web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E Diela VI e Mattheut/ Mesazhi i Kryepiskopit Joan: Të shërojmë paralizën shpirtërore

12 Korrik 2026, 14:14, Aktualitet CNA

Kjo e diel përkon me të Dielën e VI të Mattheut. Gjatë predikimit të tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani, theksoi se udhëtimi liturgjik i kishës dhe thellimi në fjalën e Ungjillit janë rruga e vetme drejt njohjes së Perëndisë.

Kryepiskopi Joan theksoi se dashuria dhe ndjeshmëria e vërtetë tregohen përmes veprimeve ndaj atyre që janë në nevojë.

Ai i ftoi besimtarët të heqin dorë nga krenaria dhe egoizmi, duke kërkuar praninë e Perëndisë përmes përulësisë, pasi vetëm afrimi me Krishtin mund t'i japë njeriut paqe dhe pastërti të vërtetë në zemër.

Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani,  Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

E Diela VI e Mattheut (Shërimi i të paralizuarit)

Viti Liturgjik i Kishës është një udhëtim me Zotin. Nëse e marrim seriozisht këtë udhëtim, do të fillojmë ta njohim Perëndinë. Dhe kur njohim diçka nga Perëndia, atëherë fillojmë ta duam shumë Atë, sepse nuk ka jetë më të lumtur e gëzim më të madh sesa takimi i njeriut me Perëndinë.

Ku takohemi me Perëndinë? Takohemi në leximin e Ungjillit, takohemi në lutjet tona, takohemi në Misteret e Kishës, nëse marrim pjesë realisht në to. Shenjtorët e quanin Krishtin 'i ëmbli Krisht', sepse ai që shijon Perëndinë e kupton sa i ëmbël është Ai. Shijojeni Zotin -  thotë Psalmisti -  e do ta shihni që Ai është i mirë dhe i ëmbël. Prandaj, udhëtimi me Ungjillin është shumë i rëndësishëm dhe duhet të meditojmë që të fillojmë të kuptojmë fjalët që thotë Zoti në Ungjill.

Ungjilli i sotëm tregon një shërim. Kapitulli nëntë dhe ai i mëparshmi i Mattheut është i mbushur me shërimet që bën Perëndia. Theksi nuk është shumë tek shërimet, se ne e dimë që Perëndia gjithmonë bën shërime,  por te dinamika e ngjarjes:  Mënyra se si Zoti e prek njeriun dhe si njeriu arrin dhe të prekë Perëndinë dhe të shërohet. Prekja e Perëndisë sjell gjithmonë shërim. Sa më afër shpirtit tonë të jetë Zoti, aq më shumë shërohemi ne. Të gjithë ne kemi nevojë për shërimin. Të gjithë kemi nevojë për shërimin e shpirtit dhe të trupit. Në historinë e sotme tregohet shërimi i një të paralizuari, të cilin katër miqtë e tij e marrin në vigë, e sjellin për ta futur në shtëpinë ku po qëndronte Zoti. Po që ngaqë kishte shumë njerëz nuk mund të hynin dot dhe hipën në çati, çanë çatinë dhe e zbritën vigun poshtë. Dhe Zoti duke parë besën e tyre thotë të paralizuarit: "Ki zemër bir, fajet e tua janë falur". Shkronjësit dhe farisejtë që ishin aty po mendonin në mendjen e tyre se Ai po blasfemon dhe se kush mund të falë faje përveçse Perëndia. Zoti që lexon gjithë zemrat e njerëzve dhe mendjen e tyre ju drejtua atyre dhe i tha: Përse keni mendime të këqija në mendje? Çfarë është më e lehtë t'i them që të janë falur fajet apo ngrihu dhe ec? Dhe në të njëjtën kohë I paralizuari u shërua. Ky  Ungjill na tregon fuqinë shëruese të Perëndisë dhe që sëmundja e njeriut i përket të gjithë trupit të njeriut. Njeriu është një entitet i vetëm psikosomatik. Shpirti ndikon tek trupi dhe trupi ndikon tek shpirti. Ata nuk mund ndahen nga njëri-tjetri. Në shërbesën e Efqelisë, kur lyejmë me vajin e bekuar njerëzit themi: Për shërim trupi dhe shpirti. Pra, për shërimin e plotë të njeriut, trup edhe shpirt, sepse njeriu nuk mund të jetë vetëm një prej tyre. Ju kam përmendur disa herë thënien klasike në orthodhoksi që, një trup pa shpirt është kufomë, një shpirt pa trup është një fantazmë. Në këtë mënyrë  njeriu nuk është plotë. Prandaj dhe Zoti do që t'i shërojë njëherë njerëzit shpirtërisht dhe, duke lexuar zemrën e tij, Perëndia e kuptoi që i paralizuari ishte penduar. Diçka kishte ndodhur brenda shpirtit të tij, ndaj Zoti i tha që fajet e tua janë falur dhe pastaj e shëron edhe fizikisht. Gjithsecili nga ne ka nevojë për shërim. Ne ndoshta nuk jemi të paralizuar nga ana fizike, por shpirtërisht shpeshherë jemi të paralizuar.

