web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

1.900 denoncime brenda një viti për aferat korruptive/ Qytetarët fundosin gjyqtarët dhe prokurorët

30 Tetor 2018, 08:34, Aktualitet CNA

Gjyqtarët dhe prokurorët që kalojnë në sitë duhet të përballen edhe me ankesat që qytetarët kanë për punën e kryer prej tyre.

Teksa seancat dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nisën në mars të këtij viti, qytetarët kanë patur mundësi të dorëzojnë denoncimet e tyre që në tetor të vitit të shkuar. Gazeta Sot ka arritur të sigurojë disa të dhëna nga regjistri i denoncimeve nga KPK, nga ku rezulton se në total, nga tetori i 2017 deri në shtator të 2018, njerëzit janë ankuar 1877 herë për gjyqtarët dhe prokurorët.

Numri më i ulët i ankesave është shënuar në tetor 2017, muaj kur komisioni i vetingut sapo nisi punën dhe ku janë dorëzuar vetëm dy të tilla. Denoncimet e njerëzve të thjeshtë kanë arritur kulmin në muajin dhjetor të vitit 2017, kohë kur janë dorëzuar plot 321 ankesa. Muaji janar i vitit 2018 ka sjellë pranë KPK të tjera ankesa për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në total 187 të tilla. Më të pakta denoncimet kanë qenë në muajin gusht, me vetëm 106 të tilla.

Ndërsa muaji me numrin më të lartë të ankesave gjatë vitit 2018 është korriku, gjatë të cilit janë depozituar plot 224 denoncime. Muaji korrik njihet edhe si muaji gjatë së cilit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit punoi shumë fort, duke zhvilluar 3, por edhe 4 seanca dëgjimore me subjektet e rivlerësimit në një ditë. Në shtator pranë KPK janë regjistruar 189 denoncime.

Denoncimet janë kryer edhe për gjyqtarë a prokurorë që nuk kanë qenë pjesë e listës prioritare. Në këtë rast, ankesat e tyre janë regjistruar dhe arkivuar nga stafi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kur të vijë momenti për hetimet e emrave për të cilët ka patur denoncime, do të merren edhe ato në shqyrtim. Qofshin këto kërkesa të dorëzuara në mënyrë elektronike, apo edhe dorazi, ankesat e qytetarëve janë marrë në konsideratë nga komisioni i vetingut dhe po shqyrtohen nëse gjyqtarët apo prokurorët kanë kryer shkelje me marrjen e vendimeve apo jo.





Lajmet e fundit nga