web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Skandal/ Italianët e hetonin, Edi Rama firmos leje, CFO Pharma siguron lekët për Visin e Pojës

23 Maj 2025, 08:07, Denoncim CNA

Skandal/ Italianët e hetonin, Edi Rama firmos leje, CFO Pharma siguron

Elvis Doçi, alias Visi i Pojës, pastronte para në ndërtim me firmë direkt të Edi Ramës. "Syri TV" zbulon të dhëna skandaloze, ku organizata mafioze, teksa hetohej nga Italia pajisej në mënyrë të dyshimet me leje ndërtimi për hotel 10-katësh në bregdet pranë Shkëmbit të Kavajës. Situata bëhet edhe më skandaloze, pasi SPAK nuk ka hetuar dhe as sekuestruar kompaninë kryesore të Visit të Pojës, me të cilën përfitonte edhe fonde publike dhe merrte leje ndërtimi nga Edi Rama.

Antimafia italiane goditi një prej organizatave mafioze shqiptare të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës, ku paratë përfundonin në Shqipëri.

Janë të paktën 30 raste të transportit të parave më autobus drejt Shqipërisë, ku më pas këto para pastroheshin.

Drejtësia italiane ka arritur që të identifikojë edhe kompanitë ku Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, pastronte paratë nga aktiviteti i trafikut të kokainës, e këto informacione iu përcollën edhe SPAK për të kryer më pas edhe hetimet që i takonin palës shqiptare për sekuestrimin e këtyre aseteve kriminale.

Në një prej episodeve të zbardhura në dosjen italiane, thuhet se nga verifikimet e skuadrës së përbashkët të investigimit SPAK-Antimafia, kanë verifikuar me autoritetet gjyqësore shqiptare në kuadër të hetimeve të pasurive të familjes Troplini, në periudhën 30 janar 2020-14 shkurt 2020, se Elvis Doçit i është sekuestruar automjeti i blinduar Audi A8, që ishte në pronësi të kompanisë Eldemar Constrution, SRL.

Në dosjen italiane, e shpërndarë për mediat, Antimafia evidentonte me emra personat e arrestuar dhe kompanitë ku pastroheshin paratë, ndërsa e njëjta gjë nuk ndodhi për palën shqiptare.

Sa u përket hetimeve të kryera nga SPAK, ky institucion shpërndau një njoftim për mediat me mungesë të theksuar transparence ku nuk jepeshin as emrat e personave të arrestuar apo në kërkim apo emrat e kompanive që u sekuestruan.

Kompanitë e sekuestruara

"Syri TV" arriti të sigurojë në mënyrë konfidenciale emrat e kompanive të sekuestruara ku rezultojnë shoqëria “Marquez” e Ervin Zeqirit, “Felix Vinum” e Adi Çobës, “Majestic Konstruksion” e Juxhin Drazhit, “Portside” e Elvis Doçit, i njohur si (Visi Pojës), “Dubai Inn” e Nexhmedin Danajt, “Vlora Cable” po ashtu e Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit.

Nuk sekuestrohet kompania e Vis Pojës 

Por nga një investigim i kryer më tej nga gazetarët e "Syri TV", rezulton se SPAK ka hezituar të sekuestrojë të gjitha kompanitë e regjistruara në emër të Elvis Doçit, e një ndër to është edhe Eldemar Constrution, për llogari të së cilës ishte regjistruar edhe automjeti Audi A8 i blinduar, i sekuestruar gjatë hetimeve të mëparshme për familjen Troplini.

Kjo kompani, e themeluar në vitin 2010, rezulton një prej kompanive kryesore të Elvis Doçit, alias Visi i Pojës, që ka përfituar jo vetëm fonde publike, kryesisht nga fondet e rindërtimit, por ka marrë edhe leje ndërtimi drejtpërdrejt me firmë të Edi Ramës në shkurt të vitit 2024.

E kjo kompani është amnistuar nga SPAK.

Po çfarë ka ndodhur me këtë kompani të amnistuar nga SPAK dhe lejen e ndërtimit për hotel me 10 kate pranë Shkëmbit të Kavajës?

Sipas dokumentacionit të bërë publik në QKB, në korrik të vitit 2024 themelohet kompania Rock of Kavaja, me objekt aktiviteti hoteleri-turizëm, me aksioner të vetëm Eldemar të Visit të Pojës.

Pas themelimit, në nëntor të vitit 2024, Visi i Pojës, shet 60 % të aksioneve kompanisë CFO PHARMA. Tre ditë më pas, kompania me një akt të jashtëligjshëm, rrit kapitalin nga 100 mijë lekë në 225 milionë lekë ose 2.3 milionë euro.

Në 12 nëntor Asambleja e ortakëve vendos që të miratojnë rritjen e kapitalit në natyrë, pra me vlerën e tokës ku do të ndërtohet hoteli, ku kompania CFO PHARMA, do të kryejë investimin në 100 % të vlerës, kurse Visi i Pojës do të përfitojë 40 % pasi kontribuon vetëm me tokën.

Kujtojmë që vetëm pak kohë pas këtij angazhimi, në mars të 2025, breshëri automatiku u qëlluan mbi kompaninë farmaceutike, që tashmë Iu fut edhe sektorit të ndërtimit dhe hotelerisë. Po sipas këtij vendimi, kompania e Visit të Pojës ka lidhur kontratë bashkëpunimi me brandin ndërkombëtar AÇOR (Pullman).

Rezulton se Eldemar Construtions e ka marrë tokën në datën 26 janar, të vitit 2024, pa raporte të qarta financiare nga shtetasi Luan Kasa, ku në marrëveshjet e shitblerjes theksohet “Kontratë me rezervë”, çka ngre dyshimet se pagesa 2.3 milionë euro nuk është kryer.

Brenda 2 muajve nga marrja e tokës, Edi Rama i firmos Visit të Pojës, lejen e ndërtimit për hotelin 10-katësh në buzë të detit.

Si pastrohen paratë?

Pra e thënë më thjeshtë, Visi i Pojës, ka vetëm idenë, merr tokën pa lekë, Edi Rama i firmos lejen e ndërtimit, në lojë hynë CFO PHARMA që garanton qarkullimin e parave, për të mbuluar të gjithë operacionin futet në lojë një brand ndërkombëtar.

I gjithë ky operacion financiar, miliona euro e me firma të dyshimta të kryeministrit EdiI Rama, çuditërisht nuk shihet nga SPAK, e këto kompani nuk vihen nën sekuestro./ Syri Tv





Lajmet e fundit nga