web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Inceneratori i Tiranës, Veliaj e Mërtiri përballë fakteve

20 Dhjetor 2023, 22:07, Aktualitet CNA

Inceneratori i Tiranës, Veliaj e Mërtiri përballë fakteve

Pas prerjes së fletëarresteve nga SPAK për inceneratorin e Tiranës, denoncimeve të pafundme të opozitës për këtë aferë dhe dokumenteve të publikuara në emisionin ‘Plug’, reaguan dy të ‘pandehurit’, Erion Veliaj dhe Mirel Mërtiri.

I pari, Erion Veliaj, që deri më tani është i pandehur publik, foli në Abc News, duke u shfajësua për aferën e inceneratorit, ndërsa i dyti, Mirel Mërtiri, i akuzuar nga SPAK për të tre inceneratorët, foli në ‘Çim Peka LIVE’, ku mes kakofonisë tha dhe shumë të pavërteta për aferën, ndonëse ngriti jo pak pikëpyetje për rolin e tij dhe hetimet e SPAK në këtë çështje.

Por le ti marrim dhe analizojmë deklaratat e të dyve me radhë. Fillimisht, po e nisim me një deklaratë të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cila i përket 8 shtatorit të vitit 2017.

Deklarata e 28 shtatorit 2017, është e qartë për publikun, vetë  Erion Veliaj shprehet  se ka qenë ai që ka kërkuar inceneratorin, madje, jo vetëm për bashkinë e Tiranës, por për të gjitha bashkitë e qarkut. Kjo deklaratë në fakt, është konfirmim i shkresës të firmosur po në vitin 2017, ku Erion Veliaj pranonte studimin e fizibilitetit për inceneratorin e Tiranës.

Në deklaratën e dytë për inceneratorët, kjo e muajit dhjetor të vitit 2023, pak ditë pas urdhëarresteve të SPAK, që vuri në pranga një dy drejtues të Bashkisë së Tiranës për aferën e inceneratorit, tregon se Erion Veliaj kërkon t`ia lërë përgjegjësinë e aferës dikujt tjetër… por a mund të ndodh që Erion Veliaj të shmang përgjegjësinë për aferën e inceneratorit të Tiranës???

Në emisionin e javës së kaluar, ‘Plug’, tregoi me dokumente implikimin e Erion Veliajt në aferën e inceneratorit. Në emision u publikuan letërkëmbimet e Erion Veliajt me dy ish-ministra financash, Arben Ahmetaj dhe Shkëlqim Cani, të cilët i refuzuan kryebashkiakut të Tiranës mbështetjen financiare për inceneratorin e Tiranës. Këto letërkëmbime u fshehën çuditërisht nga dosja hetimore e SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës, ndonëse më herët, këto letërkëmbime ishin zbardhur dhe publikuar në dosjen hetimore të SPAK për ish-ministrin e financave Arben Ahmetaj.

Treguam sesi ERion Veliaj këmbëngulte për ndërtimin e inceneratorit, duke publikuar dy dokumente të rëndësishme, atë të 27 marsit 2017, ku kryebashkiaku firmosi duke pranuar studimin e fizibilitetit, i cili siç rezultoi më vonë ka qenë me kosto të falsfikuara, e gjithashtu në vijim të këtij dokumenti, Erion Veliaj firmosi po në vitin 2017, anekskontratën, duke marrë përgjegjësitë financiare për inceneratorin e Tiranës mbi një studim fizibiliteti të falsifikuar.

Dy dokumente të tjera që ‘Plug’ bëri publike në emisionin e javës së kaluar dhe që implikojnë Erion Veliajn në vijim në aferën e inceneratorit të Tiranës, janë dy shkresa, një nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku që ngre alarmin se bashkia e Tiranës po refuzon të dërgojë dy anëtarët e saj në mbledhjet e Njësisë së Zbatimit të Projektit, duke cënuar interest e shtetit. Dhe gjithashtu, shkresa e Administratorit Shtetëror të Pasurive të Sekuestruara, Arian Baçi, i cili ngre të njëjtin alarma si Belinda Balluku, Bashkia e Tiranës nuk po respekton detyrimet ligjore për mbledhjet e Njësisë së Zbatimit të projekteve për inceneratorin e Tiranës.

