web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Një revolucion shumëngjyrësh në Bjellorusi? Ndoshta, por jo tani

9 Gusht 2020, 06:32, Blog CNA

Nga Genadi Rudkevich ?The Moscow Times?

Bjellorusët do të shkojnë në votime këtë të diel, ku do të shohin të njëjtin emër në fletëvotim për herë të gjashtën herë radhazi. Të gjithë kundërshtarët kryesorë të Aleksandër Llukashenkos – përfshirë disa që kohët e fundit ishin pjesë e elitës bjelloruse – janë dëbuar nga vendi ose janë  burgosur.

Madje presidenti Llukashenko, ?zbuloi? një komplot të minutave të fundit nga mercenarët rusë për të nxitur trazira në vend, edhe pse ai është një komplot i ngjashëm me atë që  ?zbuloi? në vitin 2017. Rezultatet e zgjedhjeve, nuk janë në dyshim në një sistem zgjedhor ku presidenti e pranon hapur se e manipulon rezultatin final.

Megjithatë, këto zgjedhje po dëshmohen si sfida më e madhe për sundimin 26-vjeçar të Llukashenkos. Me dhjetëra mijëra njerëz që morën pjesë në tubimet e opozitës në mbarë vendin, a mund të sinjalizojnë këto zgjedhje fundin e regjimit të tij? Me pak fjalë, jo, ose të paktën jo tani.

Me përjashtim të disa protestave në vazhdën e një ?taksë mbi parazitët? për të papunët, Llukashenko nuk është përballur me një kundërshtim serioz në më shumë se një dekadë, një fakt që nuk i ka penguar disa analistë të parashikojnë rregullisht rrëzimin e tij.

Por sipas tyre, nuk është populli bjellorus, por presidenti rus Vladimir Putin, ai që do të luante rolin kryesor në rrëzimin e Llukashenkos. Përplasjet e mëdha midis Moskës dhe Minskut – dhe tashmë ka shumë të tilla- janë pasuar nga spekulime të shfrenuara për një pushtim rus apo aneksim të plotë të Bjellorusisë nga Moska.

Në vitin 2015, RISI – një think tank rus që merret më seriozisht në Perëndim sesa në Rusi – parashikoi një pushtim rus të Bjellorusisë, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme të kësaj të fundit për aventurat e Rusisë në Ukrainë. Stërvitja ushtarake ?Zapad? e vitit 2017, do të ishin preteksti i një pushtimi rus.

Ashtu siç ishte mosgatishmëria e Bjellorusisë për të lejuar një bazë ushtarake ruse në tokën e saj. Putini u akuzua se dëshironte të aneksonte Bjellorusinë për të qëndruar në pushtet. Ose për shkak të besnikërisë së pamjaftueshme të Llukashenkos. Ose thjesht sepse është gusht.

Por në këto histori mungon dimensioni popullor. Dhe nuk ka revolucion pa njerëzit. Po sa jopopullor është Llukashenko? Shifra të besueshme nuk mund të jepen, por një studim i Instituti të Sociologjisë të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Bjellorusisë ? që financohet nga shteti ? thotë se vetëm 24 për qind e banorëve të Minskut, kanë besim tek Llukashenko.

Kjo shifër ka të ngjarë të jetë sot më e ulët, pas një reagimi skandaloz ndaj koronavirusit dhe tubimeve masive të opozitës. Por ky nivel i ulët popullariteti, nuk ka shumë të ngjarë të pasqyrohet në rezultatet e zgjedhjeve të së dielës. Sfidantët kryesorë të Llukashenkos në tre zgjedhjet e fundit presidenciale, nuk arritën të merrnin më shumë se 7 për qind të votave, ndërsa vetë Llukashenko nuk ka marrë më pak se 80 për qind që nga viti 2001.

Pavarësisht kundërshtimit të madh ndaj Llukashenkos në kryeqytetin Minsk, ai arriti sërish të ?merrte? 74 për qind të votave atje në zgjedhjet më të fundit presidenciale. Çështja e vërtetë është se çfarë do të ndodh pas këtyre zgjedhjeve. Së pari, rezultati i zgjedhjeve do të tregojë shumëçka.

Nëse Llukashenko këmbëngul të ?fitojë? 80 për qind të votave, shumë prej njerëzve që kanë marrë së fundmi pjesë në mitingjet e opozitës, ka të ngjarë të dalin në rrugë të zemëruar nga shkalla e lartë e manipulimit. Ndërkohë, mosarritja e ?fitimit? të 70 për qind të votave në shkallë vendi dhe 50 për qind në Minsk, do të forconte opozitën, dhe potencialisht do të çonte në disa dezertime në radhët e elitës drejtuese.

