web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Dosja "Sterilizimi"/ GJKKO shtyn për në shtator seancën ndaj Beqajt

17 Korrik 2026, 12:06, Aktualitet CNA

Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për dosjen “Sterilizimi”, është shtyrë për në datën 11 shtator. Shkak për shtyrjen e seancës u bë mbrojtja e ish-ministrit që kërkoi kohë për të shqyrtuar materialet e paraqitura nga Prokuroria.

Në seancën e sotme, e cila u zhvillua dhe me debate, SPAK kërkoi rrëzimin e 23 kërkesave të paraqitura nga Beqaj, në procesin gjyqësor për dosjen e “Sterilizimit”.

Prokurori i Posaçëm, Edvin Kondili, u shpreh se kërkesat e Beqajt, përmes të cilave kundërshtohen akuzat dhe veprimet procedurale, janë të pabazuara në ligj dhe duhet të rrëzohen. Sipas SPAK-ut, në shumicën e rasteve pretendimet e të pandehurit kanë marrë përgjigje gjatë fazës së hetimeve, në seancën paraprake dhe në vendimin e gjykatës.

Lidhur me kërkesën për pavlefshmërinë e aktit të njoftimit të akuzës, SPAK-u argumentoi se ajo nuk mbështetet në ligj.

“Veprimet janë aprovuar nga gjyqtari paraprak me vendimin për pranimin e kërkesës për gjykim”, theksoi prokurori Kondili.

Sa i përket pretendimit të Beqajt se akuza për vjedhje nuk provohet, prokuroria vuri në dukje se i pandehuri nuk paraqet kërkesa konkrete, por ngre pyetje, të cilat janë sqaruar dhe do të trajtohen në konkluzionet përfundimtare të palëve.

SPAK kundërshtoi gjithashtu kërkesën për përjashtimin e të dhënave elektronike të sekuestruara nga një kompjuter, duke argumentuar se ato janë siguruar përmes veprimeve procedurale në përputhje të plotë me ligjin.

Një tjetër pikë e debatuar ishte pretendimi për mungesën e kontratës origjinale të prokurimit. Prokuroria sqaroi se mosgjetja e kontratës origjinale në Ministrinë e Shëndetësisë përbën shkelje administrative, por kjo nuk e bën të pavlefshme provën e administruar në proces, pasi është administruar një kopje e njësuar në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, akuzohet për shpërdorim detyre në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe po gjykohet veçmas nga të pandehurit e tjerë. /CNA





Lajmet e fundit nga