web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Krishtlindje të veçanta në Korçë/ Qyteti mbushet me turistë

25 Dhjetor 2024, 11:56, Qyteti im CNA

Krishtlindje të veçanta në Korçë/ Qyteti mbushet me

Në këtë ditë të shënuar për besimtarët ortodoksë, ata kanë uruar të gjithë korçarët e shqiptarët në mbarë botën. Korça e feston Krishtlindjen në mënyrë të veçantë, duke ndjekur traditën e gatimeve tradicionale ku mishi është kryesori, si edhe ëmbëlsirat që shoqërojnë çdo tavolinë.

Zonjat korçare kanë uruar për një Krishtlindje të mbarë dhe një vit të begatë pasi kanë ndjekur meshën në Katedralen e qytetit.

Ndër të tjera, ato kanë treguar se si do të festojnë sot në familjet e tyre, duke përgatitur gatime tradicionale dhe duke pritur miq.

"Unë uroj jo vetëm qytetarët e Korçës, por të të gjithë Shqipërisë, gëzuar Krishtlindjen, një vit i mbarë dhe me shëndet. Korçarët e festojnë shumë mirë Krishtlindjen, bëjnë të gjitha adetet që kemi ne. Bëjmë qengj të pjekur, sallata, gjëra, dhe kalojmë shumë bukur. Tavolinën e kemi familjare."

"Gëzuar Krishtlindjen, me dashurinë e fëmijëve e të gjithë njerëzve. Tani kemi drekën, kemi bërë bërxolla me mish derri, ëmbëlsirë bakllava."

"Unë kam bërë gjel me arme, e kemi tradicionale dhe të trashëguar nga familja jonë, kështu e festojmë çdo vit. Kemi bukë me qiqër, ëmbëlsirë e çdo gjë të mirë që familjen shqiptare e gëzon në këtë ditë të shënuar. Kishim miq mbrëmë, na kishin ardhur nga Saranda e Franca e kaluam një mbrëmje shumë të bukur."

E veçanta e Korçës në këtë festë është prania e turistëve të huaj. Familja nga Venezuela zgjodhi Korçën për festat e fundvitit, ndërsa kryefamiljarja tregon se po e shijon shumë qëndrimin e saj në qytet.

"Është hera jonë e parë, mbërritëm dje dhe festuam bukur Krishtlindjen. Shkuam te pazari i vjetër, hëngrëm drekën atje. Provuam gatimet e Korçës, bukën, sallatën, makaronat dhe ëmbëlsirat. Katedralja shumë e bukur, pamë shumë njerëz që futen në kishë. Ne jemi katolikë në fakt, jo ortodoksë, por është eksperiencë shumë e bukur kjo këtu. Do të qëndrojmë 13 ditë, jemi e gjithë familja me 10 persona, kemi edhe një shoqërues që na mundëson guidën. Po e shijojmë shumë. Do të shëtisim sot, e më vonë do të shkojmë në mal për borën."

Krishtlindja bën bashkë jo vetëm qytetarët korçarë, por edhe turistë brenda e jashtë vendit, të cilët do të festojnë gjatë gjithë ditës së sotme nën shoqërinë e familjarëve të tyre e miqve./ CNA





Lajmet e fundit nga