web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zoti dhe shenjtorët janë pranë nesh në ditë fatkeqësie

17 Shkurt 2023, 09:25, Opinione Miron Çako

Zoti dhe shenjtorët janë pranë nesh në ditë

Ngjarja e pabesueshme e shpëtimit të një fëmije 6-vjeçar, e cila kishte qëndruar 176 orë nën rrënojat e tërmetit në Turqi, patjetër është një mrekulli hyjnore.

Po ashtu dëshmia shumë entuziaste e vetë fëmijës pa frikë dhe trauma psiqike që tregonte se si herë pas here vinte një plak me mjekër të bardhë dhe kalë të bardhë, që me trupin e madh mbante shtëpinë të mos shëmbej dhe e ushqente vajzën derisa ajo u shpëtua, nuk duhet të çudisë ata që besojnë në botën shpirtërore dhe sidomos ne të krishterët orthodhoks.

Duhet të mos harojmë se Zoti është dashuri dhe nuk do që njeriu të vuajë dhe të vdesë para kohe (Ezekeli 11-13), aq më shumë kur bëhet fjalë për fëmijët që janë të pafajshëm dhe zakonisht vuajnë fajet e prindërve nëpër fatkeqësi natyrore si ky tërmet katastrofik.

Zoti, edhe pse lejon tërmetet dhe fatkeqësitë natyrore si mjete petagogjike, për të ndaluar të keqen që të mos vazhdojë ndër breza (Eksodi  20:5-6), përsëri ndërhyn nga mëshira e tij e madhe si dhe nga ndërmjetimi dhe përgjëratat e engjëjve, shenjtorëve dhe lutjeve me pendim të njerëzve që zakonisht kujtohen në ditë fatkeqësie të kërkojnë me lot ndihmën hyjnore.

Zoti me fuqinë e tij të kudondodhur parandalon ose e minimizon të keqen, madje dërgon vetë engjëjt dhe shenjtorët e tij për të shpëtuar jetët e njerëzve me anë të mrekullive si kjo që dëgjuam këto ditë të vështira në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

Ka raste pa fund të ndihmës Hyjnore, nga Zoti apo engjëj dhe shenjtorët për shpëtimin e njerëzve, kafshëve dhe vetë natyrës dhe mund t'i gjejmë në Sinaksarët e shenjtorëve apo edhe në gojdhënat popullore.

Le të përmendim disa nga sinaksarët e shenjtorëve:

"Shën Dhimitri (shekulli 3-4) e ka dëshmuar veten si mbrojtës i qytetit të Selanikut, duke bërë mrekulli të panumërta dhe duke iu shfaqur shumë njerëzve që kishin nevojë për ndihmën e tij.

Në vitin 1978, gjatë tërmetit që shkaktoi shkatërrime të konsiderueshme, shumë selanikas raportuan se kishin parë Shën Dhimitrin në qiell mbi një kalë të kuq.

Ndërsa tërmeti u qetësua, një grup kalimtarësh panë një të ri me një mantel të gjatë të bardhë që qëndronte në majë të kishës së Shën Dhimitrit.

Duke menduar se ishte një nga priftërinjtë ose një shërbëtor dhe me frikë se mos u shemb çatia, ata i thirrën të zbriste, por ai u zhduk nga sytë e tyre. Ata vrapuan brenda kishës dhe u ngjitën në çati për të hetuar, por asnjë nga klerikët apo punonjësit e kishës nuk kishte qenë atje lart. Një besim i përgjithshëm u përhap në të gjithë qytetin se ai kishte qenë Shën Dhimitri që ndaloi tërmetin."

Një tjetër shenjtor i dëgjuar mrekullibërës, si Shën Joan Rusi (shekulli 18), që e ka trupin e tij të paprishur në Evia të Greqisë. Shenjti iu shfaqet shpesh njerëzve dhe këta të fundit arrijnë ta shohin me sy dhe të flasin me të. Shën Joan Rusi i ndihmon, i shëron të gjithë me hirin e Krishtit si nga sëmundje të ndryshme, po ashtu edhe nga fatkeqësitë siç përmendet në rastin e mëposhtëm:

"Një të shtunë të vitit 1862 ndërsa ende po kryhej Liturgjia Hyjnore në kishën e Shën Prokopit të Azisë së Vogël, një grua e devotshme tregonte se një natë më parë pa në ëndërr Shën Joan Rusin, i cili doli nga arka e tij e lipsaneve dhe vraponte duke mbajtur në duart e tij çatinë e shkollës e cila ishte duke u shembur.

Ndërsa ajo po i thoshte këto gjëra te njerëzit papritur ndodhi një përplasje dhe një zhurmë e fuqishme dhe besimtarët dolën nga kisha dhe panë që me të vërtetë çatia e shkollës ishte shembur.