Si është paraliza shpirtërore? Ja një eksperiment fare i shkurtër të cilin mund ta bëjë çdo njeri: Kur lexon Ungjillin dhe nuk ndjen asgjë,; kur shikon një njeri duke vuajtur nuk të prek dhimbja e tij; kur shikon familjarët e tij në telashe, prapë nuk ndjen asgjë. Kjo do të thotë që shpirti i tij është paralizuar. Nuk ka sëmundje më të vështirë për t'u shëruar sesa paraliza shpirtërore. Ajo është akoma më e dëmshme për ne sesa paraliza trupore. Se kur jemi të paralizuar shpirtërisht., ne kemi humbur. Ndërsa kur jemi të paralizuar vetëm trupërisht, dhe shpirtin e kemi mirë, përsëri jemi të fituar.

Ungjilli i sotëm është një thirrje për gjithsecilin nga ne që të largojë paralizën e shpirtit të tij, të fillojë dhe ndiejë diçka për të gjithë njerëzit e tjerë. Shumë njerëz shpeshherë mund ndjejnë diçka, por nuk mjafton vetëm ajo gjë. Dashuria e vërtetë nuk është vetëm ndjenjë, ajo është edhe veprim. Nëse shikon një njeri që s'ka bukë, duhet t'i japësh diçka. Nëse shikon një njeri që është shumë i hidhëruar, duhet ta ngushëllosh. Nuk mjafton vetëm thjesht të të vijë keq. pë të.  Zotit jo vetëm thjesht i vjen keq, por Ai ndërhyn dhe vepron. Pikërisht këtë kërkon edhe nga gjithsecili prej nesh.

