web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush e urdhëroi arrestimin e Guvernatorit Fullani?

6 Shtator 2014, 22:03, Opinione CNA

Arrestimi i Guvernatorit Fullani nuk është rrjedhim logjik i mënyrës se si Prokuroria i ka bërë deri më tani hetimet për çështjen e vjedhjes në Thesarin e Bankës së Shqipërisë. Duket qartë se arrestimi i Fullanit ka ardhur si pasojë e një ndërhyrjeje nga jashtë Shqipërisë. Ngjarje si vjedhja në thesarin e bankës qendrore të Shqipërisë bëjnë në rrafsh ndërkombëtar efektin e gurit që bie në një pellg me ujë, çka sjell përhapjen e valëve rrethore. Edhe kjo ngjarje bëri këtë efekt në kryeqytetet e vendeve partnere të Shqipërisë dhe dalëngadalë lajmi dhe analizat për domethënien e tij, filtruan procedurat burokratike duke kaluar në zyrat e larta shtetërore. 
Shqipëria është anëtare e NATO-s, pra i përket një klubi elitar global, që tashmë ka marrë përsipër sigurinë globale. Kur në një vend anëtar të NATO-s vidhet Thesari i bankës qendrore, kjo gjë nuk kompromenton thjesht këtë vend, por krejt klubin e shteteve që e pranojnë këtë shtet në tryezën e tyre një vend të tillë ku duket se deri edhe thesari i bankës qendrore është jashtë kontrollit të shtetit. Natyrshëm lind pyetja nëse shteti ka diçka nën kontroll realisht në këtë vend. Prandaj nga zyrat e rëndësishme të vendeve kryesore partnere të NATO-s i erdhën Tiranës kumte se duhej vepruar në atë mënyrë që të krijohej ideja se shteti megjithatë ekzistonte në Shqipëri dhe i kishte gjërat nën kontroll. Pra duhej arrestuar personi qartësisht përgjegjës për atë që kishte ndodhur, Guvernatori Fullani.
Arrestimi i Fullanit zbuloi edhe se kush i kishte dhënë garanci atij se nuk do të kishte pasoja për atë që kishte ndodhur. Jo rastësisht, ditën që u arrestua Fullani gjendeshin jashtë Shqipërisë Kryeministri Rama dhe Prokurori i Përgjithshëm Llalla. Pikërisht këta të dy qenë personat të cilët në korrik i kishin dhënë garanci Fullanit se nuk do të arrestohej. Edi Rama ia ofroi këtë garanci Fullanit në këmbim të 50 milionë eurove, të cilat ai duhet t? ia paguante deri në 2018, kur i mbaronte mandati si Guvernator. Atyre që iu duket si tepër e madhe kjo shumë, iu bëj pyetjen se sa mendojnë ata se është pasuria e Fullanit? Por për këtë do të shkruaj në një rast tjetër. Prokurori i Përgjithshëm ishte gati që ta mbronte Fullanin, me kusht që të ishte dakord edhe Kryeministri Rama. Vetë Fullani u bë ndërmjetës për marrëveshjen mes tyre.
Arrestimi i Fullanit është kërkuar nga partnerët ndërkombëtare që në fund të gushtit. Kryeministri Rama bëri një marrëveshje me Prokurorin e Përgjithshëm që arrestimi të ndodhte kur ai (Rama) të mos ishte në Shqipëri. Meqënëse në fillim të shtatorit Rama do të largohej nga Shqipëria për të marrë pjesë në takimin vjetor të NATO-s, ky ishte një rast ideal që të bëhej arrestimi. Dhe arrestimi u bë pikërisht ditën e dytë të Takimit të NATO-s. Merret vesh iu la e lirë Kryeministrit Rama dita e parë e summit-it të NATO-s, për të pushtuar faqet e gazetave dhe ekranet e televizioneve lajmet dhe fotot e Kryeministrit në summit. Ditën e arrestimit të Fullanit, në Shqipëri mungoi jo vetëm Kryeministri por edhe Kryeprokurori, pra munguan dy njerëzit të cilët në korrik qenë dakorduar për ta mbrojtur Guvernatorin. 
Prokuroria e ka arrestuar Fullanin për kryerjen e një vepre penale (?shpërdorim detyre?) cila është formuluar në mënyrë të tillë në Kodin Penal që në rastin konkret e lehtëson mbrojtjen e të pandehurit, dhe e vështirëson punën e akuzatorit. Së pari, pozita e Fullanit lehtësohet nga fakti se ai nuk akuzohet se ka përfituar në mënyrë të padrejtë, që është rasti më i rëndë i kryerjes së veprës penale që parashikon neni 248 i Kodit Penal. Së dyti pozita e Fullanit lehtësohet nga fakti se dëmi i shkaktuar nga mosveprimet e tij, nuk është pasojë e drejtpërdrejtë e tyre, por ka ardhur si pasojë e veprimeve të personave të tjera. Me këtë kualifikim të veprës penale, praktikisht nuk mund të ndërtohet lidhja shkakësore midis mosveprimeve të Fullanit dhe dëmit që i është shkaktuar interesave të ligjshme të shtetit dhe shtetasve, sic thotë neni 248. Si hallkë e domosdoshme në këtë lidhje shkakësore të supozouar janë veprimet e një personi tjetër, Bitrajt, por në këtë rast, për të bashkuar në një lidhje shkakësore mosveprimet e Fullanit që nuk akuzohet për përfitim, me veprimet e Bitrajt që akuzohet për përfitim, duhet që praktikisht të provohet bashkëpunimi mes tyre, çka Prokuroria nuk e pretendon aspak. Merret vesh, Prokuroria do ta kishte më të lehtë të ngrinte një akuzë sipas Nenit 136, për vjedhje të bankave, duke siguruar bashkëpunimin e Bitrajt, i cili qartësisht ka dëshirë të bashkëpunojë por këtë gjë nuk e do Prokuroria, ashtu siç nuk e deshi Policia e cila e refuzoi që në fillim ofertën e Bitrajt për bashkëpunim. 
