web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Mustafa Nano/ Anti-vetting-istët janë shqiptarët më të pakuptueshëm të 25 viteve të fundit

16 Korrik 2016, 18:27, Aktualitet CNA

Pas një debati politik të gjatë e të mërzitshëm lidhur me reformën në drejtësi, kemi arritur në pikën ku e vetmja gjë, për të cilën palët nuk bien dakord, është Vetting-u i kryer nga të huajt. Socialistët e Ramës nuk janë kundër. Madje, thonë se e duan. Nuk dihet nëse e duan vërtet, duket edhe e pakuptueshme që ta duan sinqerisht, pasi për shkak të tij, do ta pësojnë edhe vetë ata, por me gojë janë duke thënë se e konsiderojnë si një gjë të panegociueshme. LSI-istët e urrejnë këtë ide, por nuk e thonë. Përkundrazi, e maskojnë me fraza konsensusi, kompromisi, marrëveshjeje, dashurie, etj, etj. Demokratët e Berishës e urrejnë dhe nuk e fshehin që e urrejnë, s?ka gjë se qëndrimin e tyre e shesin për patriotizëm. Sa për ambasadorët e huaj, është e sigurtë që e duan. Pjesa tjetër e shqiptarëve, e përfaqësur prej zërash publikë, është e ndarë më dysh. Unë personalisht bëj pjesë tek ata që e duan Vetting-un. Kam pasur rezervat e mija për disa elementë të reformës, por diskutimi për to është arkivuar tashmë. Gjërat kanë ngecur te Vetting-u.

Pse jam për Vetting-un e bërë nga të huajt? Po e filloj nga fillimi. Po bëj një arsyetim, që në fakt e kam bërë vetmevete gjithë këto kohë. Ka një të dhënë që është e njohur për të gjithë: ?Sistemi i drejtësisë është tërësisht i korruptuar?. Kjo është një. Duke qenë tërësisht i korruptuar, është lehtësisht i kontrollueshëm nga politika. U bënë dy. Kaq mjafton për të arritur në përfundimin që ky sistem duhet ribërë. Me këtë kemi rënë dakord që të gjithë, apo jo? Ashtu siç ?kemi rënë dakord? që kjo reformë do të miratohet nga klasa jonë politike, sidoqë për të mund të mendojmë me plot të drejtë se është po aq e korruptuar sa edhe vetë sistemi i drejtësisë. Nuk ka kush tjetër ta miratojë.

Mirëpo, me kaq sa u tha, nuk kemi asnjë garanci se reforma mund të realizohet, aq më pak se mund të realizohet ashtu si duhet. Si i bëhet? Jep ca shpresa futja në lojë e ca aktorëve që gëzojnë një lloj besimi në publik. Po ku t?i gjejmë këta? Në Tiranë nuk i gjejmë dot. Në Tiranë nuk ka as institucione, as njerëz që gëzojnë besimin e publikut. Shoqëria civile është anemike. Media është më keq se drejtësia (një parantezë e dhimbshme: Media është aq keq, sa është e sigurtë se në këtë vend, të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit, punët do kishin shkuar më mirë pa gazetarët, se sa me ta; e me ç?duken bathët, edhe në dhjetë vitet e ardhshme do të jetë më mirë të jemi pa gazetarë e pa televizione e pa gazeta; mirëpo, për fat të keq kjo s?ka për të ndodhur). Institucionet e tjera publike e shtetërore janë ose partizane, ose të asfiksuara, ose të korruptuara. Atëherë? Atëherë shyqyr që ekzistojnë ambasadorët! Ambasadorët nuk janë autorët e ndonjë grushti shteti. Ata nuk po luajnë një rol që mezi presin ta luajnë. Ata po luajnë një rol që u është kërkuar ta luajnë. Kjo ka ndodhur gjithë kohën në Shqipëri, e cila është krijuar qysh në krye të herës nga ambasadorët (Ju kujtohet Konferenca e Ambasadorëve në Londër?) e ka funksionuar gjithnjë me ndihmën e ambasadorëve (duke përjashtuar periudhën e izolimit hoxhist). Ambasadorët, me protagonizmin e tyre të pakërkuar në jetën politike e publike shqiptare, janë prova ulëritëse e pafuqisë sonë për t?u vetqeverisur. Sikur të na linin të vetëm në punët tona, ne do të zinim të shqyenim sho-shoqin.

Ka ca njerëz që bëjnë sikur nuk e dinë këtë gjë. Duket sikur nuk i mban vendi deri sa t?i shohin ambasadorët jashtë kësaj loje. E nuk lënë gjë pa bërë e gjë pa thënë në këtë funksion. Sa për ilustrim, Ylli Rakipi e Fatos Lubonja, që janë dy syresh, bënë këtë bisedë parmbrëmë në një studio televizive. Rakipi ironikisht pyet: ?Pse vallë ambasadori amerikan po na e jep këtë ndihmë të madhe?? Lubonja seriozisht i përgjigjet: ?Ambasadori amerikan është i korruptuar nga Rama; kështu pëshpëritet nëpër korridore?. E duhet thënë se kur diskutimi zbret në nivele të tilla mejhanesh, nuk ke as ç?të thuash.

Është e habitshme që Vetting-u ka shqetësuar kaq shumë njerëz. I ka nxjerrë fare nga shinat. Dhe e gjitha kjo në një kohë që Vetting-u i bërë nga të huajt është i vetmi element garancie që ka e gjithë paketa e reformës, është e vetmja që e shpëton këtë reformë, është e vetmja që i jep kuptim reformës. Nëse bie Vetting-u, e gjitha reforma shndërrohet në një rrenë.

