web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Hija e Fullanit mbi Shqipërinë time

8 Shtator 2014, 07:25, Opinione CNA

Prof. Agim Vinca

Në shtator të vitit 2007, duhet të ketë qenë fillimi i muajit, kur moti është ende i ngrohtë, qëllova në Pogradec. Isha ftuar për një takim letrar me nxënësit dhe arsimtarët e shkollës së mesme të fshatit Buçimas (ish-Starovë), takim ky që kishte si shkas 60-vjetorin tim të lindjes. Ftesa më kishte ardhur nga kryetari i komunës Buçimas, emri i të cilit fatkeqësisht nuk më kujtohet dhe unë iu përgjigja pozitivisht, duke udhëtuar nga Prishtina në Strugë dhe nga Struga në Pogradec, via Qafëthanë. Takimi u mbajt në lokalet e shkollës. Dikush foli për krijimtarinë time, nxënësit kishin përgatitur një recital me vargjet e mia, folën edhe dy-tre të tjerë, kryesisht miq të mi, krijues nga Pogradeci; përshëndeti edhe kryetari i komunës, që ishte i pranishëm në takim dhe, në fund, siç ndodh rëndom në këso rastesh, më erdhi radha mua, që isha ?sebepi? i takimit. I falënderova nikoqirët për ftesën dhe mikpritjen, thashë ndonjë fjalë për rolin e krijimtarisë letrare në jetën e njerëzve dhe, natyrisht, lexova ndonjë poezi.

Pati, sa më kujtohet, edhe një koktej rasti, modest gjithsesi dhe pastaj, unë dhe shoqëruesi im, pronari i Televizionit ?Art-Kanal? në Strugë, që kishte ardhur ta regjistronte veprimtarinë, shkuam në hotel, në Tushemisht, ku na ishte siguruar fjetja për një natë. Struga dhe Pogradeci nuk janë larg, por ja që nikoqirët kishin dashur të më respektojnë duke e zgjatur edhe pak qëndrimin në mesin e tyre.
Të nesërmen në mëngjes, kur unë dhe shoqëruesi im po dilnim nga hoteli dhe po bëheshim gati të merrnim rrugën për në Strugë, një hallakamë e madhe kishte përfshirë krejt hapësirën rreth e rrotull. Lëvizje njerëzish, civilë e të uniformuar, makinash, xhipa të zinj e të bardhë, barka me rrjeta peshkatarësh në liqen, njerëz me çizme të gjata deri në brez dhe çkamos tjetër. Nga parkingu ku e kishim lënë makinën dhe ku po vendosnim plaçkat para se të niseshim për në Strugë, tani nga Shën Naumi, e sodisja këtë skenë dhe nuk po kuptoja se ç?po ndodhte. Ecejaket vazhdonin, fuoristradat venin e vinin, barkat me rrjeta e peshkatarë prisnin në ujërat e qeta të liqenit, me ato çizmet e gjata deri në brez, që s?i kisha parë kaherë? Një ethe e vërtetë, një marramenth! Duke mos qenë në gjendje ta kuptoj se ç?po ndodhte, se përse kishte kaq shumë njerëz e lëvizje, pyeta një burrë që u ndodh aty pranë, i cili m?u përgjigj:

– Po vjen Guvernatori i Shqipërisë në peshkim!

Kaq tha qytetari i thjeshtë pogradecar, i cili, nuk ishte pjesë e ?ekipit? që kujdesej për ardhjen e lartmadhërisë së tij, Guvernatorit, por ishte gjendur aty, rastësisht, sikurse edhe ne ose kishte dalë për të bërë sehir.

Ishte fundjavë, ditë e shtunë dhe Guvernatori i Shqipërisë, Ardian Fullani, me suitën e tij, kishte zgjedhur ta kalonte atë ditë në Pogradec, në ujërat e liqenit.

Vetë Guvernatori nuk po dukej ende në horizont, së paku jo trupërisht, por hija e tij rëndonte si makth mbi këtë fshat të qetë e të bukur turistik, në Tushemisht.

Më është kujtuar shpesh kjo skenë, për të mos thënë se nuk më është hequr mendsh, gjatë gjithë kësaj vere, nga dita kur doli në opinion skandali i paparë i vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, institucion në krye të të cilit deri dje, kur u arrestua për shpërdorim detyre, qëndronte stoikisht si guvernator, tani ish-guvernatori, Ardian Fullani.

