web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“'Kali i Trojës' i Ballkanit”/ Arte Europe: Shqipëria, a po flirton BE me një narkoshtet?

14 Nëntor 2025, 12:09, Aktualitet CNA

“'Kali i Trojës' i Ballkanit”/ Arte Europe:

Një dokumentar investigativ për plot 14 minuta i ARTE Europe, një kanal publik televiziv europian gjermano-francez, ngre alarmin mbi lidhjet mes krimit të organizuar shqiptar dhe institucioneve shtetërore, duke vënë në pikëpyetje qasjen e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë dhe procesin e saj të anëtarësimit.

Sipas ARTE-s dhe burimeve si Europol, mafia shqiptare është bërë një nga pesë rrjetet më të rrezikshme të trafikut të kokainës në Europë, duke kontrolluar linja nga Amerika Latine deri në portet kryesore të BE-së. Grupet shqiptare veprojnë në Belgjikë, Holandë, Itali, Spanjë, Francë, Gjermani e Britani të Madhe dhe janë bërë aktorë kyç në tregun e kokainës në kontinent. Në dokumentar theksohet se infiltrimi i bandave arrin deri në zemër të shtetit shqiptar, në qeveri, pushtet lokal, sistem gjyqësor.

Dokumentari citon investigimet e gazetarit zviceran Antoine Harari, për rrjetet kriminale shqiptare.

“'Kali i Trojës' i Ballkanit”/ Arte Europe:

“Mafia shqiptare ka mundur të marrë nën kontroll rrugët e furnizimit me drogë, në veçanti të kokainës, pasi aty janë përfitimet më të mëdha. Po ashtu ka krijuar lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e Kolumbisë dhe Meksikës, duke përjashtuar tërësisht grupet e tjera mafioze europiane", tha ndër të tjera gazetari zviceran Antoine Harari për ARTE.

Në qendër të kritikave vendoset kryeministri Edi Rama, i akuzuar se mbyll sytë ndaj aktiviteteve të klaneve kriminale. Po ashtu përmendet se zyrtarë të lartë ndodhen pas hekurave, si rasti i Erion Veliajt, kryebashkiaku i Tiranës i arrestuar për pastrim parash.

Mandati i tij ngre dyshime; opozita dhe disa vëzhgues ndërkombëtarë vënë në pikëpyetje transparencën e zgjedhjeve. Dhe më shqetësuese akoma: Rama dyshohet se të paktën mbyll sytë ndaj aktivitetit kriminal të klaneve. Rreth tij skandalet janë shtuar: vëllai i tij është implikuar në një çështje narkotrafiku, kryetari i Bashkisë Tiranë i arrestuar për pastrim parash, dhe disa njerëz të afërt të tij lidhen me vetë kartelin Sinaloa”, thuhet në dokumentar.

Andreas Schieder, autor i raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, në një intervistë për ARTE vlerëson punën e SPAK-ut, ndërsa thekson se disa ministra nga mandati i Edi Ramës përballen me akuza dhe janë në paraburgim.

“'Kali i Trojës' i Ballkanit”/ Arte Europe:

Me SPAK-un, Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Shqipëria ka emëruar një prokuror të posaçëm për një mandat nëntëvjeçar, i cili punon në mënyrë strikte të pavarur. Në shumë raste, ky prokuror ka kërkuar hetime, arrestime dhe, në disa raste, edhe procedura gjyqësore. Disa ministra nga mandati i Edi Ramës përballen me akuza dhe janë në paraburgim. Kjo sugjeron fuqimisht se autoritetet po ndjekin një qëndrim të ashpër dhe po kryejnë hetime pavarësisht nga posti politik dhe lidhjet politike, edhe nëse janë në sferën politike", thotë Schieder.

Sa i takon vetingut në drejtësi ai shton: “Kjo do të thotë që të gjithë zyrtarët gjyqësorë, gjyqtarët, prokurorët publikë dhe të ngjashëm, kaluan nëpër një proces verifikimi. Çfarë do të thotë kjo? Ata u shqyrtuan për çdo aktivitet të dyshimtë, raste në vazhdim ose përfshirje në korrupsion. Dhe besoj se mbi 800 prej tyre u përjashtuan si pjesë e këtij procesi".