Pas emisionit ‘Plug’, denoncimeve të kreut të PD Sali BErisha dhe anëtarit të kryesisë Belind Këlliçi dhe arrestimeve të SPAK,  Erion Veliaj u shfaq të enjten e 14 dhjetorit në ekran, për të folur për inceneratorët. Në deklaratat e tij, Erion Veliaj jo vetëm që tentoi t`I shmangej përgjegjësive, por, indirket përgjegjës për aferën bëri qeverinë qëndrore. Por le t`I marrim me radhë deklaratat e Erion Veliajt, duke risjellë dhe njëherë faktet.

Këtu, Erion Veliaj, thuajse njësoj si SPAK, nuk u përgjigj nëse ishte ai nismëtar i aferës së inceneratorëve, duke mos përmendur në asnjë rast letërkëmbimet me ministrin Shkëlqim Canid he Arben Ahmetaj. Por në kërkesat që Erion Veliaj i dërgonte Shkëlqim Canit dhe Arben Ahmetajt në vitin 2016 është e qartë se ai ishte kërkues i këtij projekti, konfirmuar kjo edhe më vonë nga shkresat që Lefter Koka i dërgonte anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar, ku u shkruante se Bashkia  e Tiranës ishte shumë e interesuar për këtë projekt.

Kryebashkiak i Tiranës, në intervistën dhënë për gazetarin Sokol Balla, u ndal te dokumenti i 27 marsit 2017, ku sipas tij, me nënshkrimin e dhënies së pëlqimit studimin e fizibilitetit, nuk kishte marrë atributet për bashkitë e tjera të qarkut të Tiranës, por vetëm për institucionin që ai drejtonte. Në fakt, kjo deklaratë, rrëzohet nga deklarata që transmetuam në nisje të emisionit, ku në mbledhjen e këshillit bashkiak të 28 shtatorit 2017, Erion Veliaj tregonte se ishte ai që kishte kërkuar inceneratorin jo vetëm për bashkinë e Tiranës, por për të gjithë qarkun, duke përfshirë faktin se bashkitë nuk do të paguanin më shumë seç paguanin deri në atë moment për depozitimin e mbetjeve në landfille.

Ky pretendim i Erion Veliajt, bie posht në fakt, nga një dokument zyrtar i një institucioni kushtetues siç është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në vitin 2019, KLSH kreu një auditim në Ministrinë e Financave, posaçërisht për koncensionet dhe partneritetet publike-private. Një ndër koncensionet e audituara, ishte pikërisht ndërtimi i landfillit dhe inceneratorit të Sharrës në Tiranë, fituar nga kompania Integrated Energy BV. SPV. Një nga gjetjet kryesore të KLSH, është pikërisht fakti se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori angazhim financiar duke dhënë pëlqimin për studimin e fizibilitetit, pa marrë miratimin e këshillit bashkiak. Ja çfarë shkruan KLSH në raportin e vitit 2019, i konsideruar në atë kohë si konfidencial.

 

Nga auditimi konstatohet se MFE, për pjesën e projektit të financuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, është shprehur pa koment, duke mos e kundërshtuar projektin, bazuar vetëm në ‘dakortësinë në parim mbi studimin e fizibilitetit’ të kryetarit të Bashkisë Tiranë. Angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi është dhënë nga autoriteti i kryetarit të Bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill.

