web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Elbasani cinik ndaj Egnatias, Partizani merr fitoren dramatike

9 Nëntor 2025, 19:10, Sport CNA

Elbasani cinik ndaj Egnatias, Partizani merr fitoren dramatike

Elbasani nuk ndalet. Skuadra verdheblu regjistroi fitoren e katërt radhazi në Superiore. Skuadra e Gvozdenovic, ka triumfuar me rezultatin minimal 1-0 ndaj Egnatias, në ndeshjen e javës së 11-të të kampionatit, zhvilluar në "Elbasan Arena".

Takimi nisi me ritëm të kujdesshëm nga të dyja skuadrat, me Elbasanin që kërkonte kontrollin e lojës dhe Egnatian të fokusuar në kundërsulme. Rastet e para të rrezikshme erdhën në pjesën e parë, por asnjëra palë nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës. Momenti vendimtar i sfidës ndodhi në fillim të pjesës së dytë, kur në minutën e 49-të Egnatia mbeti me një lojtar më pak, pas ndëshkimit me karton të kuq të mbrojtësit Haime për një ndërhyrje të gabuar.

Elbasani përfitoi menjëherë nga epërsia numerike dhe ushtroi presion në zonën kundërshtare. Në minutën e 67-të, Tsague realizoi golin e vetëm të takimit, pas një aksioni të ndërtuar mirë nga krahu i majtë.

Deri në fund, skuadra e trajnerit Gvozdenovicc administroi avantazhin dhe mori tre pikë të rëndësishme, duke u ngjitur në vendin e dytë të renditjes me 23 pikë, aq sa ka edhe Vllaznia në krye. Ndërkohë, Egnatia mbetet në vendin e tretë me 19 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Partizani ka arritur një përmbysje spektakolare ndaj Teutës, duke fituar me rezultatin 3-2 në stadiumin “Niko Dovana”.

Pjesa e parë i takoi tërësisht Teutës, që dominoi dhe shënoi dy herë me anë të Macollit dhe Tolit, duke e mbyllur fraksionin e parë në avantazh të dy golave.

Megjithatë, pas pushimit, ndeshja ndryshoi plotësisht. Trajneri i Partizanit bëri ndryshime në formacion, duke aktivizuar Contreras, i cili u bë protagonist absolut.

Sulmuesi barazoi shifrat me dy gola të shpejtë në minutat 58 dhe 66, duke kthyer ekuilibrin në takim. Pak minuta më herët, në minutën e 63-të, Teuta pati mundësinë për të shënuar të tretin, por goditja e penalltisë nga Gonzalez u ndal në shtyllë.

Në minutën e 76-të, Partizani mbeti me një lojtar më pak, pasi Contreras u ndëshkua me karton të kuq. Megjithatë, edhe me 10 lojtarë, të kuqtë arritën përmbysjen e madhe.

Në minutën e 86-të, ishte Toma që shënoi golin e tretë dhe të fitores, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-2. Ky sukses i jep frymëmarrje Partizanit, që tashmë mban vendin e tetë me 12 pikë, tre më pak se Teuta e vendit të pestë.





Lajmet e fundit nga