web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Skënderbeu "zgjohet" në fund të merkatos, zbulohen afrimet te korçarët

1 Shkurt 2025, 14:11, Sport CNA

Skënderbeu "zgjohet" në fund të merkatos, zbulohen

Në orët e fundit të merkatos, Skënderbeu ka qenë një nga skuadrat më aktive, duke kryer pesë afrime të rëndësishme.

Një nga lojtarët e rinj që i është bashkuar Skënderbeut, është sulmuesi egjiptian Saleh Nasr, një emër i njohur për futbollin shqiptar. Ai ka qenë pjesë e Teutës, por tashmë do të veshë fanellën bardhekuqe. Në ndeshjen e fundit mes Teutës dhe Vllaznisë, Nasr ishte i pranishëm në stol, por nuk u aktivizua, duke dhënë sinjale për një largim të mundshëm që më pas u finalizua.

Përveç Nasrit, Skënderbeu ka siguruar shërbimet e Amadu Sabo. Bëhet fjalë për një mesfushor nigerian që vjen nga Hamarbi i Suedisë. Ai do t’i bashkohet skuadrës në ditët në vijim dhe pritet të sjellë freski në mesfushën korçare. 20-vjeçari Sabo është një lojtar premtues dhe në të kaluarën ka zhvilluar tre ndeshje me kombëtaren nigeriane. Sezonin e fundit ai luajti si i huazuar në Finlandë me ekipin Marieham, ku u aktivizua në 21 ndeshje dhe shënoi 1 gol.

Një tjetër përforcim për repartin e mesfushës është Altin Ukici, një 19-vjeçar nga Kosova, i cili ka luajtur më parë me Liberec B në Çeki dhe më parë me të rinjtë e Zadarit në Kroaci.

Përveç mesfushës, Skënderbeu ka investuar edhe në repartin ofensiv, duke sjellë tre sulmues të rinj, me qëllimin e qartë për të plotësuar boshllëkun e lënë nga largimi i Rashicës.

Në këtë repart, veç Saleh Nasrit, janë afruar edhe braziliani 26-vjeçar Zhoao Felipe dhe 20-vjeçari nga Gambia, Benson Jang.

Felipe ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij në Brazil dhe është një sulmues anësor, i aftë të mbulojë të dy krahët e ofensivës. Kjo aftësi e tij për të luajtur në disa pozicione ka bindur drejtuesit e Skënderbeut për ta afruar. Në sezonin e fundit, ai ka qenë pjesë e ekipeve Ypiranga dhe Joinvill, ku shënoi 10 gola.

Me këto afrime, numri i transferimeve të reja te Skënderbeu shkon në shtatë, pasi më parë ekipi kishte siguruar shërbimet e Estrela dhe Lukinas.

Këto ndryshime e bëjnë Skënderbeun një skuadër shumë më konkurruese, sidomos në betejën për mbijetesë. Trajneri Ernest Gjoka tashmë ka në dispozicion një grup më të plotë lojtarësh dhe do të synojë të nxjerrë maksimumin prej tyre për të larguar skuadrën nga zona e rrezikut në renditje.





Lajmet e fundit nga