Siç shkruhet qartë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Erion Veliaj nuk mund të jepte dakordësinë për këtë projekt pa marrë vendimin e Këshillit Bashkiak, për shkak se ky projekt parashikonte në studimin e fizibilitetit angazhimin e fondeve buxhetore të bashkisë, të cilat sipas ligjit miratohen në Këshillin Bashkiak. Megjithatë, Erion Veliaj ka mbajtur qëndrim mohues për këtë përcaktim. Mirëpo, njësoj si opozita prej tre vjetësh akuzon drejtpërdrejtë Erion Veliajn se ka tejkaluar komeptencat e tij si kryetar bashkie, duke marrë atributet e Këshillit të Qarkut në lidhje me dhënien e dakordësisë për ndërtimin e inceneratorit, këtë problem e ka ngritur edhe auditi i Kontrollit të Lartë të shtetit në vitin 2019. Sipas auditit, Autoriteti Kontraktor u mjaftua vetëm me dakordësinë e bashkisë së Tiranës, e cila në fakt, kishte dalë garante publikisht për mbarëvajtjen e këtij projekti.

Qarku Tiranë përfshin katër njësi të qeverisjes vendore që nuk janë shprehur në lidhje me dakortësinë me këtë projekt dhe jo vetëm Bashkinë e Tiranës. Për rrjedhojë, miratimi i këtij projekti është dhënë pa marrë konfirmimin nga strukturat e përfshira në projekt dhe organet përkatëse vendimmarrëse për qëllime të buxhetimit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ‘është shprehur pa komente’ për projektin koncesionar/PPP dhe nuk e ka kundërshtuar projektin megjithëse nuk ka pasur konfirmim nga ana e njësive të tjera të vetëqeverisjes vendore të prekura nga ky projekt në lidhje me garantimin e sasisë minale të mbetjeve të trajtuara që do të trajtohen nga projekti. Studimi i fizibilitetit i ka ndërtuar të gjitha supozimet në lidhje me sasinë e mbetjeve të trajtuara nga Qarku Tiranë ndërkohë që miratimi është marrë vetëm për Bashkinë Tiranë, me dakorësinë në parim nga kryetari i Bashkisë Tiranë. Për rrjedhojë, pagesat e nevojshme për realizimin e shërbimit janë ekspozuar përballë riskut të kërkesës, duke krijuar mundësinë e pagesave për pjesën e kompensimit të sasisë minimale të garantuar në rast se ajo nuk arrihet sipas parashikimeve.

Një nga aspektet problematike të projektit janë kostot. Tarifa 29 euro për ton, që sot paguajnë bashkitë e qarkut Tiranë, bashkia Durrës dhe Shijak, është shumë herë me lartë sesa duhet të ishte konkretisht. Që në vitin 2019, në auditin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, është zbardhur se kosto 29 euro për ton është abusive, duke u përkthyer në fakt në fitime marramendëse për kompaninë konçensionare. Sipas përllogaritjeve të kryera nga studimi i fizibilitetit të kompanisë, fitimi i saj për ton llogaritet në 2.9 euro, por sipas KLSH-s, përfitimi real i kompanisëështë në shumën e 14.46 euro për ton.

 

Nxjerrja e tarifës për njësi të shërbimit mbi bazën e këtyre supozimeve të munguara vendos në dyshim nevojën reale për mbështetjen e projektit në atë vlerë të projektuar nga njësitë e vetqeverisjes vendore. Përtej problemeve metodologjike me impakt direkt në tarifën e ofrimit të shërbimit, pasaktësi konstatohen edhe në llogaritjen e kostos për njësi dhe përfitimit për njësi të shoqërisë. Këto vlera janë transformuar dhe nuk i përgjigjen llogaritjeve matematikore, ku përfitimi i shoqërisë nga projekti llogaritet në masën 2.9 euro/njësi, ndërkohë që realisht ai rezulton në shumën 14.46 euro/njësi.