Ardian Fullani! Kurrë më parë s?e kisha dëgjuar këtë emër! Deri ditën që erdhi në krye të Bankës së Shtetit Shqiptar, duke u stolisur me titullin kumbues ?guvernator?: Guvernator i Shqipërisë! Dhe ja, tani, që NMT, Guvernatori Fullani (me suitën e tij) po vinte në peshkim në Tushemisht, tërë Pogradeci ishte ngritur në këmbë si të ishte ringjallur Enver Hoxha!

Pyesja veten: Mos është Fullani pogradecar, që i bëjnë gjithë këtë nder? Jo. Nuk e besoj, edhe pse nuk e di ku ka lindur e nga vjen. Po edhe nëse është, ç?rëndësi ka!

Nga Pogradeci ishte Dhimitër Pasko, i njohur në letërsi si Mitrush Kuteli, ekonomist i njohur, specialist i sistemit bankar, i cili sakrifikoi karrierën e tij si bankier për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar dhe, madje, dy herë radhazi: herën e parë në ?44-n, kur iu kundërvu gjermanëve që donin të grabisnin arin shqiptar, ashtu siç kishin vepruar më parë edhe italianët, kurse herën e dytë në ?45-46-n, kur kundërshtoi jugosllavët për çështjen e paritetit mes lekut dhe dinarit.

Kundërshtoi dhe e pësoi, autori i Ago Jakupit dhe i Poemit kosovar, shkrimtari dhe ekonomisti atdhetar e idealist, Dhimitër Pasko, alias Mitrush Kuteli.

E kisha harruar skenën e Tushemishtit tulatur diku në periferi të kujtesës dhe as që do ta kujtoja mbase fare, po të mos kishte ndodhur skandali i paparë i vjedhjes së 713 milionë lekëve, në vlerë prej rreth shtatë milionë eurosh nga Banka e Shtetit, skandal ky që u quajt me të drejtë ?vjedhje e shekullit?.
Nuk më pat pëlqyer aspak ajo skenë. Përkundrazi. Më pat lënë shije të hidhur. Dhe, pa dashur të bëhem profet e patetik, nuk mund të mos them se zemra më ndjeu diç për keq, larg qoftë!

Ç?janë këta zyrtarë, ministra, deputetë, kryetarë partish e guvernatorë bankash të Shqipërisë së varfër që sillen kështu, si të ishin sheikë a princër?! Përse duhet të shqetësohet i tërë një fshat kur një nëpunës shteti, çfarë do të duhej të ishte, në kushte normale, guvernatori, vendos të vijë nga Tirana në Pogradec, për t?i kaluar disa orë në ujërat e liqenit, për rekreacion a peshkim? Përse gjithë ky çallam e tërsëllëm?
Fullani si Sulltani! Një poet satirik e quajti edhe Fullhajni!

Në Danimarkë, kryeministri i shtetit, ditën e diel, me zymbyle në dorë, del vetëm, pa përcjellje, për të psonisur. Në Suedi, kryeministrin Ulof Palme e patën qëlluar duke dalë nga kinemaja në mbrëmje, me të shoqen, si qytetar i thjeshtë. Një miku im francez, profesor universiteti dhe drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Filozofisë ?Zhak Derrida?, shkonte e vinte në punë me biçikletë. Kur e ngacmova një ditë duke dalë nga zyra e tij në qendër të Parisit, jo larg Panteonit, ma ktheu me ironi: ?Nuk jemi të pasur si ju!?. (Kishte qenë në vizitë në Prishtinë, pas luftës, sa për të parë snobizmin tonë provincial dhe megalomaninë prej honxhobonxhosh ballkanikë!).

Tek ne, në Tiranë e Prishtinë e, besa, edhe në Shkup e Tetovë, zyrtarët e shtetit, deri edhe të nivelit të zëvendësministrave dhe këshilltarëve të shumtë e të kotë, pa harruar as zëdhënësit e pazë, edhe punët private i kryejnë me makina zyrtare. Të mos flasim pastaj për ?të mëdhenjtë? fare, të cilët kanë privilegje të pafundme, ndërsa kur ndodh, kur kuturisin, në të rrallë, të vijnë në ndonjë manifestim kulturor (ta zëmë, në shënimin e përvjetorit të ndonjë shkrimtari apo, eventualisht, edhe në ndonjë promovim libri) ? se në tubimet politike po se po, në sallë dhe rreth saj bëhet ?pordhë e piskamë?, si thuhet në Kosovë.
Kanë kaluar plot shtatë vjet nga dita e ?takimit? tim me Guvernatorin e Shtetit Shqiptar, Ardian Fullani, që, në një plan tjetër, më sublim, do të mund të quhej edhe ?ndeshje? (e pabarabartë) e poetit me guvernatorin e shtetit, ku pozita e të parit, poetit, i ngjan asaj të albatrosit bodlerian, kurse e të dytit, guvernatorit, pozitës së marinarit që mban në duar timonin e anijes (së shtetit) dhe tallet me zogun krahthyer!

