LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Denoncimi i Fiks Fare/ “Më goditi me gotë birre, humba njërin sy”, autori dënohet “në gjendje të lirë”

11 Dhjetor 2023, 20:58, Denoncim CNA

Denoncimi i Fiks Fare/ “Më goditi me gotë birre, humba

Një mësuese, në prag pensioni, kërkon drejtësi për djalin e saj. Tefta Çeçaj iu drejtua emisionit “Fiks Fare” për një ngjarje që ka ndodhur në datë 8 nëntor 2022, te rruga “Tish Daia” në Tiranë.

“Ngjarja i ka ndodhur djalit tim Bergi Çeçaj, 33 vjeç. Ai ishte duke luajtur me shokët në një lokal të lagjes. Pasi përfundojnë lojën, djali qëndron për të parë një ndeshje. Shokët u larguan, në momentin që kthehet nga televizori dhe dikush i thotë që ju të rinjtë e sotëm s’dini të luani. Personi pas disa minutash ngrihet nga tavolina dhe e godet djalin me gotë birre në fytyrë. I thyhet gota e birrës në fytyrë. I shkëputet retina, pati shumë të çara në fytyrë”, thotë Tefta.

Më pas tregon se dëmtimet më të mëdha i pati në syrin e djathtë.

“Kur e çova për operacion për syrin, mjekja tha rrezik ia heqim syrin. Dhe me shumë përpjekje arritëm të shpëtojmë kokërdhokun. Ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit. Aty duket që ai ngrihet dhe e godet me forcë në fytyrë. Pamjet janë të tmerrshme”, vijon ajo, ndërsa i serviri emisionit investigativ edhe pamjet e ngjarjes.

Në video duket i dëmtuari Bergi Çeçaj që qëndron në një tavolinë. Nga tavolina ngjitur ngrihet një person, i merr gotën e birrës dhe e qëllon në fytyrë. Bergi vë duart në kokë dhe dyshemeja e lokalit mbushet gjithë gjak. Autori, sikur mos të kishte ndodhur gjë, ulët qetë – qetë në vendin e tij. Në lokal janë me dhjetëra klientë, por askush nuk i jep ndihmën e parë!

“Djali s’pati asnjë lloj ndihmë. As ai që e goditi. Edhe nga pjesëtarë të tjerë. Ka marrë fasoletën dhe i është drejtuar një taksie për në Spitalin Ushtarak. Rrugës i thonë është rast emergjent, e shoqëron policia në spital. Grupi i gatshëm e merr në pyetje dhe djali ka qëndrua 9 ditë në spital. Në momentin që bëmë denoncimin, personi u arrestua dhe u lirua të nesërmen. Personi quhet Nikoll Andoni. Nuk e di kush e liroi. Pa dalë asnjë gjë, as raporti”, tregon mësuesja, e cila për të përballuar shpenzimet e kurimit të djalit punon edhe një fasoneri part-time.

Ajo ka “luftuar” me sistemin e drejtësisë që autori të marrë dënimin e merituar. “Më thonë që autori është jashtë. Marr OPGj-në dhe i them më mbroni mua dhe atë. E arrestojnë dhe ai del pas 1 muaji sërish. Gjyqtari që kishte dhënë masën e sigurisë e akuzonte për plagosje të lehtë. Edhe sot e kësaj dite ai është i lirë. Hetimet i ka kryesuar prokurorja Suela Salavaçi. I kam bërë dy herë kërkesë për ta pyetur djalin si ndodhi ngjarja, ajo s’e ka thirrur njëherë të vetme” vijon Tefta, ndërsa thotë se pas shpërfilljes së familjes së saj, gjykata e dha vendimin.

Çështja u gjykua më 16 nëntor të këtij viti. Vendimi ishte 3 vjet dhe me gjykim të shkurtuar, gjykatësi e dha 2 vite. Akuza ishte për plagosje e rëndë me dashje. Djali ka takuar personin autorin dhe ai s’ka kërkuar falje. Të paktën t’i përgjigjet edhe dëmit që bëri. Nuk e di! Personi, kur e takoi djali në lokal, i tha ‘mua s’ke çfarë më bën, sepse mua më mbron X-i’. Deri tani s’i ka hyr gjemb në këmbë” thotë Tefta, ndërsa tregon se djali i saj ka humbur syrin e djathtë dhe ka shenja të tjera në fytyrë.