Menjëherë pra, vrapuan në atë vend me lot dhe vajtime dhe pasi ngritën çatinë e rënë, të rëndë, nxorën prej andej të shpëtuar të gjithë nxënësit të cilët ishin mbi njëzet veta.

Kur prindërit i pyetën fëmijët se çfarë kishte ndodhur, fëmijët thanë këto: “Dëgjuam papritur një kërcitje të fortë të trarëve të çatisë dhe kuptuam se çfarë do të ndodhte dhe se rrezikonim. Në atë moment si të na jepte dikush një urdhër, një sinjal dhe në të njëjtën kohë të na drejtonte një dorë e padukshme u gjendëm në një moment të gjithë poshtë bankave të trembur dhe të tmerruar. Kur çatia ra me zhurmë të madhe, trarët e saj ranë mbi bankat tona dhe ne mbetëm poshtë pa pësuar asgjë”.

Zoti dhe shenjtorët janë pranë nesh në ditë

Kështu me hirin e Perëndisë dhe me përkujdesjen e padukshme të Shën Joanit shpëtuan kaq shumë krijesa të pafajshme".

Sa për shenjtorin e shfaqur duke ndihmuar vajzën e vogël nën rrënoja sipas përshkrimit të sinqertë të vajzës 6 vjeçe, shumë besojnë se mund t'i jetë shfaqur martiri i madh i Krishtit, shën Minai (shekulli 3-4).

Shën Minai ishjte një legjonar romak që popohoj besimin te Krishti u arrestua dhe torturua me shumë tortura në moshë 50 vjeçe dhe në 11 nëntor të vitit 304 dorëzoi shpirtin e tij të shenjtë në duart e Shpëtimtarit Jesu Krisht dhe që atëherë nderohet si martiri i madh i Krishtit në lindje edhe në perëndim.

Shën Minai në ikonën e tij është i pikturuar pikërisht ashtu siç rrëfehet nga vetë vajza e shpëtuar.

Në shfaqjet e tij herë pas here te njerëzit shenjtori paraqitet me një mënyrë karakteristike, si një kalorës i moshuar me mjekër të bardhë dhe një kalë të bardhë.

Për shfaqjen e Shën Minait në këtë mënyrë na tregon edhe kjo ngjarje:

"Në vitin 1826 në kuadrin e revolucionit grek, kryengritja kishte shpërthyer edhe në ishullin e Kretës. Konkretisht në Iraklio turqit pasi kishin rrethuar disa kryengritës do t'i masakronin ata, por falë ndërhyrjes së Shën Minait, në formën e një kalorësi të moshuar me flokë të bardhë, ata arritën që të shpëtonin. Ngjarja ndodhi në qytetin e Iraklios katedralja e të cilit mban emrin e Shën Minait."

(Sianaksari i shenjtorit)

Megjithatë edhe nëse në rastin e vajzës së shpëtuar nuk ka qenë Shën Minai, por një tjetër shenjtor i Zotit Jisu Krishtit, sepse engjëjt shfaqen në tjera forma ose si djem të rinj dhe me krahë, përsëri kjo nuk ka shumë rëndësi, por më e rëndësishmja është mesazhi që duhet ta lexojnë të gjithë si besimtarë edhe ateistë: "se Perëndia nuk na braktisë edhe pse ne e braktisim atë me pabesinë dhe mëkatet tona që në këtë brez apostat ka kaluar çdo limit amoral deri në perversion."

Po ashtu Biri i Perëndisë edhe Biri njeriut, Zoti Jisu Krisht, që ka gjithë pushtetin në qiell edhe në tokë, (Mateu 28-18) Zoti i qiellit dhe i dheut dhe Shpëtimtari i gjithë njerëzimit i do të gjithë njerëzit e botës pa dallim, përfshirë edhe ata që nuk e pranojnë Atë madje fyejnë dhe e blasfemojnë, i cili me anë të mëshirës së Tij të madhe fal dhe dërgon engjëjt edhe shenjtorët e tij për të shpëtuar sa është e mundur njerëz që vuajnë nga fatkeqësitë natyrore pasojat e mëkateve të tyre, të prindërve të tyre dhe të këtij brezi "të pabesë edhe imoral" që kaq shumë fatkeqësi, si luftëra, sëmundje, tërmete, uri, etj  po i sjell vetes, ashtu si janë paralajmëruar nga vetë Krishti në Ungjill:

"Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhimbjeve të lindjes." (Marku 13-8).

Lavdi Zotit se është mirë aleluja. Amin.





15:54 Opinione Lutfi Dervishi

Turizmi i skandaleve!

A po planifikoni pushime të paharruara? A doni të përj...

Lajmet e fundit nga