web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Fshesa e Ramës/ Ndryshimet në qeveri dhe PS gjatë 2023-shit

2 Janar 2024, 17:30, Politikë CNA

Fshesa e Ramës/ Ndryshimet në qeveri dhe PS gjatë 2023-shit

Skandali me dhunën e ushtruar nga fisi Rraja ndaj banorëve të Borizanës, për shkak të konfliktit për guroren dhe mungesa e një reagimi të menjëhershëm të policisë, kanë sjellë edhe zemërimin e kreut të qeverisë i cili shkarkoi nga detyra Ministrin e Brendëshëm Bledi Çuçi dhe emëroi në këtë detyrë  Taulant Ballën.

Vendimi i kryeministrit erdhi pas dorëheqjes së deputetit Rrahman Rraja dhe furtunës në Komisariatin e Krujës, ku fshehja, manipulimi i fakteve dhe dështimi për të trajtuar si duhet ngjarjen e Borizanës solli shkarkimin e të gjithë trupës policore. Më herët, në media qarkulluan informacione se policia në Krujë kishte lidhje me dhunuesit dhe 40 denoncime të bëra nga qytetarët nuk ishin marrë seriozisht, por preheshin në sirtarët e policisë. Ngjarje kjo e ndodhur më 8 Korrik.

Por këto nuk ishin ndryshimet e vetme në radhët e socialistëve, pasi “kutia e Pandorës” sapo ishte hapur. Në Asamblenë e PS të mbajtur më 26 Korrik me vendim të kryesocialistit Edi Rama, Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri u shkarkua nga detyra duke u zëvendësuar me Blendi Klosin, ndërsa Rama gjeti dhe zëvendësin e Ballës në drejtimin e Grupit Parlamentar, pikërisht Bledi Çuçin, duke i besuar sërish një post të rëndësishëm. Në këtë Asamble me dyer të mbyllura gjithashtu u përfol për të tjera shkarkime, bëhet fjalë për ministren e Financave aso kohë Delina Ibrahimaj, përfolje kjo që u materializua muaj me vonë.

Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë së tij Socialiste më 4 Shtator, Rama bëri ndryshime të tjera në Kabinetin e tij. Rama shkarkoi ministren e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, dhe propozoi emërimin e Igli Hasanit në vend të saj, ish-ambasadorit të Shqipërisë në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në Vjenë.

Gjithashtu, shkarkoi nga detyra ministren e Bujqësisë, Frida Krifca. Ajo u zëvendësua nga Anila Denaj, e cila më herët ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar si ministre e Ekonomisë dhe Financave.

Delina Ibrahimaj nga ministre e Financave dhe Ekonomisë, u emërua Ministre e e Shtetit për Sipërmarrjen, duke zënevendësuar Edona Bilalin, që u shkarkua nga ky post.

Në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë shkoi Ervin Mete, i cili ka qenë më herët zëvendësministër i Financave. Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor u shkarkua nga detyra ministrja e Arsimit, Evis Kushi, për t’u zëvendësuar me Ogerta Manastirliun. Ndërkaq, vendin e lënë bosh prej saj në krye të Ministrisë së Shëndetësisë e zuri Albana Koçiu.

Rama vendosi ta shkrijë Ministrinë e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, që drejtohej nga Milva Ekonomi, në një ministri të re, Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Pushtetin Vendor, e cila drejtohet nga Arbjan Mazniku.

Ndërsa në Kongresin e 8 Dhjetorit kryesocilisti Edi Rama bëri një rezyme të punës së kësaj force politike, duke mos anashkaluar edhe mesazhet e forta për kundërshtaret e ti politik.

Pas Kongersit të Jashtëzakonshëm u mblodh edhe Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Anëtarët votëbesuan aparatin përbërës të Sekretariatit të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

U bë e mundur zgjedhja e Sekretarëve të Rinj:

Blendi Klosi – Sekretar i Përgjithshëm

Ardian Çela - Sekretar Organizativ

Eduart Ndreca - Sekretar i Burimeve Njerëzore

Evis Kushi - Sekretare e Gruas

Etjen Xhafaj - Sekretar Digjital dhe i Rinisë

Eridjan Salianji - Sekretar për Çështjet Zgjedhore

Milva Ekonomi - Sekretare e Programit

Romina Kuko - Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë

Në fund të Kongresit të PS kryeministri Edi Rama dha lajmin se në pranverë do mbahet kongresi zgjedhor i PS për të bërë zgjedhje brenda partisë. Përtej fitoreve dhe sfidave  të 2023, për të majtën, jo më pak sfidues  duket të jetë edhe 2024./ CNA





Lajmet e fundit nga