web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Fiks Fare"/ TEC Vlora, "konserva" që po rrjep buxhetin e shtetit, gati dhënia me koncesion

29 Shtator 2016, 18:32, Aktualitet CNA

Kriza energjitike e vitit 2002, detyroi qeverinë shqiptarë që të shihte burime alternative të prodhimit të energjisë elektrike. Qeveria mori një kredi mbi 100 milionë euro nga Banka Botërore për ndërtimin e një Termocentrali. Megjithëse kanë kaluar 14 vite nga projektimi dhe ndërtimi i këtij impianti, TEC-i qëndron “nën konservim”, si pasojë e gabimeve të kompanisë ndërtuese. Shteti shqiptar vazhdon të paguajë këstet e kripura të kredisë, që shkojnë rreth 10 milionë euro në vit. Ndërkohë, për Termocentralin janë shpenzuar miliona euro të tjera. Janë bërë tender për të ruajtur godinën, për sigurimin e aseteve, apo edhe një procedurë për rivënien në punë të sistemit të ftohjes.
Fiks Fare “rrëmoi” në arkivë, ku gjeti premtimet e ish-kryeministrëve dhe ish-drejtorëve të KESH-it. Andis Harasani, ish-drejtor i KESH, tha në vitin 2004 se “jemi këtu për të bërë realitet një premtim që ka nisur që në vitin 1995, do të ndërtojmë TEC-in. Besoj se do të vijmë këtu për dy vjet që të inaugurojmë TEC-in”. Nnërkohë, ish-kryeministri Fatos Nano, tha po në vitin 2004 se “Termocentralit Energjitik në Vlorë do ti shtohen projekte të tjera të energjisë?, si një park i madh energjitik, i cili jo vetëm do të balancojë sistemin, por do të sjellë mesa duket gjigant të nivelit të Fierzës edhe në brigjet e Vlorës. Cilësia e projektit në fjalë lidhet me startimin e këtij projekti të madh industrial energjitik në këtë zonë, lidhja e të cilit me sistemin elektrenegjitik shqiptar do të japë efekte të ndjeshme në furnizimin me energji elektrike për konsumatorët vëndas, do të ulë ndjeshëm kufizimet e energjisë”.
Pas rotacionit politik në vitin 2005, premtimet vijuan ti bënin të djathtët. Ish-drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, tha në vitin 2007 se “sipas kontratës, prodhimi duhet të fillojë në mesin e vitit 2009”. Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha do të deklaronte në vitin 2008 se “Këta (punëtorët që ndërtojnë TEC-in) e ndryshojnë Shqipërinë, këta nuk bëjnë mitingje për të manipuluar të vdekurit, por ndërtojnë termocentrale”.
Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë zyrtare Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, duke iu drejtuar rreth 10 pyetje. Sipas KESH-it, kontrata për zbatimin e projektit është 92 milionë euro dhe është financuar nga Korporata, Banka Botërore, BERZH dhe Banka Europiane e Investimeve. Megjithatë, vlera e projektit ka shkuar në 130 milionë euro, sipas faqes së internetit të Korporatës. Në vitin 2002 u bë studimi i fizibilitetit dhe firma që projektoi Termicentralin u përzgjodh sipas procedurave të Bankës Botërore. “Kompania fituese, e përzgjedhur sipas procedurave të Bankës Botërore dhe me miratimin e saj, ka qenë ‘MAIRE Eginëring SPA’ (më vonë TECHNIMONT) me vlerën më të ulët se kompanitë e tjera. Ofroi 92 milionë euro. ‘SIEMENS AG’ Gjermani, ofroi 131 milionë euro” thuhet në përgjigjen e KESH-it.
