web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Skana gozhdon Gjonin: Deputeti part time që i qan zemra për Mirditën, po deformon realitetin

18 Korrik 2026, 12:44, Politikë CNA

Skana gozhdon Gjonin: Deputeti part time që i qan zemra për

Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Pranvera Skana, i është përgjigjur deklaratave të deputetit të Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, lidhur me debatin për reformën administrativo-territoriale dhe Bashkinë e Mirditës.

Në reagimin e saj, Skana akuzon deputetin demokrat se po përpiqet të manipulojë opinionin publik përmes deklaratave që, sipas saj, nuk mbështeten në faktet e raportit të ekspertëve. Ajo thekson se pretendimi se Partia Socialiste synon të heqë Mirditën nga harta administrativo-territoriale nuk qëndron.

Sipas zëvendësministres, raporti i ekspertëve evidenton se Mirdita ka tregues ekonomikë, demografikë dhe funksionalë më të dobët krahasuar me disa bashki të tjera, por këta tregues, sipas saj, nuk përbëjnë arsye të mjaftueshme për të propozuar bashkime administrative.

Skana nënvizon se në analizën e ekspertëve janë marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë, si distanca nga qendrat urbane, identiteti lokal, elementët socialë e kulturorë, si dhe veçoritë territoriale të zonës.

Ajo i bën thirrje Gjonit që debati publik të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe argumenteve, duke shmangur, sipas saj, dezinformimin dhe alarmet e panevojshme.

Në përfundim, zëvendësministrja thekson se Mirdita ka nevojë për më shumë zhvillim ekonomik dhe mundësi për banorët e saj, ndërsa shprehet se Partia Socialiste po punon për zhvillimin e Mirditës dhe të gjithë vendit.

“Deputetit “part time” të Qarkut të Lezhës, Gjin Gjoni që i “qan zemra” për Mirditën, i paska lindur një shqetësim që po trazon dhe e shtyn të marrë rolin e ekspertit pa denjuar të studiojë faktet dhe realitetin. Gjuhën “revolucionare” të frymëzuar nga të ngjashmit dhe miqtë e tij në bulevard, sigurisht që nuk e kursen për të nxitur ndjenjat e zemërimit te mirditorët duke kërkuar të manipulojë realitetin nëpërmjet postimeve të mbushura me urrejtje dhe shumë të pavërteta në rrjetet sociale.

Paska reaguar Gjini i drejtësisë me “duart të pastra” se gjoja Partia Socialiste po tenton të fshijë nga harta administrative territoriale Mirditën dhe tenton që të deformojë një realitet që është i dukshëm dhe i prekshëm për gjithë banorët e kësaj zone krenare.

Lexova me vëmendje raportin e ekspertëve (gjë që dyshoj se deputeti revolucionar e ka bërë) dhe mendoj se debati duhet të nisë nga faktet, jo nga leximet e lajmeve që Gjini i interpreton si vendimet gjyqësore që e kanë rritur në karrierë.

Duhet të jemi realistë dhe të vërtetë me njerëzit, askush nuk mund t’u kërkojë ekspertëve të fshehin realitetin e numrave. Mirdita ka tregues ekonomikë, demografikë dhe funksionalë jo shumë të fortë krahasuar me shumë bashki të tjera dhe ky është një fakt dhe nuk ndryshon duke e mohuar.

Por po aq e vërtetë është se vetë ekspertët shpjegojnë se këta tregues nuk janë arsye e mjaftueshme për të propozuar bashkime mekanike. Në analizën e tyre janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm, si distanca nga qendrat urbane, identiteti lokal, elementët socialë dhe kulturorë, si edhe veçoritë territoriale të çdo zone.

Prandaj Gjin, para se të bëhen deklarata të fortësh dhe të luash rolin e trimave të Facebook-ut, është mirë të ulesh dhe ta lexosh raportin me ftohtësi dhe logjikën e një njeriu që me faktet ka punuar dhe nuk i ka përdorur për interes personal apo kosnum politik. Debati publik fiton nga argumentet dhe faktet, jo nga dezinformimi dhe alarmet e kota.

Mirdita nuk ka nevojë për panik artificial. Ka nevojë për më shumë zhvillim, më shumë ekonomi dhe më shumë mundësi për njerëzit e saj e Partia Socialiste po punon çdo ditë për ta transformuar Mirditën dhe gjithë Shqipërinë në “xhevahirin” e një Europe që po ndryshon e në të cilën edhe shqiptarët do të kenë një vend të rëndësishëm shumë shpejt", thekson Skana./ CNA

 





Lajmet e fundit nga