesa e ilaçeve, spitalet e mbipopulluara dhe krematoriumet plot me trupat të vdekur.

Por gjërat mund të përkeqësohen akoma më shumë, pasi virusi të përhapet masivisht në fshatra dhe në popullatën e moshuar shumë pak të vaksinuar të Kinës. Në prag të rihapjes së papritur në dhjetor, vetëm 2/3 e njerëzve mbi 80 vjeç, grupi më i rrezikuar, kishin marrë 2 doza të vaksinave të prodhuara në vend.

Kriza e COVID-19 në Kinë mund ta bëjë më të

Ndërkohë rreth 40 për qind e tyre kishin marrë një dozë përforcuese. Ekspertët vlerësojnë se 1-1.5 milionë njerëz mund të vdesin nga COVID-19 në muajt e ardhshëm. Kina nuk ka përjetuar një normë të tillë vdekjesh në një periudhë kaq të ngjeshur kohore që nga zija e bukës e viteve 1959-1961 e shkaktuar nga Hopi i Madh Përpara i ish-udhëheqësit Mao Ce Dun.

Ajo katastrofë epike vrau rreth 36 milionë njerëz. Dhe ashtu si uria i dha një goditje të fortë pushtetit të Maos, edhe COVID-19 do të minojë me siguri autoritetin e Xi.  Madje udhëheqësi kinez tashmë po e paguan që tani një çmim. Të paktën tani për tani, rihapja kaotike e ka prishur axhendën e tij për mandatin e tretë.

Në raportin e paraqitur në Kongresin e XX-të të Partisë Komuniste në fund të tetorit 2022, ai tregoi se po planifikonte ta forconte më tej ekonominë kineze kundër sanksioneve të mundshme perëndimore dhe të rrënjoste akoma më shumë epërsinë e Partisë Komuniste. Të dy objektivat do të sakrifikonin rritjen ekonomike për sigurinë e regjimit.

Ndërsa po rritet numri i rasteve me COVID-19, Xi nuk ka më luksin të përballojë pazare të tilla. Në fakt, ai i dërgoi një mesazh të fortë në konferencën e PKK mbi ekonominë në mesin e dhjetorit, se prioriteti i tij kryesor për vitin 2023 është ta nxjerrë ekonominë nga kriza. Dhe vendosja si prioritet i rritjes ekonomike do ta detyrojë atë të bëjë sakrifica të kushtueshme.

Kriza e COVID-19 në Kinë mund ta bëjë më të

Xi do të detyrohet të delegojë më shumë autoritet te teknokratët, të mos e vërë shumë theksin tek ideologjia për të qetësuar investitorët, të lehtësojë kufizimet në sektorin privat dhe të ulë tensionet me Perëndimin për ta ngadalësuar “zhvendosjen” ekonomike. Ndryshime të tilla do të përfaqësonin një mohim të nënkuptuar të gati të gjitha politikave kryesore të Xi-së.

Paralelet me pengesën që pati Mao pas Hopit të Madh Përpara janë shumë domethënëse.

Zija më e rëndë e bukës në histori e detyroi Timonierin e Madh që t’ua linte çështjen e ekonomisë pragmatistëve dhe të tërhiqej nga përgjegjësitë e qeverisjes në vijën e parë.

Përçarjet brenda regjimit të tij u bënë më të thella dhe më të hidhura, ndërsa kolegët e fajësuan Maon për katastrofën kurse nga ana tjetër, ai i shihte të njëjtët kolegë si jobesnikë dhe potencialisht të rrezikshëm. Shumë kinezë, që janë lënë kryesisht të kujdesen vetë për veten e tyre përballë valës së madhe të COVID-19, do të fajësojnë udhëheqësin e Kinës për menaxhimin e dobët të Partisë Komuniste në procesin e rihapjes së fundit.

Gjatë një dekade në pushtet, Xi ka kultivuar me kujdes imazhin e një njeriu që kujdeset shumë për mirëqenien e njerëzve të zakonshëm. Tani edhe kjo fasadë është shkatërruar. Dhe kjo do të shkaktojë pasojat e saj. Edhe pse një udhëheqës i lartë kinez nuk kërkon drejtpërdrejt mbështetje popullore për mbijetesën e tij politike, mënyra se si ai perceptohet nga publiku ndikon në pozitën e tij në mesin e elitave qeverisëse.

Sa i përket vetë Partisë Komuniste, një numër i lartë vdekjesh, por edhe vuajtjesh nga ky virus, do të nxisë me siguri akuza dhe kundërakuza midis liderëve të nivelit të lartë. Do të ngrihen disa pyetje të siktletshme. Më kryesorja ka të bëjë me arsyen se përse qeveria ishte kaq e papërgatitur për rritjen e rasteve me COVID-19.

Përgjigjja është po aq e qartë. Udhëheqja e lartë e partisë i kaloi muajt përpara kongresit të XX-të duke u përpjekur të konsolidojë pushtetin e saj në vend se të hidhte themelet për rihapjen e vendit. Faji në mënyrë të pashmangshme do të bjerë mbi Xi, i cili kërkoi dhe siguroi një fitore të fortë politike në aktivitetin e rëndësishëm të tetorit 2022.

Zërat e pakënaqur brenda elitës, madje edhe midis liderëve rivalë të nivelit të lartë, ndaj Xi, që u panë disi edhe në Kongres, nuk do ta rrëzojnë nga froni udhëheqësin kinez. Por ajo që ka vërtetë rëndësi në një shtet njëpartiak është mënyra se si udhëheqësi kryesor e percepton fuqinë dhe sigurinë e tij.

Nëse rast se ai beson se e ka humbur autoritetin, instinkti i tij i parë është gjithmonë rifitimi i tij me çdo kusht. Kur Mao e kuptoi se zija e bukës e shkaktuar nga Hopi i Madh Përpara, e kishte shkatërruar pozitën e tij në parti, ai nuk e pranoi humbjen dhe nuk e braktisi vizionin e tij utopik.

Përkundrazi, nisi të planifikonte një spastrim masiv, i cili më vonë u materializua si Revolucioni Kulturor që e zhyti vendin në një dekadë kaosi. Xi mund të mos jetë një Mao tjetër. Megjithatë ashtu si paraardhësi i tij, nëse ai do të ndiejë se pozita e tij është e kërcënuar, është gati e sigurt se do të bëhet më i paparashikueshëm dhe më i vështirë për t’u përballur me të. Ata që kënaqen me pengesat që po përjeton Xi aktualisht, shumë shpejt mund të pendohen për iluzionet e tyre.

Përkthyer nga CNA.al





Lajmet e fundit nga