Ky konstatim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i denoncuar vazhdimisht dhe nga opozita, ka gjetur vend edhe në dosjen hetimore të SPAK. Në vendimin e fundit të SPAK për masat e arrestit ndaj personave të përfshirë në këtë aferë, prokurori Dritan Prençi ka arritur të tregojë se studimi i fizibilitetit është fryrë me së paku 25.7 milionë euro në kostot e ndërtimit, të cilat janë reflektuar direkt në tarifën 29.05 euro për ton, që sot paguajnë bashkitë e qarkut Tiranë. Në fakt, SPAK i referohet gjetjeve të KLSH, ku janë analizuar të dhënat e kostove nga studimi i fizibilitetit, ku investimi total paraqitej me kostot 128 milionë euro dhe të dhënat e planit të biznesit, ku kostot e ndërtimit janë përcaktuar në vlerën e 102 milionë eurove. Ja çfrë thuhet në dosjen hetimore të SPAK për kostot:

Në rrethanat e mësipërme rezulton se kostot e ndërtimit të vendosura në studimin e fizibilitetit 128,248,330 euro janë fryrë në vlerën 25.783.080 euro.

Rritja fiktive e kostove të investimit, ka sjellë për pasojë  ndikim direkt në përcaktimin e tarifës 29 euro për ton, që bashkitë paguajnë për dërgimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Kjo tarifë, tashmëështë vërtetuar qëështë abusive, ku nga viti 2019 e deri më sot, koncensionari i landfillit të Sharrës ka arkëtuar rreth 130 milionë euro, gjysma e këtyre të ardhurave, janë pagesa të bashkive dhe buxhetit të shtetit. Thënë ndryshe, bashkitë e qarkut të Tiranës dhe Durrësit, si dhe vetë buxheti i shtetit duke subvencionuar bashkitë për dërgimin e mbejteve në incinerator, paguajnë së paku 14 euro më shumë se çdo të duhet të paguanin në kushtet aktuale kur nuk marrin shërbimin e incenerimit të mbetjeve. Në gjashtë vjet, buxheti i bashkisë së Tiranës, si pala më e madhe përfituese nga ky projekt, ka pësuar një dëm financiar në dhjetëra milionë euro, ndërsa dëmi financiar është po aq i madh edhe për dhjetëra apo qindra kompani private, që janë detyruar të depozitojnë dherat në këtë landfill, por për këtë çështje do të ndalemi në vijim.

Në kushtet kur dy institucione, KLSH që në vitin 2019 dhe sot SPAK, kanë faktuar kostot e fryra që kanë sjellë për pasojë dëme financiare në buxhetin e shtetit dhe të bashkive, kontrata konçensionare do të duhej të ishte anuluar. Ashtu si në rastin e Sterilizimit, edhe për inceneratorët do të duhet të merrte një vendim SPAK për anulimin e kësaj kontrate, por kjo gjë nuk ka ndodhur..

Për ekspertin e financave Zef Preçi, në kushtet e abuzimeve të tilla, kjo kontatë duhet të jetë subjekt i gjykimit në gjykatën administrative.

Deri këtu, duket qartë se Erion Veliaj është në të njëjtën përgjegjësi si Lefter Koka dhe Alqi Bllako, pasi kanë pranuar një projekt me kosto të fryra financiare, me pasoja të rënda për qytetarët. Madje, në këtë rast, përgjegjësia kryesore për të analizuar me detaje kostot financiare duhet të ishte e bashkisë së Tiranës, e cila rezulton se është e vetmja bashki që ka dhënë dakordësinë për studimin e fizibilitetit të projektit, por kjo analizë duket se nuk është bërë kurrë duke i hapur rrugë një projekti abuziv.

Ndërsa Veliaj kërkon që përgjegjësinë për aferën t`Ia kaloj qeverisë qëndrore, duket se dhe Mirel Mërtiri mban të njëjtën linjë qëndrimi me Veliajn, kur në emisionin Çim Peka Live, akuzoi po qeverinë për dështimin e funksionimit të inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit.