Guvernatorin Fullani nuk e kam takuar kurrë në jetë, sepse asgjë s?më lidh me të; e kam parë vetëm në televizor, secilën herë të pispillosur e të krekosur si një pallua që i mban pendët vazhdimisht të hapura, siç thotë Kazanxaqisi për një mikun e vet snob, te libri Udhëtim në Malin e Shenjtë.

Prita që Guvernatori Fullani të jepte dorëheqje menjëherë pas bërjes publike të skandalit, vjedhjes së shekullit, pavarësisht në ishte ai vetë, personalisht, fajtor, për atë që ndodhi. Por kjo nuk ndodhi.
As nuk kishte gjasa të ndodhte, po të mos kishte vepruar dora e shtetit, duke u vënë prangat në dorë të dyshuarve për ?shpërdorim detyre?.

Pothuajse gjatë gjithë verës Fullani ishte në qendër të vëmendjes së medias. Gazetat dhe portalet, më pak TV-të, sillnin për çdo ditë të dhëna mbi pozitat e forta të Fullanit si Guvernator, si dhe mbi jetën luksoze të tij dhe familjarëve të tij.

Kot. Ai nuk tundej nga kabineti. Si shumë të tjerë para tij. Nuk ndiente asnjë përgjegjësi!
Mësoj se Guvernatori Fullani është gati dhjetë vjet në krye të Bankës së Shqipërisë dhe se është emëruar në këtë post në tetor të vitit 2004.

Mësoj se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është guvernatori më i paguar në botë, pas atij të Anglisë; se të ardhurat e tij vjetore janë 11.7 herë më të larta se të ardhurat mesatare të shtetasve të Republikës së Shqipërisë dhe se rroga e tij mujore është tri herë më e lartë se ajo e guvernatorit më të rëndësishëm në botë, amerikanit Ben Bernanke dhe se, madje, sado që mund të duket e pabesueshme, të ardhurat e tij janë më të larta edhe se ato të njeriut më të fuqishëm në botë, presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barak Obama!

Mësoj se nga pikëpamja profesionale është mediokër dhe se pjesën dërrmuese të kohës e kalon duke shtruar dreka e darka ose duke organizuar ekspedita qejfesh si ajo në Pogradec.

Mësoj gjithashtu se i biri i tij, Erik Fullani, vozit makinat më luksoze dhe frekuenton hotelet dhe restorantet më të shtrenjta; se reklamon, nëpërmjet Facebook-ut, koleksionin e orëve të shtrenjta, me çmime marramendëse, të tilla çfarë mund të kenë vetëm futbollistët më në zë të botës, në mos as ata dhe se në çastet e mërzizë, kur e kaplon vapa prej kotësisë, fshin djersët me monedha prej pesëqind eurosh, gjë që mund të shihet live në fotografitë e botuara në shtyp.

Skena e 2007-s në qytetin e Lasgushit e të Kutelit, m?u rishfaq fuqishëm mbrëmë, kur dëgjova lajmin për arrestimin e Fullanit dhe të bashkëpunëtores së tij të ngushtë, kryeinspektores Elivar Golemi.
Tani fjalën e ka drejtësia. Do të funksionojë, vallë? Ne shqiptarët këndej kufirit, sytë dhe veshët i kemi te ?shteti amë?, sepse pa Shqipëri stabile, s?ka Kosovë të konsoliduar dhe as përmirësim të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë.

Arrestimi i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe bashkëpunëtorëve të tij të implikuar në vjedhjen e thesarit të shtetit, ngjall shpresë se Shqipëria, më në fund, nga një guvernë e braktisur, pa ligj, rend e përgjegjësi, ka gjasa të shndërrohet në shtet ligjor.

Le të shpresojmë! Urojmë që të jetë ashtu!





16:32 Opinione

MË SHPËTOI FB?!

HABERET E MITROSNga Mitro CELAKur mbusha 65 pranvera, vendos...

Lajmet e fundit nga