web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sot kujtova Tushevicën, shtrigën dhe ëngjëllin tim

20 Gusht 2022, 11:49, Opinione Agim Xhafka
Sot kujtova Tushevicën, shtrigën dhe ëngjëllin tim
Agim Xhafka

Sot te një postim ndesha fjalën Tushevicë. Flitej për një zonjë që thirrej kështu ngaqë burrin ia quanin Tushi. Në Korçë shpesh harrohen emrat e grave. Iu ngjitin llagape sipas emrit të bashkëshortit. Dëgjon p.sh. Ilovicë, Sotiricë, etj. Siç dendur të kap veshi, na moj ti e Petraqit apo ti e Nestit. Me këtë duan të tregojnë se burrë e grua janë një, si mishi me thoin d.m.th.

Por kur veshi më kapi emrin Tushevicë vetiu më erdhi ndër mend furrtarja e mëhallës sime. Korça thuajse në çdo rrugicë ka pasur furra pjekjeje, jo vetëm për lakrorët që endeshin si qilimat në çdo familje, por edhe për tavat me mish e pa mish.

Tushevica qe një plakë e zezë në fytyrë. Mbase nuk ishte aq e moshuar, por ngaqë unë isha i vogël më vjen ndër kujtime si një plakë e thatë, e kërrusur e me dhëmbët e rralluar. Flokët i kishte të zinj, edhe sytë e zinj. Këtë ngjyrë i kishte dhe fustanët që vishte, ndaj më ngjiste fiks si shtriga e përrallave. E përfytyroja hipur mbi fshesë duke u rrotulluar rreth zjarrit bubulak. Sa herë shkoja atje më dridheshin gjunjët nga frika. Ia lija me nxit tavën mbi banakun e madh dhe ia therrja vrapit. Nga pas dëgjoja, o djalkë, hajde në 12, jo më parë!

Në përgjithësi tavat si familje i çonim te Jani, ai që e kishte furrën përballë shkollës. E kishim më larg se Tushevica, por atje ndihesha si në shtëpi. Ai ma merrte tavën qysh te dera, më jepte një numër te dora, më fërkonte kokën e më thoshte:

-Tani urgjent do e vë mbi prush. Tavën tënde e kam të parën. E di që do të më sjellë fat se ti në shkollë merr veç dhjeta.

Unë atëhere nuk isha fare në shkollë. Akoma nuk i kisha mbushur 7 vjeç, por më pëlqente kur ai fliste kështu. Besoja që atij dikush i kishte treguar që unë do të shkëlqeja. Nuk mund të gënjente ai burrë aq i qeshur e aq i pastër. Harrova t’u them se dhe përparësen e mbante të bardhë borë, si doktor Sofo, shoku i babait. Por furra e Janit kishte një të metë. Qe pak larg shtëpisë e kur nëna bënte byrekë 500, kështu quhej tava e madhe, unë nuk e mbaja dot. Rëndonte e papjekur se më pas bëhej pendë. Por te Jani nuk kisha fuqi ta çoja, ndaj doja s’doja trokisja te “shtriga”.

Një të dielë shkova tek ajo të merrja lakrorin fiks në 12, siç më tha. Dridhesha si purteka nga frika. Lashë lekët, rrëmbeva tavën dhe o zot, e rrëzova në tokë. Qepë e domate u bë ngado. Sytë e saj nuk i shihja, vura dorën te... se më shpëtoi, u laga. Kur te veshi dëgjoj:

-Djalkë, hiç mos u tremb. Nuk të ndodh veç ty. Ehu sa tepsi të rrëzuara kam parë unë.

Mori fshesën dhe e mblodhi byrekun në një arkë druri. Pastaj lau tepsinë, e fshiu me një pecetë të bardhë borë, mbi të vendosi një tepsi tjetër me lakror, e rrëshqiti tek e imja dhe... hop u mbush plot.

-Merre, e kisha bërë për vete, me qepë e domate e ke, pate fat, o bir!

Tushevica nga shtrigë po më ngjiste atë çast me gjyshen. Kaq butë veç ajo çuçuriste.

-Do e kuptojë mamaja nga që ajo i bën lakrorët më të mirë në botë. Kështu thotë babai,-fola i trembur.

-Të gjitha korçarkat njësoj e bëjnë lakrorin dhe gjithë baballarët njësoj i lavdërojnë gratë,-më qetoi ajo.

Atë drekë hëngra fare pak. Shihja herë nënën, herë babain, vëllain, motrën që veç shqyenin ngastrat fup e fup e fup. Hiç nuk flisnin. Në fund babai tha duke fërkuar barkun:

-Je njësh për lakror, moj grua. E qan fare këtë të flamosur!

Sot kujtova Tushevicën. Shtrigën dhe ëngjëllin tim. Besoj që edhe tani në parajsë ajo pjek lakrorë. Mbase me përparëse borë të bardhë, ashtu si zemra e saj…





12:46 Opinione Luçiano Boçi

Vrasja duhet mundur

Elbasani nuk gjen paqe! Një i ri, familjar mes mijëra kal...

10:06 Opinione

Mote pa dasma

Ngjitur me shezlongun tim në plazh u rehatua një çift në m...

Lajmet e fundit nga