Madje, ndryshe nga Erion Veliaj, që pranoi indirect dështimin e inceneratorit të Tiranës, Mirel Mërtiri guxoi të gënjente publikisht se në Sharrë ishte kryer investimi i parashikuar në kontratë.

Deklarata e Mirel Mërtirit është lehtësisht e faktueshme si gënjeshtër, për faktin e vetëm se në Sharrë ende nuk është ndërtuar inceneratori, dhe ndoshta për shumë vite ai nuk do të ndërtohet kurrë. Por, veç pamjeve, le të shohim kontratën se çfarë përcakton ajo për ndërtimin e inceneratorit në Sharrë:

Ndërtimi i ‘Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe reabilitimi i venddepoizitimeve ekzistuese Tiranë’ dhe të gjitha instalimet e tij do të kryhen në 72 muaj. 7 fazat e ndërtimit dhe operimit mund të përmblidhen në 3 hapa kryesore. Hapi i parë, për 2 vjet, gjatë së cilës koncensionari do të jetë i fokusuar në mbylljen e landfillit ekzistues të Sharrës, ndërtimi i një landfilli të ri në përputhje me standardet Europiane, ndërtimi i linjës së parë të impiantit Mbetje në Energji dhe ndërtimi i impiantit të trajtimit të lëngjeve të kullimit. Ky hap i parëështë parashikuar të zgjasë 22 muaj. Hapi i dytë do të përqëndrohet në menaxhimin e kësaj zone, ndërtimi i një linje të dytë të termovaloziratorit, ndërtimin e një venddepozitimi për hedhjen e hirit dhe një venddepozitim për mbetjet inerte. Në fund të hapit të dytë, muaji 37, do të jetë operacionale instalimet kryesore të mëposhtme:

Landfilli ekzitues në sharrë përfundimisht i mbyllur

Landfilli për mbetjet e ngurta urbane operimi i qelizës së parë

Impianti i mbetjeve në energji 2 linja operacionale me kapacitet 460 tonë në ditë

Impianti i ricikilimit dhe i stabilizimit operacional

Impianti i trajtimit të lëngjeve të kullimit operacional

Landfilli për hirin dhe mbetje industrial operacional qeliza e parë

Landfilli i mbetjeve inerte operacional qeliza e parë

Pra, në ankesin e kontratës, është përcaktuar qartë, se Inceneratori do të duhet të ishte vënë në punë deri në vitin 2020. Por, kur po futemi në vitin e shtatë të kontratës, në Sharrë ka vetëm landfill. Për këtë landfill, prej gjashtë vjetësh, bashkitë e qarkut të Tiranës dhe jo vetëm, si dhe bizneset private, janë detyruar të paguajnë një tarifë prej 29 eurosh për ton për mbetjet, të cilat do të duhet të inceneroheshin.

Ndërsa Mirel Mërtiri nuk dha përgjigje për shumë pyetje, ai nuk pranoi as faktin se deri më sot, për këtë koncension janë paguar rreth 130 milionë euro, ku përfshihen pagesat e buxhetit të shtetit, bizneseve private për depozitimin e dherave apo dhe kreditë bankare.

Por, transfertat e thesarit, tregojnë se vetëm nga buxheti i shtetit, nëpërmjet bashkive, ndaj koncensionit të Sharrës janë paguar së paku 7.1 miliardë lekë, apo rreth 70 milionë euro deri më sot, ku pjesën më të madhe e zë pikërisht bashkia e Tiranës me mbi 50 milionë euro pagesa, të kryera sipas tarifës 29 euro për ton.

Teksa nuk kishte një përgjigje se ku kanë shkuar paratë, Mirel Mërtiri, bëri të paditurin edhe në një rast flagrant, të denoncuar më herët publikisht, kur në vitin 2019, inceneratori i Tiranës i bëri një dhuratë prej 1 milionë eurosh bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj, duke ndërtuar një cerdhe. Këtë fakt Mërtiri e mohoi, njësoj si në mesazhet që kishte shkëmbyer atë kohë me Klodian Zoton.

