web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Izraeli dhe Irani në luftë/ Teherani refuzon të rihyjë në bisedime me SHBA-në derisa të ndalojnë sulmet

21 Qershor 2025, 09:23, Kosova & Bota CNA

Izraeli dhe Irani në luftë/ Teherani refuzon të rihyjë

Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme ajrore ndërsa konflikti i tyre hyn në javën e dytë.

Një zyrtar iranian tha për "CNN" se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund ta përfundojë atë me një telefonatë me palën izraelite, duke shtuar se Irani do të kthehet në negociatat me SHBA-në vetëm nëse Izraeli ndalon së sulmuari atë.

E gjitha kjo vjen pas përpjekjeve të pafrytshme për të ulur tensionet në Gjenevë, ku diplomatët më të lartë europianë u takuan me homologët e tyre iranianë të premten.

Një zyrtar iranian ka thënë se kompleksi i kërkimit bërthamor i Isfahanit, objekti më i madh bërthamor i Iranit, u shënjestrua nga një sulm ajror izraelit të shtunën. Zyrtari tha se nuk kishte rrjedhje të materialeve të rrezikshme për shkak të sulmit, por banorëve iu këshillua të shmangnin zonën në mënyrë që personeli i shpëtimit të mund të bënin punën e tyre.

Dy persona u vranë gjithashtu dhe katër të tjerë u plagosën në një sulm të drejtpërdrejtë në një ndërtesë banimi në qytetin e shenjtë të Qomit në Iranin qendror, sipas raportimeve të medias shtetërore. Lajmi erdhi menjëherë pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se kishin filluar një valë të re sulmesh në Iran.

Shërbimet kombëtare të emergjencës së Izraelit u thirrën në një ndërtesë që po digjej në qytetin Holon, ndërsa Irani nisi një valë sulmesh me raketa gjatë natës. Zjarri u shkaktua nga shrapnel pasi një raketë u interceptua, sipas shërbimeve izraelite të zjarrfikësve dhe shpëtimit. Agjencia e emergjencës Magen David Adom tha se nuk u raportuan të lënduar.

Një zyrtar iranian tha për "CNN" se SHBA-ja mund ta “ndalojë luftën” me një telefonatë, nëse Trump do t’i thoshte udhëheqjes së Izraelit të ndalonte sulmet ndaj Iranit. Megjithatë, Trump u tha gazetarëve në New Jersey: “Është shumë e vështirë të bësh këtë kërkesë tani nëse dikush po fiton.”

Pati pak shenja përparimi pasi një zyrtar i lartë i BE-së dhe ministrat e jashtëm nga Britania, Franca dhe Gjermania u takuan me homologun e tyre iranian në Gjenevë të premten. Ministri i Jashtëm i Iranit tha se nuk do të rihyjë në negociata me SHBA-në për sa kohë që mbetet nën sulm nga Izraeli.

Presidenti Donald Trump e sulmoi drejtpërdrejt drejtorin e tij të inteligjencës kombëtare të premten, duke thënë se Tulsi Gabbard "gabohet" në lidhje me përpjekjet e Iranit për të siguruar një armë bërthamore. Gabbard dëshmoi para Kongresit në mars se Irani nuk po ndiqte në mënyrë aktive një armë bërthamore - një kundërshtim i drejtpërdrejtë i pretendimeve të Izraelit se Irani po nxitonte drejt një bombe. I pyetur të premten në lidhje me vlerësimin e komunitetit të tij të inteligjencës, Trump tha: "Epo atëherë, komuniteti im i inteligjencës gabohet."

Në Turqi: Organizata e Bashkëpunimit Islamik, që përfaqëson zërin kolektiv të botës myslimane me 57 shtetet e saj anëtare, do të mblidhet në Stamboll të shtunën. Midis pjesëmarrësve do të jetë edhe ministri i Jashtëm i Iranit, i cili tha se bisedimet do të përfshijnë adresimin e "agresionit të kryer nga" Izraeli./ CNA





Lajmet e fundit nga