web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vrau efektivin dhe plagosi një tjetër/ Flet nëna e Violand Braçellarit: Më vjen shumë keq, zëre sikur më iku djali im

7 Qershor 2026, 14:28, Sociale CNA

E ëma e Violand Braçellarit, autorit të ngjarjes së rëndë në Lozhan të Maliqit, që vrau efektivin e policisë Enea Mekolli dhe plagosi efektivin tjetër Edison Adri, ka folur sot për herë të parë për atë çka ndodhi të enjten e 4 qershorit.

Berdane Bracellari, e cila thotë se ka qenë dëshmitare okulare e ngjarjes, ka rrëfyer versionin e saj për atë që ndodhi mëngjesin e operacionit policor. Sipas saj, gjithçka nisi në stallën e bagëtive, ku ajo dhe djali i saj ndodheshin në momente të ndryshme.

“Kam qenë që në fillim, hyra në stallë si gjithmonë, në krahun matanë hyra vet, në anën tjetër hyn djali. Djali asnjëherë nuk më futej në punë, thjesht më ikën dy punëtorë dhe erdhi. Kisha një parandjenjë se përherë kemi qenë duke u mbrojtur për shkak të policisë. Erdhi policia, i thashë: ‘Djalë, erdhën’. Djali qenka hedhur te dritarja e vicave, aty ishte polici. Del lart djali, i bie polici”,-tha e ëma.

E pyetur nëse i biri ka qëlluar i pari ndaj forcave të policisë, ajo këmbëngul se të shtënat e para kanë ardhur nga efektivi.

“Polici i ra më parë, pastaj qëlloi djali im. Policia nuk tha as dorëzohuni, as që ishin policë. Violandi ishte fshehur në cep dhe kaloi lart”,-tha ajo.

Në dëshminë e saj, Braçellari ka treguar se djali prej vitesh jetonte larg familjes dhe fshihej në zonat malore.

“Violandi me mua jo se rrinte, ishte i dënuar 10 vite. Nuk më rrinte këtu mua, vinte thjesht ndonjëherë të hante bukë. Jetonte në mal, vetëm në mal. Asnjëherë nuk shkonte në fshat apo qytet. Kjo situatë ka 8 vite kështu. Për 10 gram hashash, dy gramë i gjetën në shtëpi, pastaj ia bënë 10 gramë”,-tregoi e ëma.

Ajo mohon gjithashtu që i biri të ketë kultivuar ndonjëherë lëndë narkotike.

“Asnjëherë. Në Vlorë punuam me ndërtim, morëm lekë, bëmë 30 dhi race dhe i sollëm këtu në Lozhan.”

Ndërsa pranon se ka përfituar mbështetje për blegtorinë, ajo mohon pretendimet se familja është pasuruar nga aktivitetet e paligjshme.

 “Kemi marrë. Jo se më ka ndihmuar, por i ka rregulla shteti këtu se unë e kam blegtorinë. Jo thotë Artan Hoxha farë hashashi etj., ja shikoni shtëpinë. Çfarë nuk kemi dëgjuar.”

Pavarësisht ngjarjes tragjike, nëna e Violand Braçellarit shpreh keqardhje për humbjen e jetës së efektivit Enea Mekolli, duke thënë se askush nuk duhet të kishte humbur jetën.

“Më vjen shumë keq, edhe djali im të kishte vdekur. Nuk ka faj as djali im, as polici. Se dhe polici i urdhëruar është. Ai të bënte këtë gjë, të thoshte: ‘Ndal’. Nuk do ishte situata e këtillë.”

Ajo ka treguar se më parë ka pasur tentativa të policisë për kapjen e të birit, por sipas saj pa incidente të ngjashme.

“Disa herë. Nuk bënë këtë që bënë këta. Jo se ka qenë shumë herë, një rast pata.”

Një mesazh e kishte edhe për familjen e efektivit të ndjerë.

 “Më vjen shumë keq, zëre sikur më vdiq djali im. Më vjen keq e për të, as nuk i njoh, as nënën, as babanë, as djalin. Më vjen shumë keq. Jam me ata. Më dhimbset ai djalë. Nuk e njoh e nuk më njeh. Detyra e tij.”

Ndërsa konfirmon se do ta takojë të birin pas arrestimit, ajo thotë se nuk kishte dijeni që ai mbante armë.

“Do e takoj, se e kam djalë. Më dhimbset. Kam gjithë këto vite me të. Nuk e dija që kishte armë. Nuk e kisha parë asnjëherë me armë. Nuk ka djali t’i thotë nënës mbaj armë.”

Nëna e 55-vjeçarit tregon se ka tentuar vazhdimisht ta bindë të dorëzohej, por sipas saj ai refuzonte për shkak të dënimit që kishte marrë.

“Shumë herë. Vetëm i vinte inat, thoshte të dënohem 10 vite për dy gramë hashash, nuk shkel në polici. Hashashi nuk u gjet në shtëpinë time apo në makinën time, por në banesë të braktisur.”

Ajo hedh poshtë edhe pretendimet se i biri ka bashkëpunuar me policinë gjatë viteve që qëndronte në arrati.

“Çfarë thua? Ata e kishin halë në sy. Halë në sy, çdo vend kontroll, nga të katra anët, kudo që dilte djali do bënin kontroll makinat e çfarë kishte me vete.”

Bracellari ka komentuar edhe largimin e bariut që punonte në fermë një ditë para ngjarjes.

“Ka ikur sepse e kemi bërë me llaf që do merrte 1 milion lek rrogën po të rrinte mbi një vit. Ai ndenji 10 ditë dhe kërkonte 33 mijë lek ditën. Kaq lek ke - i thashë. Ishte shumë mashtrues.”

Ndërsa mohon çdo lidhje të djalit të saj me trafikun apo kultivimin e lëndëve narkotike, ajo kundërshton edhe zërat për bashkëpunim mes tij dhe bariut.

“Çfarë nuk thonë. Nuk bëhet fjalë ta lajmëronte ai policinë, ai 10 ditë ndenji. Kur u bë lënda narkotike, kur u shit për 10 ditë?”

Teksa hetimet për ngjarjen tragjike vijojnë, familja Braçellari mbron versionin se gjithçka ndodhi pas një reagimi të menjëhershëm gjatë operacionit policor. Nga ana tjetër, humbja e jetës së efektivit Enea Mekolli ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje rreziqet me të cilat përballen çdo ditë efektivët e Policisë së Shtetit në krye të detyrës./CNA 





Lajmet e fundit nga