LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pro dhe kundër inteligjencës artificiale/ Ish ministri grek: Kush e ka në pronësi këtë “bombë atomike”?

2 Mars 2024, 18:47, Aktualitet CNA

Pro dhe kundër inteligjencës artificiale/ Ish ministri grek: Kush e ka

Ish-ministri grek, Yanis Varoufakis ka dhënë argumentet e tij pro dhe kundër inteligjencës artificiale.

I ftuar në podcastin "Public Square" të Ditmir Bushati ai ka theksuar se Inteligjenca Artificiale është fantastike por problemi qëndron se kush e ka në pronësi dhe për çfarë përdoret.

Ai thekson se nëse e përdorin për të zbuluar më shumë rreth kancerit se si të mbijetojnë njerëzit ndaj kësaj sëmundje kjo është diçka fantastike por e kundërta është nëse e përdorin për të krijuar një bombë atomike për të sulmuar.

Ditmir Bushati: Yanis, babai ju ka treguar se çdo gjë që ka rëndësi në jetë është e mbarsur me të kundërtën. Do të doja mendimin tënd në lidhje me inteligjencën artificiale vështruar në këtë drejtim? Pra, nga këndvështrimi i babait tuaj, si do ta shikonit inteligjencën artificiale sot përsa i takon krijimit të pasurisë, përsa i takon inovacionit?

Yanis Varoufakis: Inteligjenca Artificiale është një tjetër triumf i shpirtit njerëzor. Në të njëjtën mënyrë si mijëra vjet më parë mësuam të prodhonim çelikun nga hekuri, arritëm të zbusim kafshët madje edhe më përpara në kohë apo të kultivonim të mbjellat. Këto të gjitha janë akte heroike teknologjike, triumfe teknologjike të mendjes njerëzore, por si çdo triumf teknologjik, në vend që të na çlirojë, në vend që ta kthejë teknologjinë në shërbëtorin tonë, bëhemi ne shërbëtorë të teknologjisë. Dhe kjo është kthesa dialektike.

E njëjta gjë vlen edhe për inteligjencën artificiale. Është e mrekullueshme. Në fakt, e dua shumë inteligjencën artificiale, kur luaj me përkthimin e aplikacioneve të saj apo GPT4. Jam vërtet i entuziazmuar që jam duke jetuar kohën e inteligjencës artificiale, kur dëgjova se inteligjenca artificiale ka ndihmuar shkencëtarët në kompanitë farmaceutike dhe në laboratorët universitarë të krijojnë antibiotikë që vrasin super-bakteret që nuk i vret dot asnjë antibiotik i krijuar nga njeriu dhe të shpëtojë jetë njerëzore.

Jam shumë përkrah saj. Por si gjithmonë kur është fjala për teknologjinë, çështja është se kush e ka në pronësi atë, sepse, e dini, është si një bombë atomike apo teknologji atomike. Kush e ka në pronësi teknologjinë atomike dhe për çfarë po e përdorin? Nëse po e përdorin për të krijuar radio-izotope për shërimin e kancerit për të siguruar që shumica e njerëzve t’i mbijetojnë kancerit, kjo është një gjë fantastike, por nëse e përdorin për të ndërtuar një bombë atomike për të na hedhur në erë, kjo nuk është gjë e mirë. Pra, më shqetësojnë të drejtat e pronësisë. Kush e ka në pronësi këtë dreq gjëje? Rreziku i madh i inteligjencës artificiale sot është se duhet kapitali virtual, sepse ne e kemi pasur inteligjencën artificiale, nuk është e re, si për shembull Google, Zoom, nëpërmjet të cilës po flasim sot, të gjitha drejtohen nga inteligjenca artificiale. Po të shohësh në fund të ekranit tonë ka një aplikacion të inteligjencës artificiale që mund të përdoret për të bërë përmbledhjen e asaj çka po bisedojmë ne të dy. Pra, e kemi pasur këtu, nuk është se na ndodhi tani.

Ajo që është e qartë se në kuadër të të drejtave aktuale pronësore për strukturën dhe shpërndarjen e këtyre makinave apo teknologjive do të kemi një varfëri shumë, shumë më të thellë për shumicën, një pabarazi edhe më të madhe. Do të jetë teknologjia e parë që do të shkatërrojë më shumë vende pune sesa do të krijojë, sepse tani po sulmon jo vetëm punën e punëtorëve por edhe punën e intelektualëve. Juristët do ta humbasin punën, dhe aktualisht po e humbasin. Doktorët do ta humbasin punën. Sigurisht do të kemi vende të reja pune, por vendet e punës që do të eliminohen do të jenë më të shumta sesa vendet e punës që do të krijohen, dhe kjo për herë të parë në historinë e ndryshimeve teknologjike. Dhe pjesa më e keqe e gjithë kësaj është se bashkëbisedimi ynë do të helmohet tërësisht kur algoritmet e inteligjencës artificiale do të jenë në pronësi të njerëzve me interesa për t’i helmuar ato.

Siç e dini, i kemi tashmë imazhet e rreme “Deepfake”, nuk do jemi në gjendje të mbështetemi, nuk do të jemi në gjendje të dimë se çfarë të besojmë dhe çfarë të mos besojmë. Pra, për shembull, një kopje e jotja do të shfaqet duke folur për një çështje që ti e përçmon dhe do të jetë shumë e vështirë për audiencën tënde të dijë nëse je vërtet ti apo një imazh i rremë i yti. Dhe kur teknologjia t’u përkasë njerëzve me interesin për të helmuar bashkëbisedimin, sepse kanë një interes në pengimin e politikave progresive që kundërshtojnë të drejtat e tyre pronësore për kapitalin virtual, atëherë, dua të them se programi apo podcasti yt quhet “Public Square”, por s’do të ketë më “Public Square”./ CNA

Lajmet e fundit nga