Por, në pasqyrat financiare të kompanisë integrated energy bv spv, është pasaqyruar dhurata bujare e kompanisë së plehrave ndaj Erion Veliajt, ku ky i fundit nuk ka lënë as rastin pa e promovuar, madje si punë të bërë prej tij.

Por le të rikthehemi përsëri te afera dhe  faktet që duan të fshehin Mërtiri dhe Veliaj. Siç u përmend dhe më sipër, dëmi nuk i është shkaktuar vetëm buxhetit të shtetit për shkak të kostove të fryra, të cilat pasqyrohen te tarifa 29 euro për ton për depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Një dëm kolosal u është shkatuar dhjetëra kompanive private në fushën e ndërtimit, të cilat janë detyruar të dërgojnë dherat në landfillin e Sharrës.

Në intervistën dhënë për emisionin Çim Peka Live, Mirel Mërtiri pranoi se kompania e drejtuar prej tij, si drejtues projektesh i saj, ka depozituar dhera në landfillin e sharrës. Fillimisht, Mërtiri pranoi se ka kryer edhe ‘qoka’ për bashkinë dhe biznese të caktuara private, duke lejuar depozitimin e inerteve në landfill pa kryer pagesa.

I pyetur për shifrat e arkëtuara nga kompania Integrated Energy BV SPV vetëm nga biznesi i dherave, Mirel Mërtiri u shpreh se shifra nuk është 50 apo 60 milionë euro, aq saç deklarohet publikisht.

Megjithatë, Mirel Mërtiri u shpreh se nuk kishte dijeni nëse dherat që depozitojnë kompanitë e ndërtimit, mund tu rishiteshin përsëri mbrasht për nevojat e tyre kundrejt pagesës të njëjtat kompanive.

Por teksa lojrat e fjalëve dhe mungesa e informacionit të Mirel Mërtirit për të ardhurat financiare të kompanisë që ai drejton, nga biznesi i dherave, në fakt një tjetër dokument tregon se kompania e drejtuar nga Mërtiri është favorizuar nga bashkia e Tiranës për biznesin e dherave. Një marrëveshje e nënshkruar midis disa drejtorive të bashkisë së Tiranës dhe kompanisë Geogenix, në fakt i mundësoi kësaj të fundit që çdo kompani ndërtimi të dërgonte mbetjet në inceneratorin e Tiranës.

Dhe biznesi i dherave, duket se ka future në labirinte të tjera landfillin e Sharrës. Deputetja e PArtisë së Lirisë, Monika Kryemadhi denoncoi pak kohë më parë se 15 hektarë tokë janë zaptuar nga kompania e drejtuar nga Mirel Mërtiri, ku sipërfaqe të konsiderueshme me liqene, janë mbushur me inerte duke u kthyer në kodra.

Kryemadhi shprehet se sipërfaqja e tjetërsuar është jashtë lejes së ndërtimit.

Por, këto fakte, Mirel Mërtiri i mohoi në emisionin Çim Peka Live në syri tv, duke u shprehur se nuk është bërë asgjë jashtë lejes së ndërtimit.

Megjithatë, Mirel Mërtiri dhe as Erion Veliaj, nuk kanë vërtetuar të kundërtën, ndërsa nga ana tjetër, Këshilltarët e opozitës në këshillin bashkiak kanë zhvilluar një seri protestash e denoncimesh për këtë skandal.

Në gjithë këtë histori, e vetmja e vërtetë që duket se ka thënë në dëshminë e tij të parë dhe të vemte publike për aferën e inceneratorit është pikërisht pikëpyetja e Mirel Mërtirit:

Në përfundim, këto pikëpyetje do të vijojnë të shtohen, teksa paratë e taksapaguesve shqiptarë do të jenë të vetmet që do të vijojnë të digjen në inceneratorin inekzistent të Tiranës dhe jo vetëm./ Syri tv





Lajmet e fundit nga