web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rrushi i Leshnicës mbetet stok/ Fermerët e Pogradecit: Përballemi me çmime të ulëta dhe mungesë tregu

14 Tetor 2025, 12:31, Sociale CNA

Rrushi i Leshnicës mbetet stok/ Fermerët e Pogradecit: Përballemi

Në fshatin Leshnicë të Pogradecit, ku çdo familje jeton me punën e tokës, ky sezon vjeljeje është kthyer në një periudhë zhgënjimi. Rrushi, që prej dekadash ka qenë burimi kryesor i të ardhurave për banorët, këtë vit ka mbetur stok. Edhe pse vreshtat janë mbushur me prodhim të bollshëm e cilësor, mungesa e tregut dhe çmimi i ulët kanë bërë që mundi i një viti të tërë pune të mos shpërblehet. Çmimi me shumicë është vetëm 50 lekë për kilogram, por edhe për këtë shumë, tregtarët nuk afrohen në fshat.

Në rrugët e Leshnicës, përballë shtëpive e kopshteve, shihen arka me rrush që presin të shiten, ndërsa fermerët përpiqen të gjejnë mënyra për të shpëtuar prodhimin. Shumë prej tyre e kanë kthyer rrushin në verë apo raki për përdorim familjar, por as këto produkte nuk kanë më treg. Situata është përsëritur çdo vit, por këtë sezon, thonë banorët, është më e vështira ndër të gjitha.

Rrushi i Leshnicës mbetet stok/ Fermerët e Pogradecit: Përballemi

Kryeplaku i fshatit tregon se Leshnica është një nga zonat me traditë të hershme në kultivimin e rrushit dhe frutave të tjera. Sipas tij, ky vit ka qenë ndër më të vështirët për banorët, jo për shkak të prodhimit, por për mungesën e tregut. Në tregun e Pogradecit sheh rrush të importuar nga jashtë vendit, që shpesh shitet si prodhim vendas. Kjo, sipas banorëve, është arsyeja kryesore që fermerët vendas nuk gjejnë më treg për produktin e tyre. Një tjetër shqetësim është edhe largimi i popullsisë. Kryeplaku thekson se bujqësia është një sektor që kërkon vëmendje të posaçme nga shteti, pasi pa bujqësi nuk ka industri, dhe kërkon ndërhyrje urgjente për të mbështetur fermerët që punojnë me djersë dhe sakrificë.

“Siç e shihni vetë, fshati Leshnicë është ndër fshatrat që ka më shumë vreshtari dhe pemëtari, por për momentin po flasim për vreshtarinë. Gjysma e fshatit, madje më shumë se aq, rreth 70% e banorëve, merren me rrushin. Ky vit ka qenë më problematik për banorët, sepse nuk ka pasur treg për shitje. Pjesa dërrmuese e marrin rrushin dhe e shndërrojnë në verë apo raki për përdorim vetjak. Megjithatë, po t’i pyesësh fermerët, ata kanë ende verë dhe raki të pashitur nga vitet e shkuara.

Pra, problemi kryesor është tregu. Po të shohësh në tregun e Pogradecit, gjen rrush që vjen nga Maqedonia apo Greqia, pra nga jashtë kufirit. Një tjetër faktor është edhe largimi i njerëzve. Prodhimi është i lidhur me popullsinë, po nuk pati njerëz, nuk ka kush ta konsumojë. Kështu, mundësia e shitjes e blerjes bëhet e pamundur. Fermerët këtu dëmtohen shumë, sepse e kanë mundësinë, djersën dhe sakrificën e tyre. Punojnë gjithë vitin dhe në fund përballen me humbje. Ne i bëjmë apel qeverisë të sensibilizohet, t’u kushtojë më shumë vëmendje fermerëve. Të shohë më shumë bujqësinë sesa industrinë, sepse pa bujqësi nuk ka industri. Qeveria duhet të ndërhyjë, pasi në bujqësi mbështetja është e domosdoshme”.

Rrushi i Leshnicës mbetet stok/ Fermerët e Pogradecit: Përballemi

Një prej banorëve të fshatit, i cili prej vitesh merret me vreshtari, tregon se situata është e rëndë dhe e përsëritur. Ai thotë se punojnë gjatë gjithë vitit me shpenzime të larta për plehra, ujitje dhe trajtime kimike, por në fund përballen me mungesë tregu dhe humbje ekonomike. Edhe pse rrushi ofrohet me çmim shumë të ulët, as tregtarët nuk afrohen, as kërkesa nuk ekziston. Ai kërkon që institucionet të vendosin rregulla të qarta për tregun, duke garantuar që prodhimi vendas të shitet përpara se të lejohet importi i mallrave të huaja.

