web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Duka kujton fillimet dhe sfidat në FSHF: Ajo mbrëmje tetori, emocioni më i madh...

6 Tetor 2025, 14:18, Sport CNA

Duka kujton fillimet dhe sfidat në FSHF: Ajo mbrëmje tetori, emocioni

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë një intervistë ndryshe për revistën “Bordo”.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u ndal tek ëndrra e madhe e pjesëmarrjes në Botëror, duke theksuar se është një objektiv real për të cilin po punohet me përkushtim, pas dy pjesëmarrjeve në Europian. Presidenti Duka kujtoi momentin historik të kualifikimit në "Euro 2016", përshkroi sfidat e drejtimit të FSHF-së, si ndërtimi i infrastrukturës dhe forcimi i lidhjeve me UEFA-n e FIFA-n, si dhe theksoi ambicien për të sjellë në Shqipëri Superkupën e Europës në vitin 2028.

Ëndrra e Botërorit është në prag, për ju sa e prekshme është kjo ëndërr?

"Futbolli është një sport i magjishëm pikërisht për faktin se të jep mundësinë të ëndërrosh. Më shumë sesa ëndërr, arritja e finaleve të kompeticionit më të madh në botë, është një objektiv për të cilin kemi punuar gjithë këto vite. Tashmë kemi përjetuar dy pjesëmarrje në Kampionatin Europian dhe mendoj se Kombëtarja është rritur përgjatë këtij rrugëtimi, ku kemi një grup të konsoliduar futbollistësh cilësorë, të cilët së bashku me stafin teknik po punojnë për të na çuar çdo ditë e më shumë drejt synimit tonë.

Sigurisht që do të jetë shumë e vështirë, por skuadra duhet të shpresojë në maksimum dhe të luftojë deri në fund për të arritur në vendin e dytë. Duhet të kemi parasysh që edhe faza 'play-off' është e një shkalle shumë të lartë vështirësie, por shanset janë aty dhe në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Ajo që kërkojmë është që skuadra të luftojë deri në fund, me zemër dhe pasion, duke mbajtur gjallë shpresën dhe ëndrrën për të arritur aty ku asnjëherë më parë nuk kemi qenë."

 

Cili ka qenë momenti më sfidues gjatë drejtimit tuaj të Federatës Shqiptare të Futbollit?

"Nuk mund t’i ndaj sfidat nga njëra-tjetra si ngjarje të izoluara. Në këto vite, çdo etapë ka pasur vështirësitë dhe dilemat e veta. Të ndërtoje nga e para një infrastrukturë moderne futbolli, të ngrije një sistem të besueshëm organizativ, të ndërtoje raporte bashkëpunimi me UEFA-n dhe FIFA-n, nuk janë gjëra që ndodhin brenda ditës. Janë procese të gjata, që kërkojnë vizion, durim, edhe shumë durim.

Por kur më pyesin për një moment që përmbledh gjithë këtë përballje me sfidat, gjithmonë më vjen ndër mend ajo mbrëmje e tetorit 2015 në Armeni. Ishim në një stadium bosh nga shqiptarët, por me një skuadër që e ndiente gjithë peshën e një kombi mbi supe. Fituam 3-0 dhe bëmë histori, për herë të parë, Shqipëria shkonte në një Europian.

Ai moment nuk ishte thjesht një sukses sportiv. Ishte një lloj shpërthimi emocional, një shpërblim për çdo rezistencë, për çdo pengesë që ishte kapërcyer gjatë rrugës. Isha aty me ekipin, me stafin, dhe pavarësisht se mungonin tifozët në tribuna, emocioni i asaj nate ishte më i fortë se çdo stadium plot. Kualifikimi në 'Euro 2016' nuk ishte vetëm një ëndërr e realizuar, por një pikë kthese për gjithë mënyrën se si e shihnim veten në botën e futbollit."



Kur kujtoni momentin, që morët drejtimin e FSHF-së, cila ishte ëndrra juaj?

"Kur mora drejtimin e Federatës, shumë njerëz afër meje më thanë: 'Është një detyrë e lehtë, pozicion nderi… nuk ka shumë angazhime, thjesht do të jesh figurë përfaqësuese'. Por nuk vonoi shumë dhe e kuptova që ishte krejt e kundërta.

Futbolli është një botë që të përpin me të gjitha dimensionet e saj, kërkon përkushtim të plotë, vizion, vendimmarrje të forta dhe një rezistencë të jashtëzakonshme ndaj presioneve që vijnë nga të gjitha drejtimet. Në atë kohë, futbolli shqiptar ishte larg nga gjithçka që kemi sot. Nuk kishte infrastrukturë, nuk kishte një sistem të ndërtuar, as identitet të qartë në arenën ndërkombëtare. Por kjo më dha shtysën për të pasur një ëndërr shumë të qartë: të ndërtonim një themel të fortë që do t’i jepte futbollit shqiptar jo vetëm organizim dhe kushte, por edhe krenari.

Më pas, shumë nga ato që dikur dukeshin si ëndrra, nisën të bëhen realitet. Pjesëmarrja në dy Europiane, finalja e UEFA Conference League në Tiranë me Romën e Murinjos dhe Marash Kumbullën, finalet e 'Euro U-17' në katër qytete të Shqipërisë, dhe tashmë, në vitin 2027, do të mirëpresim finalet e 'Euro U-21', kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në kontinent për nga niveli. Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe aspak i lehtë. Por në fund të ditës, ajo që ka rëndësi është që sot nuk jemi më jashtë loje. Jemi pjesë e hartës së futbollit europian, dhe jemi të vendosur të qëndrojmë aty me dinjitet."

 

Sot, sa ëndrra keni bërë realitet dhe a ka një cak ëndrra juaj në këtë drejtim?

"Ka nga ato ditë kur ndalem dhe mendoj për rrugën që kemi bërë dhe e kuptoj që shumë nga ato që dikur i thërrisnim ëndrra, sot janë realitet i prekshëm. Dikur na dukej e pamundur që Shqipëria të kishte stadiume moderne, apo të organizonte një finale europiane. Sot kemi pritur në Tiranë finalen e UEFA Conference League, kemi mirëpritur Kampionatin Europian U-17, do të presim 'Euro U-21' në 2027 dhe Kombëtarja ka shtuar pjesëmarrjet dhe rritur performancat në kompeticionet e rëndësishme.

Këto nuk janë vetëm arritje sportive, janë kthesa historike për vetë mënyrën si shihet Shqipëria në hartën e futbollit europian. Kemi ambicie që të shkojmë më tej, shumë më tej. Gjatë vizitës së fundit të Presidentit të UEFA-s, Aleksander ?eferin në Tiranë, unë i propozova zyrtarisht që Shqipëria të merret në konsideratë për të mirëpritur Superkupën e Europës në vitin 2028.

Është një objektiv i arritshëm dhe një sfidë për të cilën jemi seriozisht të përgatitur, si vend, si infrastrukturë, si organizim. Sigurisht, ëndrra më e madhe vazhdon të mbetet Botërori. Të shohim flamurin shqiptar mes 48 skuadrave më të mira në botë do të ishte momenti kulmor i këtij rrugëtimi."





Lajmet e fundit nga