Një pikë tjetër e rëndësishme e këtij Ungjilli është që Zoti lexon zemrat, Ai shikon gjithçka. Ne shpeshherë ndoshta mund të bëjmë gjëra dhe na duket sikur njerëzit nuk na shohin.  Njerëzit edhe nuk mund të na shohin, po Perëndia na shikon. Tregohet një histori nga murgjërit e shkretëtirës ku njjë herë një asket i madh shkoi në qytetin e Aleksandrisë dhe një grua mëkatare u përpoq ta tundonte.  Ai bëri sikur pranoi dhe i sugjeroi të shkojmë në qendër të qytetit në mesditë edhe atje le të mëkatojmë. Ajo i thotë që si mund të shkojmë atje, do na shohin të gjithë njerëzit?! Atëherë asketi i thotë: Grua, edhe nëse shkojmë në shpellën më të errët edhe më të thellë, nëse nuk na shohin njerëzit, do të na shikojë Perëndia. Dhe historia tregon që ajo grua u pendua dhe filloi rrugën e shpëtimit. Çfarëdo gjë që të bëjmë fshehurazi ne, edhe nëse nuk na shohin njerëzit, Perëndia do të na shikojë. Nëse ne na vjet turp nga njerëzit, sa më shumë duhet të na vijë turp nga Perëndia. Prandaj edhe Ungjilli i sotëm na tregon  që Zoti është i kujdesshëm në gjithçka dhe sheh gjithçka që është tek ne. Dhe në lutjen që lexon shpeshherë prifti ose episkopi në disa pjesë të Liturgjisë thotë: Zoti i jep dituri dhe mençuri atij që e kërkon, por nuk e heq syrin nga mëkatari. Prandaj, Ai ka vendosur edhe pendimin. Ne mund të bëjmë shumë mëkate, por Zoti, duke u penduar ne, na ka dhënë një rrugë shpëtimi dhe mjekimi. Ne nuk pendohemi, sepse kemi pengesa të mëdha shpirtërore dhe psikologjike brenda nesh. Pengesa është pikërisht pseudo-vetja,. Kur njeriun e kap krenaria, lakmia, zilia, egoizmi,  ai e shikon pendimin si një poshtërim, nuk e shikon si një shërim. Madje ai as nuk bindet, sepse dhe bindjen e shikon si një poshtërim. Ndërsa Etërit e Kishës dhe të gjithë murgjërit e shenjtë bindjen e shikonin si rrugën e vetme të shpëtimit. Pra, nëpërmjet bindjes ndaj mësimeve të Zotit dhe nëpërmjet përulësisë. Nëse do të jemi të përulur dhe do t'i afrohemi Perëndisë, Ai do na shpëtojë.

Zoti, në këtë pjesë të Ungjillit, është i vetmi që flet. Nuk flet as i paralizuari, as ata që e sollën atë. Nuk flasin dhe shkronjësit që filluan mendonin keq për të. Zoti i lexon të gjitha mendimet. Ai shikon jo vetëm veprat tona të liga, por dhe mendimet e këqija. Sa herë që ne kemi mendime të këqija kundër të tjerëve, ato nuk mund të fshihen dot nga Perëndia. Prandaj shenjtorët pendoheshin jo vetëm për veprimet, por edhe për mendimet e tyre të këqija që mund të kishin pasur në mendje kundër një njeriu ose kundër diçkaje tjetër. Zoti i dallon të gjitha këto.

Dhe një pikë e fundit shumë e rëndësishme është që ne duhet ta kërkojmë Zotin. Se, duke kërkuar Zotin, Ai do të na japë mençuri dhe urtësi. Nëse nuk e kërkojmë Zotin, nuk do ta gjejmë dot Atë. Duke e kërkuar Zotin, Ai do na shfaqet vetë, dhe,  duke na u shfaqur, Ai do ta ndryshojë krejtësisht jetën tonë. Sa më shumë që përpiqemi të jetojmë sipas mësimeve të Zotit, aq më shumë do ta njohim Atë. Dhe sa më shumë ta njohim, aq më shumë do ta duam Atë. Kështu, duke e dashur Atë, do të ndiejmë shijen e ëmbël të pranisë së Perëndisë në shpirtin tonë. Vetëm ajo mund t'i japë njeriut paqe, thellësi dhe pastërti zemre.

Prandaj, le t'i lutemi Krishtit dhe le t'i biem ndër këmbë, siç këndojmë në Hyrjen e Vogël. Dhe Zoti pa dyshim që do të ketë mëshirë dhe do t'i thotë gjithsecilit nga ne: "Ki zemër bir /bijë, se fajet e tua janë falur". Nëse janë falur fajet, kjo është dhurata më e madhe që mund të na japë Perëndia. Le t'i lutemi gjithmonë Krishtit, sepse Ai është Zot i dashur që e ka gjithmonë mendjen tek të gjithë njerëzit dhe vigjëlon mbi gjithë shpirtrat tanë. Kushdo që i afrohet Atij, si tek Paravolia e Djalit Plangprishës, Ai do të vijë vetë i pari për të na përqafuar ne, për të na shëruar dhhe për të na ndriçuar. Amin./ CNA





Lajmet e fundit nga