Neni 248 thotë se një person mund të akuzohet për shpërdorim detyre vetëm kur veprimet ose mosveprimet e tij nuk përbëjnë vepër tjetër penale, të parashikuar posacërisht në Kodin Penal. Të arrestuarit deri më sot nga Prokuroria, duke përfshirë edhe Guvernatorin, duhet të ishin proceduar penalisht sipas paragrafit të dytë të nenit 136 të Kodit Penal, që është ?Vjedhja e bankave në bashkëpunim dhe më shumë se një herë?. Nëse Prokuroria do të kishte vullnetin për të kërkuar prova mbi bashkëpunimin e personave të arrestuar, duke e parë këtu një rast specifik të bashkëpunimin si nocion juridiko-penal, nën dritën e kompetencave që kishin të gjithë këta persona, atëherë me siguri që Prokuroria do të kishte qenë në gjendje të ndërtonte akuzën për vjedhje të bankës në bashkëpunim. Juristët do të thonë se vjedhja në bashkëpunim kërkon që të vërtetohet me prova përvetësimi. Ashtu është por kjo mund të arrihej lehtë nëse Prokuroria dhe Policia e Shtetit do të kishin pasur vullnet për të pranuar ofertën e Bitrajt për bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë, të cilën ai e bëri që para se Banka e Shqipërisë të bënte kallzim penal në Prokurori ndaj tij. 
Prokuroria i kishte të gjitha provat për ta arrestuar Drejtorin e Departamentit Juridik të Bankës së Shqipërisë, i cili pastaj do të ishte i detyruar të tregonte se me urdhër të Fullanit manipuloi provat dhe krejt atë që kishte ndodhur, duke e nxjerrë Fullanin si denoncues të vjedhjes, çka avokatët e Fullanit do ta përdorin shumë në gjyq. Drejtori i Departamentit Juridik mund të akuzohej lehtë për më shumë se një vepër penale se ai bashkëpunoi për të fshehur krimin duke mos vënë në dijeni Policinë e Shtetit që në momentin kur u zbulua vjedhja.
Nuk ka dyshim se Prokuroria, qëkurse u bë publike vjedhja në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, bëri lojën e Fullanit. Them qëkurse u bë publike vjedhja se ajo në fakt nuk u zbulua, por thjesht u bë publike në një moment të caktuar kur gjërat dolën nga kontrolli. Prokurorinë e vuri në lëvizje Fullani, me kallzimin penal të kryer nga Banka e Shqipërisë, si pjesë e planit që ai vetë t? i ikte përgjegjësisë për vjedhjen te Thesari. Ende dhe sot, më tepër se një muaj e gjysmë pasiqë Prokuroria ka ardhur në dijeni për vjedhjen në Thesarin e bankës qendrore, ajo ka akuzuar vetëm një person për vjedhjen e parave, pikërisht atë që akuzoi edhe Fullani në kallzimin penal që bëri në korrik. Prokuroria i është përmbajtur me besnikëri linjës të përcaktuar nga Fullani në kallzimin zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke e bërë kualifikimin e veprës penale sipas nenit 135 të Kodit Penal, do të thotë thjesht për veprën penale të ?Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën?, pavarësisht se vjedhja është bërë në Thesarin e një banke, aq më tepër të bankës qendrore. Madje ende sot, kur tashmë janë arrestuar 20 persona, Prokuroria megjithatë i qëndron versionit fillestar të Guvernatorit Fullani se vetëm Ardian Bitraj ka vjedhur para në Thesarin e bankës qendrore, ndërsa të tjerët, duke përfshirë edhe Guvernatorin dhe Inspektoren e Përgjithshme, me mosveprimet e tyre kriminale vetëm sa i kanë krijuar mundësi atij që ta bëjë këtë gjë.
Të gjitha këto të bëjnë te mendosh se kjo cështje e bujshme do të përfundojë, në rastin më të keq për Fullanin, duke u dënuar ai nga gjykata me kohën e paraburgimit. Megjithatë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë do të jenë të kënaqur se u bë dicka konsistente që tregon se Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s me kredenciale relativisht serioze. Lajmi për arrestimin e Fullanit do të qarkullojë në televizionet, gazetat dhe agjencitë e mëdha të lajmeve në botë, ndërsa lirimi i tij më vonë, kuptohet se nuk do të përbëjë ndonjë lajm ndërkombëtar.
Ironia e madhe e arrestimit të Fullanit është se kur Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht se është arrestuar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani, u konfirmua kështu ajo që kam thënë unë se në regjistrin e Gjendjes Civile ekziston vetëm Adrian Fullani, ndërsa në detyrën e Guvernatorit është dekretuar nga dy Presidentë dhe zgjedhur dy herë nga Kuvendi? Ardian Fullani, i cili ka nënshkruar me këtë emër të gjithë aktet e Bankës së Shqipërisë, duke përfshirë dhe kartmonedhat. Prokurori Ramadan dhe shefat e tij bëjnë sikur nuk e shohin këtë anomali që në fakt fsheh ?minën? më të madhe të kësaj çështjeje. Kur të shpërthejë kjo ?minë? prokurori Ramadan dhe shefat e tij do ta kuptojnë se megjithatë i kanë blerë lirë prangat duke arrestuar Adrian Fullanin për një krim të kryer nga Ardian Fullani.





Lajmet e fundit nga