Së dyti, reagimi ndaj protestave do të jetë ai që do të vulosë me tepër fatin e Llukashenkos, sesa zgjedhjet apo protestat që mund të shkaktojnë ato. Një reagim i dobët, mund të çojë fare mirë në një situatë si ai në Maidan në Ukrainë. Ndërkohë, një reagim i dhunshëm ka të ngjarë të ketë sukses, por me koston e ndërprerjes së lidhjeve me Perëndimin edhe për shumë nga vite që do të vijnë.

Një reagim e tipit ?Putin?, duke ndëshkuar ashpër drejtuesit e protestës, dhe më butë protestuesit e thjeshtë ka shumë të ngjarë të ruajë statuskuonë.

Së treti, legjitimiteti i Llukashenkos bazohet kryesisht në aftësinë e tij për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe shoqëror në Bjellorusi. Por kjo pjesë e kontratës sociale, është dëmtuar nga sulmet e tij ndaj të papunëve, dhe mos-reagimi i duhur ndaj krizës së koronavirusit.

Nga njëra anë, ky dëm do të jetë i vështirë për tu riparuar, veçanërisht duke pasur parasysh personalitetin kokëfortë të Llukashenkos. Nëse ?ekuacionit? i shtojmë dobësitë strukturore në ekonominë Bjelloruse dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme me Rusinë, situata ka më shumë të ngjarë të përkeqësohet. Por nga ana tjetër, ekonomia nuk po shkon në kolaps, dhe mbështetja e elitës ndaj Llukashenkos po tregon vetëm disa çarje të lehta.

Së katërti, rrëzimi i Llukashenkos përmes protestave, do të kërkonte një shoqëri civile të fortë civile. Presidenti ka qenë i suksesshëm në pengimin e rritjes së shoqërisë civile në vend.Sipas USAID-it, gjendja e shoqërisë civile në Bjellorusi është e katërta më e keqe në botën post-sovjetike dhe Evropën Lindore, pas vetëm Turkmenistanit, Azerbajxhanit dhe Uzbekistanit, kur asnjëra nuk ka të ngjarë të përjetojë ndonjë revolucion shumëngjyrësh në të ardhmen e afërt.

Megjithatë, sipas një raporti më të fundit, shoqëria civile në Bjellorusi ka marrë një mbështetje më të madhe nga Perëndimi, dhe ka pasur një mbështetje në rritje nga publiku në 5 vitet e fundit. Kjo ka të ngjarë të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në madhësinë e tubimeve të opozitës në këtë fushatë, në krahasim me ato të mëparshmet.

Së fundmi, faktorët strukturorë përgjithësisht e favorizojnë Llukashenkon. Këtu përfshihet kontrolli që ka presidenti mbi pjesën më të madhe të ekonomisë, partitë e dobëta të opozitës, gjasat e ulëta të mbështetjes së jashtme për ndryshimin e regjimit, dhe një administrate e sigurisë besnike ndaj tij, dhe që ka treguar një gatishmëri për të shtypur popullsinë.

Gjithsesi, situata për opozitën nuk është e pashpresë. Bjellorusisë i mungon një parti reale qeverisëse, siç është Rusia e Bashkuar e Putinit në Rusi, apo një ideologji koherente. Asaj i mungon lloji i burimeve natyrore, që mund të përdoren për të ruajtur besnikërinë e elitës, në rastin e shtimit të problemeve ekonomike ose sociale.

Kur këta faktorë analizohen në tërësinë e tyre, duket se nuk ka gjasa që Bjellorusia të jetë në prag të një revolucioni shumëngjyrësh. E megjithatë, vendi është më afër një revolucioni të tillë, sesa çdo moment të mbretërimit 26-vjeçar të Llukashenkos.

Tikanuskaja ? kandidatja e opozitës – po thotë dhe po bën të gjitha gjërat e duhura, edhe pse Lukashenko nuk e konsideron atë një kundërshtare të rrezikshme. Llukashenko po e humbet ngadalë por me siguri mbështetjen e publikut dhe elitës.

Në mungesë të një represioni në shkallë të gjerë, ai do ta ketë edhe më të vështirë të  qëndrojë në pushtet teksa avantazhet e tij strukturore po zbehen dhe defektet strukturore po bëhen kapicë. Një dështim tjetër si ai me koronavirusin, mund të parathotë fundin e pushtetit të tij./Përshtati në shqip CNA.al





Lajmet e fundit nga