web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Drejtorët i merr në mbledhje në orar pune"/ Bushati kritika të forta Ramës: S'ka vijë ndarëse mes shtetit dhe pushtetit

11 Mars 2026, 10:19, Politikë CNA

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një takim të zhvilluar me të rinjtë në Shkodër, ka bërë kritika të ashpra ndaj kryeministrit Rama.

Referuar një mbledhjeje të pak ditëve më parë të zhvilluar nga Rama në selinë rozë, Bushati tha se kryeministri në orar zyrtar kishte thirrur në mbledhje drejtorë të administratës që duhet të ishin në fakt duke i shërbyer popullit.

Kjo për Bushatin tregon që nuk ka asnjë lloj vije ndarëse mes shtetit dhe pushtetit. Ish-ministri tha se duhet të ndahet partia nga administrata shtetërore.

 

Duke u ndalur tek integrimi në BE, Bushati u shpreh se Shqipëria nuk e ka ndarë ende mendjen të futet në BE.

 

Çfarë më bëri mua përshtypje, që kishte mbledhur kryeministri miq, kolegë të mi në orar të punës, drejtuesit politikë të Tiranës, ku aty ishin një pjesë e mirë e drejtorëve të institucioneve të shtetit duke hyrë te selia e partisë në orar zyrtar të punës. Pra, tregues i qartë që s'ka asnjë lloj vije ndarëse mes shtetit dhe pushtetit. Ndërkohë që drejtori është aty për t'i shërbyer gjatë 8-orarshit të punës të paktën socialistit, demokratit, zogistit, ballistit, dreqit e të tjerë e të tjerë. Mbas atij 8-orëshit mund të bëjë çfarë të dojë dhe mund të bëjë çfarëdolloj aktiviteti politik se nuk ia ndalon askush.

Nuk është zgjidhja te rasti i Shqipërisë ndryshimi i sistemit. Te rasti i Shqipërisë, problemi kryesor në radhë të parë është garantimi i fushës së lojës. Dhe kapaciteti, aftësia e gatishmëria për të pranuar humbjen e pushtetit. Nëpër shoqëri që s'kanë tradita demokratike, përgjithësisht ndryshimi apo rrotacioni vjen më shumë nga gatishmëria e udhëheqësit për të pranuar humbjen e pushtetit sesa drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve. Pra, ne na duhet për ta ndarë administratën e shtetit nga partia.

Kjo është muzikë për veshët. Ne e kemi problem themelor financimin e jetës publike, jetës politike. Dhe këtu na fillon ne e gjithë gjëja. Ne mund të bëjmë sistemin zgjedhor më të mirë, më përfaqësues. Ne na duhet të garantojmë njëherë e përgjithmonë rregullat e lojës. Ne duhet të ndajmë mendjen në qoftë se duam t’i bëjmë këto punë apo jo. Ne nuk e kemi ndarë ende mendjen për t’u futur në BE.

Duhet të rregullojmë raportin me paranë në jetën publike. Ne ende s'kemi shkuar në sistemin ku politikani ka frikë popullin. Vazhdojmë të jemi në situatën ku populli ka frikë politikanin. Çdo muaj domethënë Athina digjej nga protestat e studentëve të Politeknikut dhe çfarë ishte në përkujtim të revoltave të tyre gjatë Juntës Greke. Kishte raste dhe nuk po bëj thirrje absolutisht për jakobinizëm, kishte raste që e tërhiqnin zvarrë në kuptimin figurativ të fjalës politikanin apo shtetarin në qoftë se mendonin që kishte abuzuar me detyrën. Derisa ne të rregullojmë këtë lloj raporti, kam frikë se do vazhdojmë të vuajmë”, tha Bushati.





Lajmet e fundit nga