?Nuk mund t?ia lëmë sistemin e drejtësisë Edi Ramës. Ai do të na shtypë pastaj.? Kjo ka qenë alibia e tyre. Edhe është. Sipas tyre, Vetting-u është një marifet i Ramës. Të huajt që do ngarkohen me detyrën për të supervizuar procesin e shkarkimit e të rekrutimit të atyre që do të bëjnë shkarkimet e rekrutimet do të jenë nën komandën e Ramës.
Tani, kritikat që i bëhen Ramës janë një gjë. Një numër kritikash i kam bërë vetë, dhe i miratoj kur i bëjnë të tjerët. Kur e sheh që një rregull loje shihet nga Rama si një optional, për të mos thënë si një gjë bezdisëse, për të mos thënë akoma si një agjent që saboton vullnetin e tij të mirë e të virgjër, nuk ke se si të rrish rehat. Pastaj, është edhe mania e tij për të ndërtuar një qeverisje që të sillet si fugë rreth tij. Më falni, rreth Tij, me T të madhe. Kjo ka bërë që ai të mbajë pas vetes lloj-lloj nulitetesh, e t?u besojë atyre administrimin e një pjese të punëve publike. E përse do t?i duhen, xhanëm? Ai vetë del e tepron. Kjo ka bërë gjithashtu që qeverisja të jetë e korruptuar. Nuk kanë rëndësi provat e faktet në këtë mes. Sistemi i qeverisjes ka mbetur po ai. Transparenca është zero. Lëre pastaj, që për një pjesë të funksionarëve të qeverisë gjithë qyteti nuk resht së foluri. Zyrtarë të tillë nuk mund të merren në mbrojtje, siç bën Rama, me mendimin se nuk ka prova që janë të korruptuar. Një njeri që nuk mbron dot imazhin e tij publik, nuk mund të mbrojë interesat e publikut, edhe sikur të jetë realisht i pakorruptuar. Një njeri, për të cilin publiku beson se është i korruptuar, nuk duhet të mbajë asnjë ditë një post a përgjegjësi të rëndësishme, edhe sikur të jetë më i ndershmi i botës. Në fund, është një lloj feeling-u a kompleksi simpatie që Edi Rama ka manifestuar gjithnjë ndaj të fortëve e gangsterëve të provincës e të metropolit, të biznesit e të politikës, të medias e të jetës publike. Kur të bëhet një libër për Ramën (Nëse nuk ulet dikush për ta bërë, do ta bëj vetë. Kam plot gjëra interesante për të thënë), do të shkruhet me siguri për plot miqësira të çuditshme që ai ka pasur gjatë karrierës së tij politike. Ka për të qenë një biografi e lezetshme.

Ka edhe kritika të tjera që mund t?i bëhen. Por ka dy gjëra që duhen theksuar: Së pari, qeverisja e Ramës nuk ka të krahasuar me regjimin kriminal që kemi lënë prapa. Janë të çuditshme tentativat për të bërë paralele përngjasuese me kohët e Berishës, apo për ta nxjerrë qeverisjen e Ramës si më të ndyrën në historinë e këtij vendi, apo vetë Ramën si njeriun më të rrezikshëm e më të urryer. Janë edhe më të çuditshme kur këto paralele i bëjnë ca njerëz që më 21 janar 2011, kur Berisha vrau katër vetë në bulevard, e më pas fliste për stilolapsa pistoletë e thika me helm, belbëzonin si të shastisur e nuk ua nxinte goja një fjalë kundër asaj masakre të konsumuar ditën me diell, përpara kamerave. E shumta, që thoshin ishte një idiotësi e përbuzshme: ?Mirë, mirë, ne e dimë kush i vrau, por pyetja është kush i çoi para kryeministrisë për t?u vrarë!!!!?

Së dyti, kritikat nuk kanë lidhje me reformën. Ne nuk mund ta hedhim poshtë një reformë, meqënëse këtë reformë e do Rama. Neve na lipset më shumë reforma në drejtësi se sa pyetjet e llojit: ?Po të ishte se reforma do synonte të godiste të korruptuarit, pse do ta donte Rama??, ose ?Pse vallë Rama lëshon vazhdimisht pe ndaj kërkesave të opozitës? Ka një hile këtu.? Dhe përgjigjen e lënë të nënkuptuar: ?Kjo është provë e sigurtë se, sidoqë të bëhet, sistemi do bjerë në dorë të Ramës?. Hëm, mendja ta thotë se prej frikës së Ramës që do ta sundojë këtë vend, do duhej të gjenin pak ngushëllim te fakti që Vetting-un e kanë në duar të huajt, por është pikërisht Vetting-u, që atyre ua shpif. Pse? Sepse Rama i ka blerë të gjithë të huajt. Ose sepse ? ky është kulmi i maskarallëkut ? ?na cënohet sovraniteti?. Ma vaffanculo, va!

E dini? Sikur ta kisha në dorë, këtyre njerëzve që janë kundër Vetting-ut të bërë nga të huajt, do t?ua hiqja të drejtën e fjalës një copë herë. Derisa reforma të miratohej, kuptohet. Më pas, do t?i lija të lirë t?i jepnin gojës mbarë e mbrapsht. E të ndiqnin, sipas rastit, emocionet a interesat e tyre.





Lajmet e fundit nga