LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Dokumentet i ke në rregull, gjobë 500 mijë lekë”/ Vjen me skaf nga Amerika, policia i bllokon mjetin pa motiv

8 Shtator 2022, 21:03, Denoncim CNA

“Dokumentet i ke në rregull, gjobë 500 mijë

Fabjan Dodaj, një shqiptar i cili jeton në Amerikë prej më shumë se 20 vjetësh, vendosi që të pushojë këtë verë në Velipojë. Në 11 gusht kishte dalë me familjen me skaf në det, mjet lundrues të cilin e ka me dokumente amerikane.

E ndalon policia dhe i kërkon dokumentet. Fabjani tregohet i gatshëm t’ia japë. Familjarët e tij po filmonin me telefon, ndaj punonjësit e policisë e thërrasin në skafin e tyre dhe largohen bashkë me të, duke lënë familjarë e të afërm me skafin në mes të detit, pasi askush prej tyre nuk di ta drejtojë përveç Fabjanit, të cilin e mori policia.

“Unë quhem Fabjan Dodaj. Isha me pushime këtë verë në Shqipëri. Kam sjellë një skaf, të cilin e kam me dokumentacion të Amerikës, për të shëtitur Shqipërinë, pjesën e ujit. Dhe një prej ditëve, në 11 Gusht, u ndala nga policia detare, siç bënë disa herë të tjera, për të kontrolluar dokumentacionin. Unë isha me pjesëtarë të familjes. Aty më kërkuan dokumentacionin dhe unë isha i disponuar t’ia jepja menjëherë. Familjarët e mi po filmonin dhe një nga policët e skafit të policisë kufitare u acarua. Më detajisht ai është Nikoll Pjetri, i  cili u acarua pa masë, duke më thënë që ta ndjek nga pas dhe të më dërgojë në stacionin policor kufitar. Unë hipa tek skafi i tij dhe menjëherë instikti është, që të pyes për emrin, sepse kështu jemi mësuar të paktën 20 e ca vjet, që jam këtu në Amerikë. Ai nuk pranoi të më  jepte emrin. Unë fillova të lexoj numrat në veshjen që kishte. U acarua dhe pastaj me shpejtësi të madhe shkoi tek skafi, tek pjesa e timonit të skafit dhe i dha me shpejtësi skafit. Në ato momente, unë humba ekuilibrin. Isha shumë afër motorrëve të ujit dhe shihet në video, që unë humba ekuilibrin dhe fatmirësisht nuk rashë mes dy motorrëve të skafit. Por nuk mjaftoi me kaq. Më mori në thellësi larg nga skafi. Ne ishim të paktën 2-3 milje nga bregdeti dhe ai më largoi nga skafi të paktën dhe 2-3 milje larg nga skafi im”, thotë Fabjan Dodaj.

Në videon që kanë regjistruar familjarët, duket qartë që skafi i policisë merr Fabjanin dhe anëtarët e tjerë të familjes i lë në mes të detit, edhe pse këta të fundit bërtasin duke i thënë që askush nuk di ta drejtojë mjetin lundrues.

Punonjësi: Kë njoftove, që dole?

Denoncuesi: Filipin!

Punonjësi: Kush është Filipi?

Denoncuesi: Filipi, inspektori, që i kam bërë qysh në fillim vendndodhjen, se ku jam e kur dal. Urdhëro!

Punonjësi: Dokumentet!

Denoncuesi: Dokumentet në vend! Po edhe dje më pyetët të njëjtën gjë.

Punonjësi: Bjemi dokumentet të thashë edhe njëherë!

Denoncuesi: Ku je tu ik, se ka edhe të huaj?

IKËN SKAFI I POLICISE DUKE LËNË FAMILJARËT ATY

Familjarët: Prit, o shoku, se s’dimë me ik ne…

Personi X: A din me e nis?

Personi Y: Jo!

Më pas efektivët e policisë kthehen dhe firmosin procesverbalin, sikur Fabjani kishte refuzuar t’u jepte dokumentet.

“Më kërkoi dokumentacionin dhe pastaj foli me eprorin e tij, Gëzim Mlloja, gjatë pjesës, që isha unë në skafin e policisë dhe aty vendosën si duket nga frika, që bënë një gabim shumë të madh, donin ta gjenin një fajtor. Vendosën me eprorin e tij, shefin e kufirit, që të më shoqëronin në polici, sepse unë nuk iu dhashë dokumentacionin. Aty shihet shumë qartë, që dokumentacionin ua ofrova që në fillim. Kur shkuam tek policia detare, kufiri në Pulaj, Velipojë, aty erdhi Gëzim Mlloja, shefi i stacionit dhe përsëri Nikoll Pjetri vazhdoi duke bërë presion tek unë”, tregon Fabjani.

Gjatë takimit me shefin Gëzim Mlloja në stacionin policor, përdoruesi i skafit, Fabjan Dodaj,  i kërkon llogari përse e ndaluan dhe përse kërkojnë që t’i vendosin gjobë. Shefi i thotë që të ankohet në Prokurori, edhe pse me zë dhe me figurë pranon se dokumentet e skafit janë të gjitha në rregull dhe nuk kanë asnjë problem, që do të thotë se qytetari nuk ka bërë asnjë shkelje.

Shefi: Udhëzimi i vendosjes në dispozicion të dokumenteve të parashikuara në nenin 5…

Denoncuesi: Ai gënjen! Nuk e kam refuzuar! Ore, e ke me video!

Shefi: Shko, bëj në prokurori denoncim!

Bashkëshortja: Më fal, zotëri! Pse nuk thua që ka shkel ligjin, ma ka hequr burrin prej anijes dhe e ka çuar në det të hapur?

Shefi: Ka institucione, që merren me këtë.

Denoncuesi: A janë në rregull dokumentet e mia?

Shefi: Po!

Denoncuesi: A je i sigurt që janë në rregull?

Shefi: Po!

Pavarësisht dokumentacionit të rregullt, stacioni i policisë kufitare të Velipojës e gjobit Fabjan Dodajn me 500 mijë Lekë të vjetra dhe i bllokon skafin pa arsye!

Me shefin e policisë Gëzim Mlloja bisedon në telefon edhe gazetarja e emisionit Stop, e cila kërkon informacion përse qytetarit i është bllokuar mjeti lundrues dhe i është vendosur gjobë pa arsye. Gëzim Mlloja i thotë se është në mal dhe refuzon që të japë përgjigje, duke e udhëzuar që të kërkojë përgjigje në Drejtorinë Vendore të Kufirit në Shkodër.

“Nuk bisedohet në breg të liqenit. Kena drejtori ne! Unë rri në mal! Mund të merrni informacion pranë Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit, Shkodër! Mos më pengoni se jam i zënë me punë! Për çdo gjë drejtohu në Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit Shkodër”, thotë Mlloja gjatë bisedës me gazetaren. /tvklan.al

 

Lajmet e fundit nga