web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

REPORTAZH-Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë/ Thesari ku gjenden mijëra vepra të çmuara

3 Korrik 2021, 10:32, Kulturë CNA

REPORTAZH-Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë/

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është një nga vlerat e qytetit të Korçës, që tregon qartë përpjekjet dhe arritjet për të mbajtur gjallë koleksionet më të pasura të mesjetës.

Ky muze u krijua në vitin 1980 dhe përmban objekte të artit Bizantin dhe post-Bizantin.

Me një shumëllojshmëri ikonash dhe veprash të krijuara në gur, dru, copë e metal, muzeu jep një dëshmi të qartë të pasurisë artistike e kulturore ndër vite të qarkut juglindor.

Populli shqiptar ka një histori të dhimbshme mbijetese, të një lufte ku sundues të ndryshëm kanë tentuar të nënvlerësojnë trashëgiminë kulturore, por fatmirësisht është shpëtuar në kohë një numër i konsiderueshëm ikonash të cilat pasqyrohen në ambjentet e muzeut.

Këto ikona mund të shihen sot në dru dhe relieve të gdhendura në gur, si dhe të zbulojmë në to artin figurative të kultivuar ndër shekuj.

Tek këto ikona dhe objekte tepër të vjetra, mund të shohim teknikat e përdorura nga artistët, temat nga jeta e përditshme, kostumet e traditat, e mbi të gjitha shprehjet individuale të çdo autori.

Prej vitit 2016, muzeu i artit mesjetar u kthye në një ndërtesë bashkëkohore, me të gjitha parametrat për ekspozimin e veprave të paçmueshme, dhe çdo vizitor mund të shohë harmoninë që përcillet nga çdo ambjent i tij.

CNA.al sjell për lexuesit, ambjentet që mund të gjejmë brenda muzeut, të ideuara deri në detaj dhe çdo sallë përfaqëson vepra të autorëve të ndryshëm ndër vite.

Gjatë vizitës tonë në muze, jemi shoqëruar nga drejtoresha Fjoralba Prifti, e cila me shumë kënaqësi na ka treguar rreth çdo objekti që ndodhet atje.

Salla e Artë është salla e pare, që shfaqet para syve tanë, sapo futemi brenda muzeut, dhe që të befason me qindra ikona të vendosura në muret e saj.

Me një larmishmëri stilesh e teknikash, veprat e ekspozuara ngjitur njëra me tjetrën e godasin vizitorin si një vepër e vetme, ndërsa ekspozimi I tyre i ngjan një instalacioni modern.

Këtu janë ekpozuar një sërë veprash, që nga afresku I transplantuar i Onufrit e deri tek ikonat e fillim shekullit XX. Pranë njëra tjetrës qëndrojne kryqe, imazhe të Krishtit dhe Virgjëreshës, Shenjtorë e Strategë, po ashtu edhe dyer të bukura, të cilat të gjitha së bashku mahnisin shikuesin.

Janë dhjetra objekte që mund të shohim vetëm në Sallën e Artë, që shihet në katin e parë dhe të bën ta ndjekësh edhe në katin e dytë pasi objektet janë vendosur në mur deri afër tavanit të ndërtesës. Krahas veprave anonime, në këtë sfond qëndrojnë ikonat e mrekullueshme të Kostandin Shpatarakut e të murgut Kostandin, të vëllezërve Zografi por edhe të atyre Çetiri”, – tregon Prifti.

Ballkoni i Bardhë është salla tjetër që shohim gjatë ecjes tonë brenda muzeut, e ashtu si tregon Fjoralba, ikonat e ekspozuara janë të periudhës bizantine.

Veprat e kësaj periudhe, bëhet fjalë për shekujt XIV-XV, janë të pakta dhe ka disa faktorë që kanë ndikuar. Shumë vepra janë shkatërruar gjatë pushtimit ottoman, periudhave ikonoklaste që kalonte herë pas here Bizanti dhe po ashtu lufta kundër fesë gjatë komunizmit.

Pikturat murale më të vjetra të artit kishtar janë të shekullit XIII dhe kanë mundur të mbijetojnë deri më sot. Ndërsa gjatë shekullit XV nuk ka më produkte artistike të rëndësishme pas rënies së Kostandinopojës. Në këtë periudhë, ikonografia është kryesisht e stilit paleolog, që dallon për linjat elegante por edhe të forta, si edhe për kontrastin dhe harmoninë midis ngjyrave”, – shprehet  më tej ajo.

Një tjetër sallë është Labirinthi i Zi, ku si ekspozim ka vepra nga më të rëndësishmet e koleksionit të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, që datojnë në shekujt XVI-XVII.

Këtu përmendim emra të rëndësishëm të ikonografisë dhe artit figurative në Shqipëri, si Onufri i madh, e deri te ikonat e Vithkuqit të cilat janë pikturuar në frymë antiklasike.

Veprat e kësaj sale janë një pasqyrim i tendencave të kësaj periudhe dhe ndryshimeve që ka pësuar piktura post-bizantine në territorin shqiptar.

Më tej, drejtoresha Prifti na tregon edhe për Sallën e Kuqe, e cila mbetet një nga më të veçantat për shkak të stilit të realizimit.

Salla e Kuqe dominohet nga ikonostasi i Kishës së “Shën Nikollës” në fshatin Rehovë të Ersekës, e realizuar në dru arre në fillimet e shekullit XIX.

Në ekspozitë ka vepra të Murgut Kostandin, i cili njihet si artist i ikonave të lëvizshme në kishat e Voskopojës, Shën Naumit, Ohrit etj.

Në këtë pavijon vend të veçantë zw edhe ekspozimi i krijimtarisë së dy vëllezërve Kostandin dhe Athanas Zografi, me një veprimtari artistike të periudhës 1744-1783.

Traditën e vjetër të pikturimit ata e pasuruan me elemente të reja nga arti perëndimor dhe me elementë të karakterit kombëtar”, – tregon më tej Prifti.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është një vlerë e çmuar për qytetin e Korçës, që çdo ditë e më shumë afron turistët të cilët nuk mund ta lenë pa e vizituar këtë mrekulli.

Ky sezon turistik për Korçën do të sjellë më tepër vizitorë pas kalimit pjesërisht të pandemisë./CNA.al

 





Lajmet e fundit nga