LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Fenomenologjia e moderatorit, një palimpsest

22 Shkurt 2024, 22:10, Opinione Edion Petriti

Fenomenologjia e moderatorit, një palimpsest

Nuk e di se si e pse, ndërsa shfletoja nja dy libra kur më ra në duar “Fenomenologia di Mike Bongiorno”, e shkruar nga semiologu Umberto Eco dhe botuar në “Diario Minimo”. Për ta përmbledhur e perifrazuar: Nga të gjithë mediokrit, ai që arrin të ketë vëmendjen e medias është si të thuash, më i adhuruari. Atij nuk i kërkohet t’i ngjajë dikujt që nuk është, të dalë nga vetja, të bëhet më i mirë, më me kulturë, në fund të fundit më i duruar me spektatorët e paguar (5000-lekësha) që ka përreth. Megjithatë, detyra e tij është e madhe dhe e rëndë: përgatitja e kushteve për t’u arratisur nga realiteti.

Ama, që t’i hiqet prej shpine çdo barrë përgjegjësie, ne na serviren disa ideale gati-gati të arritshme: së pari pjesëmarrja. Protagonizmi televiziv. Në këtë mënyrë, i ftuari shndërrohet në një gjysmëperëndi të lakmuar, që mban përpara një kupë të shenjtë, mbushur me lëngun hyjnor – Redbull, Shark, Monster ose ndonjë koktej të tipit “Mojito”, pak rëndësi ka. Ideali i konsumatorit të televizionit është edhe ai më i lumturi: sa më shumë konsumon, aq më shumë i lumtur je. Pasi askujt nuk i shkon ndërmend se lumturia ka natyrën e dialektikës hegeliane – ajo është cilësore.

Jo, lumturia më e madhe përbëhet nga shuma e lumturive të vogla që arrihen kur ti konsumon, me në krah një këngëtare turbofolk e cila ndërkohë rrëfen për veten dhe gjepura të tilla si tatuazhet e fundit që ka bërë, apo ku i ka kaluar pushimet (e kujt i plasi trapi!). Dhe për këtë arsye ideali mashkullor, ose mashkullori ideal i masmediave nuk është ndonjë figurë politike, ndonjë zv.ministër, por një moderator i së enjtes a së premtes pasdite. Nëse dikush do dilte para pasqyrës, ëndërrimtar do shihte pasqyrimin jo të vet, por të prezantuesit, atëherë në nënvetëdijen e vet ai do ishte edhe njeriu më i lumtur.

Fenomenologjia e moderatorit, një palimpsest

Tani që e mendoj, skenës mediatike shqiptare i mungon e kundërta kokëposhtë e ndonjë gazetari këmbyer petkash me moderator. Ndoshta do merrnim si shembull Artan Fugën, por ai del tepër rrallë në televizion, shkruan tepër rrallë nëpër gazeta për t’u shndërruar në një ikonë të masmediave që zbret nga ikonostasi vetëm për të shkuar me pushime. Ka Fugë, por s’ka fare mit, krahasuar me mitin e moderatorit. Në mbretërinë e mediokërve, ‘mediakri’ është mbret.

Kur kthehesh mbrapa në kujtesë, nuk sheh ndonjë idiot: sheh ca prezantues me vetulla të kërleshura; duar që zgjaten të kapin mizën që nuk është aty, gjuhë që zgjaten për të prekur striptisten e paspecifikuar nga ish-Bashkimi Sovjetik. Thelbi ideologjik i çështjes është nxjerrja si e si në skenë e Zogut të Tiranës, merita e vetme e të cilit është pasurimi i drejtshqiptimit shqip: “o zemëw, o shpiwt”.

Vete pa thënë se mashkulli heteroseksual normal, ose siç quhet kohët e fundit, heteronormativ (se çfarë dreqin do të thotë kjo, askush nuk e merr vesh!) – e ç’është më e keqja, shqiptar nuk është aspak i televizueshëm, ka mungesa shprehie, nuk bën për vëmendjen e kameras.

Personazhin e shohim ndërkohë të rrethohet me artistë shijesh të dyshimta; tallavaxhinj stonues alla Kush m’i qan hallet e mija, Mejrem, Mejrem, Mejrem, 2x; maratonomakë të plakur dhe shoqetarë civilë që nuk hapin kurrë gojë në prani të specialistëve.

Për kë nuk e di, media paraqet një zonë jastëk, a cushion zone, siç thuhet, mes botës dhe botimit. Që kohët e fundit, për fat të keq, është shndërruar në një synim. Je i famshëm sepse del në media, dhe nuk shfaqesh në media sepse je i famshëm. Për njeriun që s’ka bukë të hajë, kanaçja e bekuar e pijes energjike është një synim për t’u arritur, është vetë integrimi europian- veriatlantik.

