LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Grindja gjermano-greke - një rast për psikologun

19 Mars 2015, 00:49, Kosova & Bota CNA

Vlera argëtuese është e madhe, dëmi politik po ashtu. prej muajsh gjermanët dhe grekët sulmojnë verbalisht njëri-tjerin. Grindja ka aspekte të ndryshme, por të kujton edhe një konflikt brezash.

Në Bruksel ata janë “vetëm të nervozuar”, thotë një njohës i BE-së. Menaxhimi financiar grek është joerioz, teknikisht plot gabime, ndërsa komunikimi është një katastrofë e vërtetë. Ajo që sigurohet në tryezën e bisedimeve, bie poshtë me intervistën e parë, kritikon familja e madhe e BE. Ndërsa Greqia kolektive ndihet e patronizuar nga Evropa dhe e poshtëruar, sidomos nga Gjermania. Sidomos ministri i Financave, Yanis Varoufakis, zë rregullisht titujt e shtypit me kritikat e tij ndaj planit të BE për kapërcimin e borxhit grek. Eshtë një “waterboarding fiskal” dhe jo një plan shpëtimi për Greqinë, thuhet nga Athina.

Luftë fjalësh dhe simbolesh

Marrëdhëniet mes Berlinit dhe Athinës janë rënduar shumë. “To Vima”, gazeta me traditë e së dielës në Athinë, flet për “betejën e Berlinit”. Dhe Panos Kammenos, ministri i Mbrojtjes i Greqisë dhe përfaqësues i partisë së djathtë populiste në pushtet Anel, akuzon ministrin e Financae Wolfgang Schäuble, se bën një luftë psikologjike për të helmuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Kryetari i PSD, njëkohësisht zëvendëskancelar, Sigmar Gabriel, edhe ai një person, që nuk e peshon pa tjetër çdo fjalë, hidhet tani në mbrojtje të Schäubles (CDU), kolegut të tij në kabinetin qeveritar. “Tani mjaft më”, i tha ai gazetës”Bild”.

Ajo që ai nuk e pranon, janë “sulmet e vazhdueshme kundër ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble, nga zyrtarët e qeverisë greke.” Dhe tani hyn edhe gishti i mesit në lojë.

Dhe ai preokupon që nga e diela në mbrëmje teleshikuesit. Yanis Varoufakis shihet duke folur në Zagreb 2013. Në atë kohë, i ftuar si profesor ekonomie, ai pati referuar mbi eurokrizën dhe i rekomandoi vendit të tij që të atestojë insolvencën, por në të njëjtën kohë të qëndrojë në eurozonë. “(?) për t’i treguar Gjermanisë gishtin dhe për t’i thënë: Tani mund ta zgjidhni vetë problemin.” Në klip në këtë pjesë duket gishti i mesit, gjë për të cilën Varoufakis thotë, se është një fallsifikim. Pavarësisht, nëse është vërtetë, apo i fallsifikuar, ai i trondit edhe më tej marrëdhëniet gjermano-greke.

Rokeri Varoufakis kundrejt nëpunësit të shtetit Schäuble

Aktorët kryesorë në kakofoni janë ministrat e financave të dy vendeve. Konfrontimet e tyre publike kanë shumë nga konflikti atë-bir. Nga njëra anë greku rinor dhe sportiv me pikëpamje politike marksiste dhe qëndrime moderne. Një njëri i botës akademike dhe i teorisë. Kontrahenti i tij kryesor në BE është pothuajse në çdo aspekt e kundërta e tij.

Wolfgang Schäuble është në dekadën e pestë të tij në parlamentin gjerman, njëri i praktikës në politikë, me përvojë në arritjen e kompromisit. Kursimi është për këtë konservator rezon shtetëror, dhe për të është e huaj që të shpallë favore financiare. Ndërsa Greqia ndodhet para bankrotit, ai në 2014 i prezantoi Gjermanisë pas dekadash një buxhet të ekuilibruar. Varoufakis me këmishë gjithmonë të hapur dhe motorçikletë para Ministrisë duket si një anëtar i dikurshëm i një boy band. Schäuble nga ana tjetër është nëpunësi klasik i shtetit me një etos të llojit protestant për detyrën. Kësaj i shtohet edhe fakti se për gjermanin euro dhe stabiliteti i tij janë gati të shenjta. Sepse monedha e evropianëve nga perspektiva e Berlinit ka edhe rëndësi politike.

Faj dhe borxhe – Kompensim i historisë dhe i së tashmes

Politikisht e ndjeshme është edhe grindja, që ka shpërthyer sërish për lejimin e kërkesës greke për reparacione. Dokumentat me nënshkrimin R 27320, “Administrimi ekonomik në Greqi nën pushtimin gjerman”, krahas konfliktit juridik shkaktojnë edhe psikologjikisht tensione. Debatin e konsiderojnë të turpshëm jo vetëm shumë grekë, por edhe shumë historianë gjermanë kanë mirëkuptim për kërkesën për reparacione 70 vjet pas luftës. Akuza gjermane se Athina e sjell çështjen në rend të ditës vetëm tani në mes të betejës për likuiditetin e vendit, është e gabuar. Që në vitin 1995 Ministria e Jashtme gjermane është njoftuar se Greqia nuk heq dorë nga pretendimet për kompensime dhe dëmshpërblime.

Se sa e dëmtojnë BE si të tërë betejat verbale ndërmjet Athinës dhe Berlinit, kjo kuptohet edhe nga pohimet e presidentit të Këshillit të BE, Donald Tusk. Polaku flet në gazetën “Süddeutsche Zeitung” për një skenar idiot. Ai paralajmëroi shtetet e BE, që të mos hedhin pa dashje nga BE Greqinë me borxhe. Në historinë evropiane ka patur shumë keqkuptime, aksidente dhe telefonata të marra, tha Tusk. DW

Lajmet e fundit nga