web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zyrtarisht të martuar/ Taylor Swift dhe Travis Kelce kurorëzojnë dashurinë në një ceremoni private

2026-07-04 09:48:00, Lifestyle CNA

Zyrtarisht të martuar/ Taylor Swift dhe Travis Kelce kurorëzojnë

Ylli botëror i muzikës pop, Taylor Swift, dhe lojtari i futbollit amerikan Travis Kelce janë martuar në një ceremoni private. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ceremonia u zhvillua në Madison Square Garden në New York, ku morën pjesë qindra të ftuar dhe një numër i madh personazhesh të njohur.

Në ekranet gjigante jashtë arenës u shfaq mesazhi “JUST T MARRIED!”, ndërsa publicistja e Swift konfirmoi përmes një deklarate se çifti kishte kurorëzuar dashurinë e tyre pas një lidhjeje trevjeçare.

Zyrtarisht të martuar/ Taylor Swift dhe Travis Kelce kurorëzojnë

Ceremonia u drejtua nga komediani Adam Sandler, mik i çiftit. Vëllai i Taylor Swift, Austin Swift, ishte "shoqëruesi i nderit” ndërsa vëllai i Travis Kelce, ish-ylli i NFL-së Jason Kelce, mbajti rolin e dëshmitarit.

Sipas deklaratës, nusja dhe dhëndri u veshën me krijime të Christian Dior, ndërsa Swift zgjodhi bizhuteri të markës Cartier. Ende nuk është publikuar asnjw fotografi zyrtare nga ceremonia. Në festë morën pjesë emra të njohur të botës së artit dhe sportit, përfshirë Jennifer Lopez, Ed Sheeran, Jimmy Fallon, Abby Wambach, Hugh Grant, Jason Sudeikis dhe Ethan Hawke.

Dhjetëra fansa të këngëtares, të njohur si "Swifties", u mblodhën jashtë Madison Square Garden për të parë mbërritjen e të ftuarve. Ceremonia u përshkrua nga mediat amerikane si "dasma mbretërore e Amerikës", ndërsa masat e sigurisë ishin të larta. Edhe Empire State Building u ndriçua me ngjyrë blu të çelët në nder të dasmës, duke simbolizuar traditën e "diçkaje blu", që sipas besimeve sjell fat në martesë.

Mediat amerikane raportuan se çifti kishte ftuar mbi 1.000 persona në festimet e organizuara gjatë fundjavës së festës kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Një ditë para ceremonisë, Swift dhe Kelce njoftuan gjithashtu se kishin dhuruar 26 milionë dollarë për organizata bamirëse në New York dhe qytete të tjera.

Historia e dashurisë së çiftit nisi në vitin 2023, kur Travis Kelce u përpoq pa sukses të takonte Taylor Swift pas një koncerti të saj në Kansas City. Më vonë ai tregoi historinë në podcastin e tij "New Heights", gjë që tërhoqi vëmendjen e këngëtares. Çifti bëri publike lidhjen e tyre gjatë vitit 2023 dhe u fejua në gusht të vitit 2025.

Taylor Swift është një nga artistet më të suksesshme të të gjitha kohërave, fituese e 14 çmimeve Grammy dhe autore e hiteve si "Love Story" dhe "Shake It Off". Ndërkohë, Travis Kelce është një nga emrat më të njohur të NFL-së dhe ka fituar tre tituj të Super Bowl me ekipin Kansas City Chiefs. /CNA





Lajmet e fundit nga