web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Projektligji për kërkimin shkencor/ Zhupa: Duhet hequr, cenon Kushtetutën

28 Tetor 2024, 12:19, Politikë CNA
Projektligji për kërkimin shkencor/ Zhupa: Duhet hequr, cenon
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, ka deklaruar se projektligji për kërkimin shkencor është skandaloz dhe bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Zhupa theksoi se PD kundërshton këtë projektligj ashtu sikundër mbështet qëndrimet kundërshtuese dhe amendimet e sindikatës së arsimit të lartë dhe konferencës së rektorëve.

Deputetja ka renditur dhe arsyet pse nuk duhet miratuar ky projektligj.

Deklarata e Ina Zhupës

Prej disa ditësh diskutohet projektligji për kërkimin shkencor në Shqipëri, një projektligj skandaloz që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligje të tjera si ligji Arsimit të Lartë dhe ligji i Akademisë së Shkencave dhe prapë ka kaluar dy komisione parlamentare si ai i Ligjeve dhe ai i Çështjeve Europiane.

Nesër ky projektligj është futur për miratimin në komisionin përgjegjës, komisionin që unë drejtoj nëse nuk do ishin përjashtimet pa rregullore për ta miratuar dhe kaluar në seancë plenare.

Kërkimi shkencor dhe shkenca nuk janë çështje elitare, por çështje kombëtare sepse lidhet me zhvillimin e vendit, me kapitalin njerëzor të vendit dhe me të ardhmen e tij si vend i zhvilluar apo si vend “depozitimi mbetjesh, refugjatësh, droge, krimi”.

Dua të bëj të qartë që kundërshtojmë këtë projektligj ashtu sikundër mbështesim qëndrimet kundërshtuese dhe amendimet e sindikatës së arsimit të lartë dhe konferencës së rektorëve.

Arsyet themelore, por jo të vetmet pse ku projektligj është i papranueshëm për ne.

Së pari, ligji duhet të mos bjerë në kundërshti me Kushtetutën, siç bie tashmë në pikën 7, të nenit 57 se, “7. Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj”.

Në zbatim të kësaj dispozitë kushtetuese, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, i cili në pikën 2/a, të nenit 3, ka përcaktuar se, Liria akademike garantohet nëpërmjet së drejtës, për të organizuar veprimtaritë e mësimdhënies, ato kërkimore-shkencore, të inovacionit, si dhe veprimtaritë krijuese.

Së dyti, gjithë përplasjet me ligjin “Të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit shkencor” duhet të zgjidhen në mënyrë integrale në ligj. Duke mos marrë kompetencat e njësive kërkimore të IAL-ve siç janë edhe departamenti, shkolla doktorale, instituti apo qendra kërkimore. Është shumë serioze që projektligji nuk përfshin në subjekte të kërkimit shkencor departamentet mësimore dhe shkencore të IAL-ve. Në këtë mënyrë, projektligji krijon kushtet për ndarjen e IAL-ve në dy pjesë, në departamente aktuale që zhvishen nga përmasa e tyre e kërkimit shkencor dhe në departamente shkencore pa pasur kush që të zhvillojë edhe mësimdhënien. Duke e kthyer këtë në një model organizimi të IAL-ve, projektligji bie sërish në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë.

Së treti, zhbërja e këshillit shkencor me përbërje ministrash dhe drejtorësh politikë me në krye kryeministrin Rama, një model antishkencor dhe antieuropian. Veçse futje duarve në kontrollin e dijes duke tentuar të centralizojë shkencën. Përbërja e këshillit manifeston vullnetin për të zhbërë reformën në kërkimin shkencor dhe ta rikthejë nën Akademinë e Shkencave dhe Ministrive, i manifestuar me tendencat centralizuese të para viteve '90, që koha provoi se ishte një eksperiment i dështuar.

Së katërti, Projektligji i jep tagër ministrit të klasifikojë fushat e kërkimit shkencor, si detyrim për shkencën! Ndërkohë kjo është pa sens. Tjetër është liria për kërkimin shkencor dhe tjetër janë prioritetet që mund të ketë shteti dhe shoqëria në këtë fushë. Këtë e rregullon qartë ligji për arsimin e lartë kur kërkon që IAL-të t’i kenë orientuar programet e tyre në fushat prioritare, bazuar dhe në Vendimin nr. 386, datë 1.6.2022.