Kontrata me fituesin është lidhur më 9 shkurt 2007, pas miratimit të marrë nga Banka Botërore. Ndërtimi pritej të zgjaste dy vjet, por u shoqërua me vonesa të shkaktuara nga kontraktori. Në 2009, impianti pësoi defekt. Në janar 2011 u vendos që sistemi i marrjes së ujit nga deti të rindërtohej, gjë që u përfundua në korrik të atij viti. Certifikata e pranimit u lëshua në tetor 2011. Testimet u kryen në dhjetor 2011, por më 7 janar 2012, Termocentrali u bllokua nga një defekt i ri. “Faji” i këtij defekti nuk është marrë nga askush. Banka Botërore e ka ndarë fajin nëpërmjet KESH-it dhe kontraktorit.
“Raporti i konsulencës së KESH-it dhe raporti i Bankës Botërore arritën në përfundimin se arsyet e defektit ishin: ‘Zbatimi jo korrekt i projektit nga ana e nënkontraktorëve të kontraktorit si dhe neglizhimi i elementëve teknikë të kontraktorit në fazën e projektimit'” thotë KESH.
Fiks Fare iu drejtua me disa pyetje të tjera KESH-it. Rezulton se kredia e marrë është 106 milionë euro. Rreth 10 milionë euro është kësti vjetor i kredisë që paguan shteti shqiptar. Nga viti 2008 deri në 2016, janë paguar 47 milionë euro dhe pjesa tjetër është e papaguar. KESH ka akorduar rreth 1 milionë euro për të projektuar rregullimin e sistemit që ftoh me ujë TEC-in. Procedura e tenderimit ka dështuar disa herë. Në vitet 2009-2012, janë blerë 26.5 milionë euro naftë. TEC Vlorë ka bërë muajt e fundit disa tender, ku 256 milionë lekë kanë shkuar për rojet e godinës. 340 milionë lekë kanë shkuar për të siguruar asetet e Tec VLorë. Në total, asetet e këtij TEC-i janë vlerësuar 85 miliardë lekë të vjetra. Pra, shumë herë më pak nga sa është investuar.
Fiks Fare shkoi në Tec Vlorë, ku foli me drejtorin e këtij impianti, Besnik Këndezi. Ai na tregoi mënyrën e funksionimit të TEC-it, që nga motorri, salla e komandimit e deri tek projektimi. Thotë se janë 60 punonjës që e mbajnë “nën konservim” këtë TEC. Në vit, kostoja financiare e shqiptarëve për të mirëmbajtur këtë TEC është 1 milionë euro.
Fiks Fare iu drejtua me një pyetje direkte KESH-it: A duhet të jepet me koncesion dhe nëse po, si do të operojë TEC Vlora? Përgjigjja e Korporatës ishte se “Përgjatë dy viteve të fundit TEC Vlora është vizituar nga përfaqësues dhe inxhinierë të kompanive të ndryshme publike dhe private. Ato kanë shprehur interesin për ta riparuar dhe mirëmbajtur TEC-in. Interesimi i tyre, nëse formalizohet, mbetet për tu shqyrtuar nga instancat përkatëse të qeverisë”. E njëjta pyetje iu dërgua edhe Ministrisë së Energjitikës, e cila dha këtë përgjigje: Në situatën ku ndodhemi, kur kjo vepër ka vite që është jashtë funksioni, opsioni i afrimit të operatorëve privat përmes partneritetit publik-privat mbetet i hapur. Pra, nuk bëhet fjalë për ndryshim pronësie, por për dhënien e të drejtës së operimit dhe mirëmbajtjes së veprave. Referuar rastit të TEC-it të Vlorës, ka kompani të ndryshme të cilat kanë shprehur interes për këtë opsion që përfshin riparimin, operimin dhe mirëmbajtjen. Institucionet shtetërore përgjegjëse janë duke shqyrtuar këtë opsion të mundshëm në përputhje me përcaktimet dhe procedurat e përcaktuara në legjislacion.
Ministria jep mendimin se Termocentrali mund të rivihet në punë me gas. “Që ky projekt të marrë jetë dhe të bëhet i vlefshëm për portofolin energjitik shqiptar është shumë e rëndësishme lidhja e tij me sistemin e gazit që të punojë dhe me gaz. Pra, një degëzim tubacioni nga gazsjellësi TAP në Fier drejt TEC-it të Vlorës” thotë ministria.





Lajmet e fundit nga