Në dokumentar theksohet se në 4 tetor 2020, kryeministrin Edi Rama e vizitoi një biznesmen i njohur shqiptar, Luftar Hysa, manjat i lojërave të fatit, i akuzuar për pastrim parash dhe me lidhje të dyshuara me kartelin Sinaloa. Nuk dihet saktësisht se për çfarë folën, por vetëm dy muaj më vonë, Hysa mori dritën jeshile për të hapur dy kazino të reja, një në Tiranë dhe një në Vlorë, e konsideruar kryeqyteti tjetër i pastrimit të parave. Në fillim, Rama e mohoi se e njeh, por më vonë pranoi se takimi është zhvilluar.

Ai shpesh e rrethon veten me njerëz, të cilët më pas kanë përfunduar të dënuar për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar. Krimi i organizuar është infiltruar në qeveri dhe në sferën politike. Nuk po them unë këtë, por Prokurori i Mbretit në Belgjikë, Julien Moini, dhe ish-magjistratët që kanë hetuar, si dhe oficerët e policisë që na kanë thënë se kokaina është 'Plani Marshall' i Shqipërisë. Është si një pakt që ka bërë Edi Rama me djallin që i lejon atij, edhe pse ekonomia e vendit të tij është në recension, që të tërheqë më shumë zhvillim dhe investime, sepse ato para po mbushin arkat e shtetit”, tha ndër të tjera gazetari zviceran Antoine Harari për ARTE.

Një tjetër incident i përmendur në dokumentar është ai i 2013. “Polici Dritan Zagani ndalon një automjet që transportonte drogë. Por ka një detaj shumë domethënës: makina i përkiste Saimir Tahirit, atëherë ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Në timon, kushëriri i tij, një trafikant droge i dënuar në Itali. Ironia e fatit: në burg nuk përfundon ministri, por polici. Vite më vonë, në 2022-shin, pas hetimeve të reja në Itali, vetë ish-ministri dënohet me 3 vite e gjysmë burg. Kryen vetëm një vit dhe lirohet me kusht. Ndërkohë, Zagani arratiset në Zvicër dhe kërkon azil. Për të, situata është pa logjikë”, thotë ARTE.

“'Kali i Trojës' i Ballkanit”/ Arte Europe:

“Dhe për të njëjtën gjë ai u dënua për shpërdorim detyre, gjykatat shqiptare më akuzuan mua për të njëjtën vepër penale dhe më dënuan me shtatë vjet burg. Është absurde. Ose unë kam gënjyer dhe ai nuk duhet të ishte dënuar ose ai është dënuar dhe unë kam thënë të vërtetën”, tha Dritan Zagani në një intervistë për ARTE.

Ndërkohë që Brukseli e vlerëson Shqipërinë si një nga vendet më të përparuara drejt anëtarësimit, kritikat shtohen se BE po mbyll sytë për arsye gjeopolitike. Pozita strategjike e Shqipërisë në Adriatik, bashkëpunimi me NATO-n, marrëveshja e strehimit të emigrantëve me Italinë dhe frika nga ndikimi rus në rajon, sipas dokumentarit, e bëjnë Tiranën një partner që Brukseli nuk dëshiron ta humbasë.

Po ashtu në dokumentar përmendet përpjekja e qeverisë për të krijuar imazh transparence, përfshirë prezantimin e “ministres së prokurimeve publike” me Inteligjencë Artificiale, Diella, që sipas ARTE është një manovër mediatike, ndërsa shtron pyetjen kush e kontrollon vërtet këtë sistem?

ARTE thekson në dokumentar: “A është Shqipëria një kandidate model për BE-në apo rrezikon të kthehet në 'kalin e Trojës' të narkotrafikantëve brenda Europës?”

Me një ekonomi të goditur, varfëri të përhapur, të rinj të papunë dhe fonde të mëdha që rrotullohen në kanale të dyshimta, dokumentari vë në dyshim nëse miliardat e BE-së që do të vijnë pas anëtarësimit do të shkojnë në zhvillim apo në duart e mafies.

Dokumentari mbyllet me paralajmërimin se nëse Shqipëria hyn në BE pa garantuar luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rreziku nuk i përket vetëm Tiranës, por të gjithë Europës.

Andreas Schieder, autor i raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, në intervistën e dhënë për ARTE, ka vlerësuar punën e SPAK-ut dhe nga ana tjetër thekson se disa ministra përballen me akuza dhe janë në paraburgim./ CNA





Lajmet e fundit nga