web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Frika është armiku më i madh”/ 31-vjeçarja rrëfen forcën pas betejës me kancerin

20 Tetor 2025, 14:24, Sociale CNA


Në këtë ‘Tetor Rozë’, Fjona Bashi, një vajzë që ka kaluar një nga sfidat më të mëdha të jetës, përballjen me kancerin, vendosi ta ndajë historinë e saj publikisht.

Mes dhjetëra vajzave dhe grave, Fjona tregoi se gjithmonë ka qenë pjesë e aktiviteteve sensibilizuese, pasi vjen nga shoqëria civile. Por ky tetor është i veçantë për të. Rreth dy vite më parë, ndonëse vetëm 29 vjeç, ajo zbuloi se ishte prekur nga kanceri i gjirit.

 “Si pjesë e shoqërisë civile, gjithmonë kam marrë pjesë në aktivitetet e ‘Tetorit Rozë’. Por këtë vit është ndryshe, vij si një vajzë që këtë tetor e ka kaluar në lëkurë. Kam ardhur me dëshirën për të dhënë forcë dhe kurajë. E di që ka shumë aktivitete, por u bëj thirrje të gjitha grave që ‘Tetori Rozë’ të mos zgjasë vetëm një muaj.

Koha është flori dhe çdo minutë është i çmuar. Unë e zbulova rastësisht gjatë vetëkontrolleve. Por mendoj se ana psikologjike ka qenë më e rëndësishmja për të ecur përpara.
Kontrolli është çelësi i zgjidhjes, sepse tashmë kanceri nuk ka më moshë.

E vetmja gjë që kemi në dorë janë kontrollet e hershme. Nëse ka një këshillë që mund të jap, është kjo: frika është armiku më i madh. Unë nuk jam fokusuar asnjëherë te frika, por vetëm te rruga për të ecur përpara. Pa familjen time nuk do isha sot këtu ku jam. Besojuni mjekëve, besojuni bluzave të bardha, sepse falë duarve të tyre, ne jemi këtu sot”,-tha Fjona Bashi.

Në aktivitetin “Ta thamë në Shkodër”, Fjona ndau me të rinjtë përvojën e saj të vërtetë, të dhimbshme, por plot forcë dhe shpresë. Ajo foli për momentet e frikës, për betejën me trajtimet, për mbështetjen e familjes dhe mbi të gjitha, për vendosmërinë për të mos u dorëzuar.

Mesazhi i saj vjen si një thirrje ndërgjegjësuese për gratë dhe vajzat që të kryejnë kontrolle periodike, sepse kanceri nuk njeh moshë./CNA

 





Lajmet e fundit nga