web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Spaho: Mendja politike e protestës, ish-zyrtarët e PS-së që kanë humbur pushtetin

20 Korrik 2026, 11:31, Aktualitet CNA

Spaho: Mendja politike e protestës, ish-zyrtarët e PS-së që

Ish-deputeti Edmond Spaho në një postim në rrjetet e tij sociale, shprehet se “mendja politike” e protestës që zhvillohet prej 51 ditësh në Tiranë, janë ish-zyrtarët socialistë që, sipas tij, kanë humbur pushtetin.

Spaho shprehet se ky grup nuk e largon dot kryeministrin Edi Rama nga detyra edhe sikur të protestojë pafundësisht. Ndërsa ka sjellë shembullin e kryeministrit të ri britanik, Andy Burnham, ish-deputeti shton se këta persona betejën e kanë në partinë e tyre.

Ndër të tjera thotë se këta ish-zyrtarë në pamundësi të realizimit të revolucionit brenda PS-së, kanë zgjedhur të dalin në rrugë me mbështetjen e atyre që, sipas tij, “fërkojnë barkun sa herë që në Shqipëri ka trazira politike, si dhe të partive hiena të politikës shqiptare, të cilat vrapojnë për kockën e radhës”.

Postimi i plotë:

Andi Burnham, pasi fitoi betejën brenda Partisë Laburiste, krejt natyrshëm i drejtohet postit të Kryeministrit të Britanisë së Madhe, duke rrëzuar nga ky post Keir Starmer.

Në protestat e flamingove në Tiranë duket qartë që një nga motivuesit, financuesit dhe organizatorët kryesorë është grupi i ish-zyrtarëve socialistë që kanë humbur pushtetin. Ata janë, në të vërtetë, edhe mendja politike e protestës.

Në protestën që ka mbushur tashmë 50 ditë nga fillimi, ata kanë mbështetjen e fuqishme të së majtës, liberalëve europianë dhe lëvizjes Soros, me të cilat kanë pasur dhe kanë lidhje të ngushta, të intensifikuara sidomos pas flirteve të Ramës me armikun e tyre kryesor, Donald Trump.

Ky grup jo i vogël dhe madje i fuqishëm në Shqipëri, me lidhje të konsiderueshme me biznesin e madh të Tiranës, ka dalë në rrugë në të ashtuquajturin "revolucion" për Shqipërinë e Re dhe kërkon dorëheqjen e Ramës.

Në të vërtetë, ky grup betejën nuk e ka në rrugë. Ramën nuk e largon dot nëpërmjet rrugës, sikur pafundësisht të vazhdojnë të protestojnë.

Betejën ata e kanë në Partinë Socialiste, ashtu sikur Andi Burnham e zhvilloi brenda Partisë Laburiste dhe fitoi.

Nëse ky grup ka këllqe, duhet të gjejë mundësitë dhe rrugët për t'i hequr Ramës mbështetjen brenda PS.

Të pazotë të realizojnë revolucionin brenda PS, ata kanë gjetur rrugën më të lehtë, por të pamundshme për të fituar. Kanë dalë në rrugë me mbështetjen e mësipërme ndërkombëtare, si dhe me ndërhyrjet në punët e brendshme të Shqipërisë të vullnetarëve të Prishtinës, xhamillarëve të Tetovës, disa vendeve që fërkojnë barkun sa herë që në Shqipëri ka trazira politike, si dhe të partive hiena të politikës shqiptare, të cilat vrapojnë për kockën e radhës.

Në të vërtetë, ky grup jo vetëm nuk e heq dot Ramën me revolucionin e rrugës, por po ia forcon atij pozitën brenda PS dhe në mjedisin politik të vendit, pasi protesta tashmë është shndërruar në karikaturë.

Dëmin e vërtetë ata po ia bëjnë Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, të cilëve po u thithin energji që mund të përdorej për të përshpejtuar sa më shumë rrugën europiane të vendit. /CNA





Lajmet e fundit nga