"Unë jam Zafer Rami. Nuk ka çmim, është shumë i ulët dhe nuk ka treg, na ka mbetur prodhimi stok. Nuk kemi ku të shkojmë. Punojmë gjithë vitin, me ilaçe, plehra, shpenzime, e kur vjen puna për shitje, mbetemi këtu, pa asnjë fitim. Tani, edhe po ta japim rrushin me 50 lekë të rinj, s’e merr njeri, s’të pyet askush nëse ke apo s’ke. Po të shkosh në tregun e Pogradecit, gjen rrush të huaj. Thonë gjoja që është nga Berati, por ai rrezik vjen nga Greqia. Rrushi i huaj del me pesticide, ndërsa ne e kemi bio, por nuk vlerësohet. Edhe vitet e tjera s’ka pasur treg, janë mbi 10 vite që kjo situatë përsëritet. Tregtari nuk pyet a ke apo s’ke, s’na dëgjon. Ne bëjmë ulje, negociojmë, por nën 50 lekë s’na del hesap. Kemi stok mbi 2 kuintal raki. Ky rrush është i mirë si për konsum ashtu edhe për verë, por më parë e merrte ish-Ndërmarrja e Pushimeve të Pogradecit. Kërkojmë që institucionet të përkushtohen ndaj bujkut, të interesohen, të mos lejojnë hyrjen e prodhimeve të huaja pa u shitur më parë prodhimi vendas. Të shitet rrushi ynë, të kënaqemi duke punuar dhe pastaj të mendohet për importet. Ne vetëm me këtë punë merremi",-tregon banori. 

Edhe gratë e fshatit ndajnë të njëjtin shqetësim. Një fermere thotë se çdo vit e kanë më të vështirë ta shesin prodhimin, ndërsa shpenzimet vetëm sa shtohen. Si familje, kanë disa dynymë vreshta, por prej tri vitesh nuk kanë shitur asnjë kilogram rrush. Gjithçka e kanë kthyer në verë e raki, por edhe ato qëndrojnë nëpër bidona pa blerës. Ajo thotë se fshati është në prag shpopullimi dhe se askush nuk kujdeset për jetesën e bujqve, të cilët janë themeli i ekonomisë vendase. Rrushi që prodhojnë është i pastër, pa pesticide, por tregu kërkon mall të lirë dhe të importuar. Sipas saj, shteti duhet të sigurojë shitjen e prodhimeve vendase dhe më pas të lejojë hyrjen e produkteve të huaja, sepse ndryshe fermerët nuk kanë nga t’ia mbajnë.

Rrushi i Leshnicës mbetet stok/ Fermerët e Pogradecit: Përballemi

“Problemet e fshatit tonë janë shumë të theksuara. Nga shteti kemi shumë ankesa, sepse nuk çon kujdes fare për fshatarët, që janë thelbi kryesor i jetesës, jo vetëm për fshatin, por edhe për qytetin, sepse qyteti jeton me prodhimin e fshatit. Ne punojmë gjithë vitin dhe nuk kemi asnjë siguri. Nuk na shitet asgjë. Si familje kemi 2 dynym e gjysmë vreshta, por këtë vit nuk kemi shitur asnjë kilogram rrush. Vitet e para kemi shitur diçka, por tri vitet e fundit, asgjë. E kemi kthyer në verë e raki, por as ato nuk shiten. Në treg vjen rrushi nga jashtë, nga Maqedonia, Greqia apo rrethe të tjera, ndërsa prodhimi ynë mbetet stok.

Shteti duhet të sigurojë që të shitet prodhimi i fshatarëve dhe pastaj të lejojë importet. Me çfarë do të jetojmë ne? Fëmijët janë larguar, nuk na ndihmon dot askush. Edhe me shokun tim po flisnim: themi që këtë vit ta lëmë fare, por na vjen keq. Për moshën që kemi, duhet të punojmë pak, se nuk shkojmë dot as te mjeku. Kudo që të shkosh, duhen shpenzime. Në radhë të parë, u bëj apel shtetit dhe kryeministrit të kthejnë kokën nga fshati, të shohin problemet tona.

Duhet të kemi një sigurim, sepse blejmë plehra e ilaçe që s’i kemi paguar ende. Shpenzimet janë të larta dhe të ardhurat mungojnë. Rrushi prishet, nuk mund ta magazinosh dot, plus që nuk ka treg as për verë, as për raki. Çmimi është 50 lekë dhe s’e merr askush. Ky rrush është bio, ta hash këtë rrush nuk krahasohet me atë që vjen nga jashtë”,-tha fermeri.

Në Leshnicë, rrushi që dikur siguronte jetesën e dhjetëra familjeve, sot është kthyer në një simbol të mundit pa shpërblim. Fermerët shpresojnë që institucionet shtetërore të kthejnë vëmendjen nga fshati dhe bujqësia, për të mos lejuar që prodhimi vendas të mbetet pa vlerë. Ata kërkojnë politika të qarta mbështetëse, treg të organizuar dhe mbrojtje të produkteve shqiptare nga konkurrenca e pandershme e importit. Në të kundërt, vreshtat do të mbeten bosh, e bashkë me to do të shuhet edhe një traditë që për dekada ka mbajtur gjallë jetën në fshat./CNA 





Lajmet e fundit nga