LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zai Fundo, intelektuali që e konsideronte Stalinin vrasës që në vitin 1938

19 Gusht 2021, 10:10, Blog CNA
Zai Fundo, intelektuali që e konsideronte Stalinin vrasës që

Nga Hasan Bello

Një nga personalitetet më të njohura të Lëvizjes Komuniste shqiptare të viteve 20-30-të mbetet padyshim Llazar Fundo, ose siç njihet ndryshe Zai Fundo. Ai sëbashku me Sejfullah Malëshovën ishin dhe mbetën deri në fund të jetës dy nga pjestarët më të formuar në aspektin teorik dhe intelektual të kësaj lëvizjeje. Kjo bëri që ai të kuptonte shpejt realitetin dhe të distancohej nga komunizmi drejt social-demokracisë.

Zai Fundo ka lindur në Goricë të Korçës në vitin 1899. Pas përfundimit të Liceut Francez në Selanik, ai do të niset drejt Francës për të studiuar drejtësi në Universitetin e Sorbonës. Gjatë kësaj periudhe ai do të bjerë në kontakt me lëvizjen komuniste. Pas kthimit në atdhe Zai Fundo do të punoi për pak kohë si jurist. Ai do të angazhohet në radhët e organizatës ?Bashkimi?, kryetar i së cilës do të bëhet pas vrasjes së Avni Rustemit.

Pas rënies që qeverisë së Nolit në dhjetor të 1924, Zai Fundo do të largohet për në Itali, Austri, Gjermani, Francë e Rusi. Në bashkëpunim me figura të tjera antizogiste ai do të angazhohet në gazetën ?Liria Kombëtare? dhe organe të tjera të kohës, duke botuar artikuj dhe kritika me theks kritik ndaj politikës së jashtme dhe reformave të presidentit dhe më vonë mbretit Ahmet Zogu. Krahas kësaj, Zai Fundo do të aderoi edhe në Federatën Komuniste Ballkanike.

Për tu thelluar akoma më shumë në aspektin teorik, Zai Fundo do të niset drejt Bashkimit Sovjetik ku do të studioi për filozofi në Moskë, ku pas përfundimit të studimeve do jap leksione në Universitetin e Leningradit. Gjatë kësaj periudhe ai do të anëtarësohet në Komintern dhe do të luaj një rol aktiv në Grupin Komunist Shqiptar në Bashkimin Sovjetik. Kjo dëshmohet nga dokumentacioni dhe memorialistika e botuar.

Por gjatë qëndrimit në Bashkimin Sovjetik, Z.Fundo do të bëhet dëshmitarë i vrasjeve, internimeve dhe persekutimit të qindra e mijërave njerëzve të pafajshëm, shumë prej të cilëve vinin nga radhët e vetë komunistëve. Ai pa me sytë e tij se si ajo që propagandohej nga Stalini dhe shteti sovjetik në Europë, nuk përputhej aspak me realitetin. Prandaj gradualisht ai do të filloi të moderoi qëndrimet dhe pikëpamjet e tij politike duke kaluar drejt social-demokracisë.

Kjo, me shumë gjasë do të ketë filluar në vjeshtë të 1937-tës. Për shkak se më 5-6 korrik 1937, në bazë orientimit të ri të Kominternit, Ali Kelmendi dhe Llazar Fundo zhvilluan në qytetin e Lionit një takim me shqiptarët antizogistë. Sipas tyre, një rrugë për të depërtuar në masat e popullsisë dhe për të punuar me to për përhapjen e lëvizjes komuniste me mjete legale, ishte krijimi i shoqërive filantropike. Kjo do të shmangte kontrollin e organeve shtetërore dhe policisë.

Por, distancimi i Fundos nga lëvizja komuniste dhe përfaqësuesit e saj, bëri që të dështonte edhe plani për hartimin e një broshure që, pasi të shtypej, do të shpërndahej në Shqipëri. Sidoqoftë, orientimi i ri që erdhi nga Kominterni, ndikoi që lëvizja komuniste të bashkëpunonte me shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke synuar integrimin e saj në hallkat e pushtetit lokal dhe në disa segmente të administratës.

Në një letër tjetër që Koço Tashko i dërgon Kominternit më 8 qershor 1938, ankohet për Llazar Fundon, i cili kishte filluar të fliste hapur kundër simboleve të komunizmit botëror. Kështu, në një drekë të organizuar nga antizogistët e organizatës ?Bashkimi Kombëtar?, Fundo kishte folur kundër Stalinit, duke e cilësuar atë si vrasës. Ai e kishte konsideruar Bashkimin Sovjetik, një burg, i cili, nga pikëpamja ushtarake, nuk ishte në gjendje tu jepte ndihmë të dobishme lëvizjeve revolucionare.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga italianët në vitin 1939, Zai Fundo kthehet në atdhe ku për një kohë të shkurtër punon si mësues. Por për shkak të veprimtarisë së tij ai shihej me dyshim dhe pas një viti sëbashku me personalitete të tjera si Isuf Luzaj, Safet Butka etj do të internohet në ishin e Ventotenes. Me kapitullimin e regjimit fashist, ai kthehet në atdhe, ku baashkohet me lëvizjen antifashiste të vëllezërve Kryeziu në Malësinë e Gjakovës.

Kjo lëvizje mbështetej hapur nga oficerët britanikë. Por për shkak të orinetimit të saj anglo-amerikan dhe nacionalist,  si vëllezërit Kryeziu ashtu dhe Zai Fundo shiheshin me armiqësi nga emisarët jugosllavë pranë Enver Hoxhës dhe partizanët e Titos. Kjo del hapur nga orientimet e Enver Hoxhës për kapjen, torturimin dhe vrasjen e Zai Fundos.

Në shtator të 1944 ai kapet nga partizanët jugosllavë në Bytyç të Malësisë së Gjakovës dhe i dorëzohet partizanëve shqiptarë, të cilët sipas orientimit e pushkatuan në Kolesjan./ CNA.al

Lajmet e fundit nga