Për ngjarjen janë bërë 2 ekspertime mjeko-ligjore. Fillimisht, ngjarja është konsideruar si plagosje e lehtë. Ekspertimi i parë është bërë në datën 30 nëntor 2022. U konstatuan shembje e indeve të buta të fytyrës të shoqëruar me plagë masive të mollëzës, faqes së djathtë, kapakëve të syrit të djathtë dhe të anës së djathtë të gojës. Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar me mjet të fortë mprehtës dhe hyjnë në kategorinë e atyre që kanë shkaktuar humbje të aftësisë së përkohshme mbi 9 ditë. Ky ekspertim thotë dëmtime në kapakët e syrit, dhe jo në sy. Në fund e ka konsideruar si plagosje e lehtë!

Familjarët kanë këmbëngulur për një tjetër ekspertim mjeko-ligjor.

Në datën 6 prill 2023 mjekoligjorët kanë përcaktuar se “tek Bergi Çeçaj është konstatuar konfuzion i bebes së syrit të djathtë, dëmtime të brendshme të syrit dhe humbje e shikimit qendror të tij. Dëmtimet hyjnë në kategorinë e atyre të rëndave, pasi kanë shkaktuar humbje të shikimit të syrit të djathtë, humbje e aftësisë së përhershme apo zvogëlim të aktivitetit jetësore në masën 1/3 – ën”.

Kësaj herë, kanë faktuar dëmtimet reale, duke i konsideruar dëmtimet si plagosje e rëndë!

“E çova te kirurgjia plastike dhe më thanë nuk bëhet. Ai ka bërë operacion në një spital privat, kemi shkëputje të retinës. Pas operacionit djali akoma e kësaj dite nuk shikon. Do të bëj një operacion tjetër”, thotë Tefta.

Fiksi kontaktoi edhe me Bergin. Fillimisht, i dëmtuari tregoi ngjarjen e datës 8 nëntor 2022. Sipas tij, goditja nga autori ka qenë e papritur.

“Unë isha me shokët duke luajtur me letra. Ikën të gjithë, një person që quhet Nikoll Andoni, filloi duke folur. I thashë ik se ti s’di të luash vetë. Pas kësaj ngrihet dhe më godet me shishe birre. Më pas ulet në të njëjtën tavolinë sikur mos të kishte ndodhur gjë fare. Ai nuk denjon as për të kërkuar falje. Të paktën të kërkojë të falur. Mirë që këtë s’e ka bërë, mirë që doli brenda nëntorit u lirua, dhe tani del e pi kafe para lagjes sime ku atje kalon babai, nëna dhe unë”, pohon 33 vjeçari.

Pasojat e ngjarjes së 8 nëntorit vijojnë edhe sot e kësaj dite. Ai ka bërë disa operacione, ndërsa do t’i nënshtrohet sërish një ndërhyrje në muajin janar të vitit 2024.

“Kam bërë 1 faciale, 2 për syrin dhe kam për të bërë një tjetër në janar. Syri është bërë nga e para, u shpërbë. Autori u lirua nga një vendim gjykate, dënim apo hetim në gjendje të lirë. Si mund të lirohet se ai është i rrezikshëm për plagosje e rëndë me dashje. Me një gjakftohtësi të madhe”, përfundon Bergi.

Por, ndryshe nga viktima e kësaj ngjarje që thotë se autori është i rrezikshëm, prokuroria dhe gjykata kanë qenë dashamirëse me autorin. Neni 88 i Kodit Penal, plagosje e rëndë me dashje, parashikon se; “plagosja e kryer me dashje, që ka sjellë si pasojë gjymtimin, shëmtimin ose çdo dëmtim tjetër të përhershëm të shëndetit, dënohet me burgim nga 3 gjer në 10 vjet”. Gjykata e dënoi me 3 vite burg, minimumin që parashikohej në Kodin Penal. Madje, edhe me gjykim të shkurtuar. Sikur mos të mjaftonte kjo, gjykata nuk nxori një urdhër ekzekutimi për të arrestuar autorin dhe të kryente 2 vite burg, por e la të lirë deri në gjyqin në Apel, i cili mund të zgjasë me muaj me radhë.

“Unë punoj 2 punë, jam mësuese dhe në dhjetor dal në pension. Burri pensionist, djali pa punë. 2 ditë para ngjarjes do të ikte në një kroçerë në Amerikë, iu hoq kjo mundësi. Unë kërkoj drejtësi, në mos gjykata pastaj nuk e di si mund të veprohet”, përfundon Tefta./ tch

Lajmet e fundit nga