Fushat e kërkimit shkencor duhet të bazohen në Manualin e Fraskatit të OECD-së dhe jo si prerogativë qeveritare, e cila krijon problematikë në parimin e autonomisë dhe lirisë të kërkimit shkencor.

Së pesti, projektligji i propozuar i jep role dhe funksione të jashtëligjshme Akademisë së Shkencave. Sipas këtij projekti Akademia e Shkencave është edhe institucion zhvillues, edhe institucion vlerësues, duke i dhënë funksion kontrolli të veprimtarive kërkimore-shkencore, përfshi edhe ndaj IAL-ve. Ligji për akademinë e shkencave në Republikën e Shqipërisë nuk i jep asnjë kompetencë ushtrimi autoriteti as asamblesë, as seksioneve, as komisioneve dhe as kryesisë dhe as kryetarit të akademisë së shkencës jashtë atij institucioni.

Aq më tepër që krijohet një pabarazi në kompetencat dhe në autoritetin e akademisë së shkencave dhe IAL-ve. Sipas përcaktimeve të mësipërme të këtij projektligji, Akademia e Shkencave bën vetëvlerësimin e punës kërkimore dhe shkencore të instituteve dhe qendrave të kërkim-zhvillimit, që ka në përbërje të saj, kurse IAL-ve u hiqet e drejta për të vlerësuar punën kërkimore dhe shkencore të tyre.

Së gjashti, krijon mbivendosje, paqartësi dhe përplasje në përfitimin e titujve dhe gradave dhe krijon emërtime të reja për kërkimin shkencor. Ndërkohë që një doktor, prof.asoc., apo prof.dr. i merr këta tituj e grada edhe nëpërmjet punës kërkimore shkencore. Edhe vlera e tyre bëhet relative në drejtim të projektit të ri të qeverisë.

Së shtati, kriteret dhe procedurat për krijimin e instituteve dhe të njësive të veçanta publike të kërkimit shkencor, si dhe krijimi i tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.…”.  Ky nen lë hapësirën, për të krijuar njësi të veçanta pranë IAL-ve, që nuk krijohen në bazë dhe në zbatim të rregullave të brendshme të institucionit. Vlerësojmë se këtu paraqitet dukshëm një premisë, për shkëputjen e njësive dhe instituteve të krijuar në IAL.

Së fundmi, mbyllja e instituteve shkencore ka non sense me procese që varen nga ministria: fillimisht i paralajmëron, pastaj i vrojton dy vjet dhe më pas i mbyll. Pikë së pari për IAL që mund t'i krijojnë këto qendra apo institute me para jopublike, nuk ka asnjë arsye pse të ketë rol në mbylljen e tyre ministria. Dobia apo padobia shkencore e vendos vetë komuniteti shkencor dhe a ju publikohen apo vlerësohen, ndërsa dobia financiare i takon financuesit. Për qendrat me para publike duhen përpunuar kritere vlerësimi që çdo njeri është i aftë ta mas vetë punë dhe vetvetiu gjykohet vazhdimi ose mbyllja. S’ka asnjë arsye të vendos ministria, me komisione e procese të mbyllura mbi mbylljen ose jo.

Përsa më lart, por edhe për arsye të tjera më specifike, ne e kundërshtojmë plotësisht draftin në Kuvend dhe bëjmë thirrje për tërheqjen e tij.

Ne duam të besojmë që Rektorët nuk do të bien pre e mekanizmat presionues ose miklues të qeverisë për mos bërë ndryshime ose për të bërë ndryshime të vogla retushuese dhe duke lënë pedagogët dhe universitet në mëshirë të politikës dhe me një ligj që nuk e gjen në asnjë vend të Bashkimit Europian.

Ne do t'u qëndrojmë kundërshtime tona dhe do ndjekim çdo rrugë demokratike për të mbrojtur interesat e pedagogëve, studentëve, kërkuesve shkencorë dhe gjithë akademikëve në vend./ CNA





Lajmet e fundit nga