Njeriu jomesatar, me interesa kulturore, politike dhe ekonomike te moderatori sheh kufizimin e vet, dhe triumfin mediokër të këtij kufizimi. Është e kotë të dëgjosh Bahun ose Mendelssohn-Bartholdy-n; dëgjimi i klipit të fundit, “Uh baby I, jo nuk kam faj!” i Kidës mjafton. A e keni vënë re humbjen e mbiemrit nëpër personazhet e reklamuar kohët e fundit, nëpër të ashtuquajturat «reality shows»? A mos është kjo lindja e një aristokracie të re? Krahasojeni për shembull me Pepinin e Landenit ose me Mountbattenin e Burmës? A nuk tingëllojnë pak si shumë njëlloj?

Gjatë gjithë këtij shkrimi duhet të kemi kujdes të mos ngatërrojmë kekun me byrekun, dmth moderatorin me personazhin moderator. Po ta shohësh, ky nuk të le përshtypjen e ndonjë ideali bukurie mashkullore, atletizmi, guximi apo testosteronesh. Urrejtja e thellë që disa ushqejnë për të, lidhet me një arketip fëminor, që kur ishim të vegjël mbante llastiqe për zogjtë apo linçonte macet e shkreta që kishin fatin e keq t’i binin në dorë. Por në të njëjtën kohë, edhe fytyrën e përshkuar nga drita e pendesës kur e kapin me presh ndër duar. Një NUK DO TA BËJ MË, të gdhendur në gur.

Për t’u bërë moderator, nuk duhet me pasë fare komplekse, nuk ke pse di anglisht dhe as që duhet ta mësosh. Madje, nuk do kishe mësuar dot as frëngjisht po të mos kishe qenë në Francë, pasi frëngjishtja këtu nuk të hyn në punë. Megjithatë, duhet shprehur admirim i gjallë për dikë që ka kulturë të gjerë, duke mos e frenuar veten në batuta për midhjen ose pjeshkën, pa të shkuar ndërmend se tjetri ndoshta ndihet në siklet kur flitet për këto gjëra drejtpërdrejt në ekran. Për moderatorin, klakerët (spektatorët me pagesë) nuk janë dhe nuk duhet të jenë njerëz, persona të mirëfilltë; në rastin më të mirë janë idiotë, si p.sh. “Ma hiqni prej leckash atë idiotin aty”.

Si dobare ndodh me shumë moderatorë të tjerë, duhet folur një shqipe e thjeshtë; ligjërimi duhet me qenë ligjërimi bazë i asfaltit të rrugës që nuk ngrihet dot deri në rang trotuari. Kategoritë gramatikore dhe sintaktike nuk njihen, njihet vetëm shkalla sipërore e mbiemrave. Njeriu nuk ka pse të vrasë mendjen për ta kuptuar, është shumë e thjeshtë ta kuptosh moderatorin.

Moderatori nuk qesh sepse ka ndjenjën e humorit, ai qesh sepse është i vetëkënaqur, ka një emision televiziv, ka shefa të ngjashëm me veten, merr shumë dhe shpenzon shumë, si dhe pi shumë pije energjike. Me gjithë këtë energji, njeriu duhet të jetë i lumtur me patjetër. Të bie në sy që moderatori nuk përdor perifrazime në ato përimtimet e veta me natyrë seksuale dhe është përherë i çiltër në lidhje me përvojat e veta seksuale.

Meqë jam në temë, m’u kujtua diçka nga vjetëria klasike: romakët, komb i zgjuar kishin arritur t’i gjenin çare edhe vetë elefantëve të Pirros, që për kohën ishin arma më e sofistikuar, ishin tanksi i vjetërsisë klasike. Romakët lyenin derra me zift dhe ua lëshonin elefantëve, të cilët merrnin vrapin të tmerruar nga derrat guçitës në flakë, shpeshherë duke vrarë e duke shkelur me këmbë në numër të madh ushtarët që duhej të mbronin. I tillë duhet të jetë një moderator i mirë, ekstatik si derr në flakë.

7 tetor 2020. © Edion Petriti

09:31 Opinione Artan Fuga

Gestapo

Dëgjoja një ditë administratorin bullafiq të një gjoja uni...

15:02 Opinione Lutfi Dervishi

Sot nuk ka lajme…

Ajo që sot mendohet e pa imagjinueshme, - një ditë pa lajm...

Lajmet e fundit nga