LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Fiks Fare/ Peshk i cilësisë së parë për Ramën, i cilësisë së tretë për Azilin. Drejtoresha: Rama e meriton

5 Nëntor 2020, 20:11, Denoncim CNA

Fiks Fare denoncoi veprimet e institucioneve shtetërore, të cilat blejnë peshk të cilësisë së parë për shtëpitë e pushimit të krerëve të shtetit dhe peshk të cilësisë së tretë për Azilet.

Redaksia e emisionit investigativ siguroi dhjetëra dokumente nga tenderët e këtyre institucioneve, dhe pas një shfletimi të thjeshtë, rezultati ishte befasues. Shtëpitë e Pushimit, atje ku qëndrojnë krerët e shtetit, blejnë peshk dhe fruta deti të cilësisë së parë. Madje, edhe pajisje për pastrim dhe filetim të peshkut. Ndërkohë, i vetmi institucion që blen peshk të cilësisë së tretë është Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë (Azili i Pleqve).

Para pak ditësh, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, ka hapur një tender me objekt ?blerje artikuj ushqimorë? me fond 6.7 milionë lekë. Në lotin 2, kjo agjenci kërkon ?Blerje peshq? për Shtëpinë e të Moshuarve Tiranë, me fond 274 mijë lekë. Dhe, vetëm për Azilin, kërkohet të blihet peshk i cilësisë së tretë. Ndërkohë, institucionet e tjera në këtë tender kanë kërkuar të blejnë peshk të cilësisë së dytë.

Gazetarët e emisionit investigativ shkuan në Azilin në Tiranë, ku punonjësja tha se ushqimi është i pranueshëm. Sipas saj, ?peshku bëhet, por jo përditë. Jemi Azil, kuptohet!?. Kur e pyesim për cilësinë, ajo shprehet se ?tani, kuptoje, nuk je hotel me 5 yje. Nuk je në shtëpi!?. Ndërkohë, Shërbimi Social Shtetëror në Tiranë thotë se shteti ka shumë pak Azile dhe në ato që ka, brenda mundësive, mundohet të trajtojë ata persona që nuk kanë askënd kush t?u japë një dorë. ?Nuk e ke mundësinë e zgjedhjes, sepse nuk jemi si jashtë që ke azile me dhjetëra dhe ti mund të shikosh aty ku të përputhet. Ne kemi shumë pak vende dhe nuk mund të marrim këdo? thotë një punonjëse.

Por, ndryshe nga cilësimet e peshkut që ka kërkuar Shtëpia e të Moshuarve në Tiranë, disa institucione të tjera siç janë shtëpitë e pushimit të zyrtarëve, kanë kërkuar ndër të tjera, blerjen e peshkut të cilësisë së parë. Madje, kanë kërkuar edhe pinceta, pjata për peshkun. Fiks Fare ka siguruar dhjetëra dokumente të tenderëve të kryer nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe nga Shtëpia e Pushimit Durrës. Sipas një dokumenti, Shtëpia e Pushimit Durrës, ka bërë një tender për ?blerje peshk? me fond limit 1.3 milionë lekë të reja. Kjo shtëpi ka kërkuar të blejë 2520 kilogramë peshk dhe fruta deti. Ka kërkuar disa lloje peshku, kocë, levrek, karkalec, merluc, kallamarë, sepje. Peshku të jetë i freskët, i cilësisë së parë, me aromën e algave detare. Pamja e jashtme e shndritshme dhe me ngjyra të gjalla të peshkut të freskët. Syri konvesk dhe transparent, ndërsa velzat me ngjyrë të kuqe të plota.

Ndërkohë, sipas një tjetër dokumenti, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka blerë disa enë kuzhine vetëm për peshkun. Këto shtëpi, ku pushojnë krerët e shtetit, kanë gërshërë për pastrim peshku, pinceta për halat e peshkut, thikë për fileto e rosto mishi, thikë për fileto salmoni. Pra, për Azilin po blihet peshk i cilësisë së tretë, ndërkohë për Shtëpitë e Pushimit, i cilësisë së parë me ngjyra të gjalla dhe me alga! Madje, këto shtëpi kanë edhe pajisje për pastrim dhe filetim të peshkut.

Fiks Fare shkoi në Azilin e Tiranës për të marrë informacion për procedurat e tenderit për blerjen e peshkut, pasi në Agjencinë e Prokurimit Publik, tenderi po realizohet nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Gazetarët telefonojnë drejtoreshën, e cila nëpërmjet telefonit thotë se procedurat i bën financierja. ?Unë vetë nuk bëj tendera ushqimesh, mua mi bën dikush tjetër. Tani po kujtohem. Unë e di që nuk lejohet, megjithatë, megjithatë, do ta sqaroj deri në fund, se tani që po më thua dua edhe unë çfarë po ndodh? thotë ajo, ndërsa i telefonon gazetarët pas disa minutash. ?Më thotë (financierja), jo nuk e kemi bërë tenderin, jo njëherë në muaj marrim peshk. I thashë përse e keni bërë cilësi e tretë, më thotë varet nga fondi që kemi? pohon ajo.

Drejtoresha dhe shefja e financës takojnë grupin e Fiks Fare jashtë ambienteve të Azilit, duke i shpjeguar se përse kjo Shtëpi e të Moshuarve po blen peshk të cilësisë së tretë. ?Ne kemi një kuotë për ata, kur thotë zonja e kanë 3 mijë lekë, dhe shumëzoje për 50 dhe del 150 në ditë. 170 mijë lekë në ditë. Nëqoftëse unë këtë 170 mijë lekëshin e blej peshk, ata s?hanë as mëngjes e as darkë, vetëm atë do hanë? thotë drejtoresha, ndërsa pohon se të moshuarit hanë 1 herë në muaj peshk. ?Atë ditë që hanë peshk, gjërat e tjera i kanë më të ulëta. Dhe neve, sa për dijeni, që nga qershori, peshk nuk është marrë, se nuk është zhvilluar tenderi akoma? thotë financierja. Drejtoresha irritohet dhe thotë se ?të marrësh Covid se ça m? peshku hanë këta, që hanë 15 a 40 në muaj, tani hajde shpejt ça do?.

Fillimisht, drejtoresha pranon të japë intervistë dhe të shpjegojë procedurat, por më pas, tërhiqet pa asnjë arsye! ?Nuk i bie unë Edi Ramës me peshk, harroje. Këta s?mund të hanë peshk të cilësisë së parë dhe Edi ka të drejtë të hajë cilësi e parë se punon. Kurse këta rrinë gjithë ditën shtrirë? thotë drejtoresha, ndërsa pohon se çdo i moshuar ka një kuotë dhe nuk mund të marrin cilësi e parë. ?Dhe pikë, po deshe, po s?deshe. S?të del leku po të them, se hanë peshk dhe s?hanë më darkë, s?hanë më darkë!? pohon ajo.

Drejtoresha u tha gazetarëve të Fiks Fare se do përgjigjet me shkrim. Fiksi i dërgoi një kërkesë për informacion dhe mori një përgjigje se ?është kërkuar peshk i cilësisë së tretë me çmimin 1053 lekë me TVSh për kilogramë?. Sipas drejtoreshës, kuota ditore është 360 lekë për person. ?Në institucion konsumohet peshku dy herë në muaj. Për sqarim, jemi të detyruar të kërkojmë këtë cilësi, duke nisur nga çmimi i përcaktuar dhe për të respektuar kuotën ditore. Është vërtetuar që me peshk të cilësisë së tretë nuk të zë Covid 19? përfundon drejtoresha e Azilit në Tiranë./ tch

Lajmet e fundit nga