LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dronët rusë vazhdojnë të sulmojnë Ukrainën, ndihma amerikane përballet me pengesa

12 Shkurt 2024, 20:13, Kosova & Bota CNA

Dronët rusë vazhdojnë të sulmojnë Ukrainën, ndihma

Ushtria ruse goditi Ukrainën me një breshëri dronësh të dielën. Kjo vjen ndërsa miratimi i një pakete ndihmash për Ukrainën përballet me pengesa në Kongresin amerikan të ndarë përgjatë vijash partiake. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, dy kandidatët kryesorë për president të Shteteve të Bashkuara kanë pikëpamje diametralisht të kundërta për Ukrainën dhe NATO-n.

Pamjet nga kamerat trupore të policisë tregojnë momentet e para të mbërritjes së punonjësve të emergjencave pas sulmit rus vdekjeprurës me dronë në qytetin ukrainas të Kharkiv-it.

Agjencitë e lajmeve nuk mund ta verifikojnë në mënyrë të pavarur datën apo vendndodhjen e ngjarjes. Të paktën shtatë persona u vranë, përfshirë tre fëmijë të vegjël.

Gazeta “New York Times” thotë se dronët rusë goditën një depo duke shkaktuar derdhjen e karburantit nëpër rrugë dhe ndezjen e tij, gjë që bllokoi familjet në ndërtesat që digjeshin.

Ukraina përballet me një të ardhme të pasigurt në luftën kundër agresorit rus.

Ndërsa Bashkimi Evropian miratoi së fundmi një paketë ndihme katërvjeçare prej 54 miliardë dollarësh, vazhdim i ndihmës financiare amerikane mund të jetë më sfidues.

Presidenti Joe Biden priti në Shtëpinë e Bardhë kancelarin gjerman Olaf Scholz. Gjatë takimit me aleatin e NATO-s, udhëheqësi amerikan theksoi nevojën për miratimin e një pakete ndihme për Ukrainën nga Kongresi amerikan i ndarë përgjatë vijash partiake.

“Paketa e shpenzimeve për sigurinë kombëtare duhet miratuar menjëherë. Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve po ngurrojnë, dhe shpresoj se qëndrimi është më shumë politik sesa real. Duhet miratuar paketa e ndihmave për Ukrainën për t’i ndihmuar ata që të jenë në gjendje të mbrohen kundër agresionit brutal të Rusisë”, tha Presidenti Biden.

Ukraina varet nga mbështetja financiare dhe materiale e vendeve kryesisht anëtare të NATO-s në përpjekjet e saj kundër agresionit rus.

Kundërshtari i Presidentit Biden për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump tha se kur ishte president e kishte paralajmëruar udhëheqësin e një vendi anëtar të NATO-s që të shpenzonte më shumë për mbrojtjen ose në të kundërtën, Rusia mund të bënte atë që donte.

“Gjatë një takimi u thashë se duhet të paguani detyrimet për NATO-n. Presidenti i një vendi të madh më pyeti se, nëse nuk paguajmë detyrimet dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbrosh. I thashë, nuk i keni pagur detyrimet? Ai tha jo. I thashë se nuk do t’ju mbroj. Në fakt, unë do t’i inkurajoja ata (Rusinë) të bënte çfarë të donte. Duhet të përmbushësh detyrimet”, tha zoti Trump.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha përmes një deklarate të dielën se çdo sugjerim se aleatët e NATO-s nuk do të mbronin njëri-tjetrin “minon të gjithë sigurinë tonë, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara”.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të hënën se zoti Trump duhet të tregohet më serioz gjatë fushatës.

“NATO-ja nuk mund të jetë një aleancë ushtarake sipas qejfit. Nuk mund të jetë një aleancë që funksionon në varësi të humorit ditor të presidentit amerikan. Duhet të tregohemi seriozë. NATO nuk mund të jetë sipas dëshirës”, tha zoti Borrell.

Ish ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara gjatë administratës së Presidentit Trump, Nikki Haley, rivalja e vetme e zotit Trump për të siguruar emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, tha se ish shefi i saj po merr anën e presidentit rus.

“Putini i vret kundërshtarët e tij. Ai pushton vendet e lira. Nuk është një njeri me të cilin duhet të shoqërohesh dhe padyshim t’i jepni të drejtën për të pushtuar një vend mik. Të gjithë në NATO duhet të përmbushin detyrimet financiare, por arsyesja që kjo organizatë ka qënë e suksesshme gjatë 75 viteve është sepse Rusia nuk ka pushtuar kurrë asnjë vend anëtar të NATO-s", tha zonja Haley.

Gjatë mandatit presidencial, zoti Trump e mbështeti rregulloren e NATO-s për mbrojtje reciproke të vendeve anëtare. Por ai shpesh i ka kritikuar vendet që nuk përmbushin detyrimet financiare.

Sipas një raporti të NATO-s, që nga viti 2022 shtatë vende nga 31 shtete anëtare i përmbushin plotësisht detyrimet për aleancën perëndimore, krahasuar me vetëm tre shtete në vitin 2014. Agresioni rus ndaj Ukrainës ka nxitur disa vende aleate që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes./ VOA

Lajmet e fundit nga