web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Qëndrimet kontradiktore të Berishës për Altin Dumanin/ Në 2017-ën e cilësonte luftëtar të korrupsionit, sot armik

20 Maj 2024, 21:08, Aktualitet CNA

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar vazhdimisht kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, prokurori që me ardhjen në detyrë, vendosi një standard të ri në organin më të rëndësishëm të akuzës në vend, i cili është duke goditur grupe kriminale dhe duke hetuar zyrtarë të lartë të shtetit për korrupsion.

Doktori ka halle politike, por duket se me Dumanin nuk e zgjidh dot, por e sulmon me qëllim që të godasë Reformën në Drejtësi dhe rezultatet e luftës së SPAK-ut kundër korrupsionit dhe krimit. E gjitha kjo vetëm për politikë, pasi doktori ka një tjetër mendim dhe vlerësim për kreun e SPAK-ut, Altin Dumani.

Qëndrimet kontradiktore të Berishës për Altin Dumanin/
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani

Berisha në emisionin “360 Gradë” të gazetarit Artur Zheji ka folur me vlerësime maksimale dhe superlativa ndaj Altin Dumanit. Në dhjetor të vitit 2017, Berisha e konsideronte Dumanin, si luftëtar të korrupsionit, të pavarur dhe që me rezultatet e tij e bëri Shqipërinë, shembull botëror.

“Kush e hoqi prokurorin që po luftonte korrupsionin? Kush e hoqi? Me të cilin Shqipëria..., për atë luftë që i bëri korrupsionit, Shqipëria u bë shembull botëror dhe janë dokumentet për kapitullin që shënoi. I bënë presion të jashtëzakonshëm Edi Rama dhe kundërshtarët e Sali Berishës. Ai nuk i rezistoi dot dhe tha, unë largohem. Ishte prokurori i Task-Forcës, kryeprokurori i Task-Focës, Dumani”, deklaronte asokohe Berisha.

Ish-kryeministri është njeriu që e ka propozuar Altin Dumanin në krye të Task Forcës që u ngrit në vitin 2008, ku ishin përfshirë Ministria e Financave, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria. Ishte koha e përplasjes së ashpër të Berishës me ish-kreun e prokurorisë Theodhori Sollaku, që më pas u zëvendësua nga Ina Rama, e cila në fillim ishte Silvia Konti e më pas u bë “lavire bulevardi”.

Në atë kohë me mbështetjen e ambasadës së SHBA-së, u ngrit Task Forca ku emrin e drejtuesit të kësaj strukture e ka propozuar vetë.

Sali Berisha, i cili nuk ka bërë vlerësime vetëm në atë kohë, por edhe më vonë kur doli në opozitë ai kishte notat më të larta për Altin Dumanin.

Duke folur për Artur Zhejin Berisha thotë se “Edi Rama dhe kundërshtarët e Sali Berishës i bënë presion të jashtëzakonshëm. Ai nuk i rezistoi dot dhe tha, unë largohem”.

Edi Rama i bëri presion dje Altin Dumanit, po Berisha sot mos po bënë të njëjtën gjë siç ka bërë Rama dje?!

Dumani dje dhe sot, vijon luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa Berisha dje dhe sot, i drejtohet ndryshe këtij prokurori, dhe kjo duket në videon e mëposhtme.

“Altin Dumani, kreu i organizatës kriminale që quhet SKAP, do hyjë në Guinness si sharlatani më i madh në luftën kundër krimit”, ka deklaruar Berisha më 18 maj, në një nga fjalimet e tij të përnatshme, në protestën poshtë shtëpisë së tij.

Por në sulmet ndaj Dumanit nga ballkoni i banesës, Berisha “harron me qëllim”, që në vitin 2008 e vendosi në krye të Task Forcës dhe me “bekimin” e amerikanëve, drejtoi strukturën që doktori e quan me nam botëror për nga suksesi. Dhe sot i njëti Altin Dumani, vijon misionin po me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara kundër krimit dhe të korrupsionit në vend. Asgjë nuk ka ndryshuar tek Altin Dumani, vetëm se te doktori ka ndryshuar marrëdhënia me SHBA-në, asgjë më shumë se kaq./ CNA







Lajmet e fundit nga