web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A MUND TË THONË TË KRISHTERËT: "MASHALLAH"; "INSHALLAH"...?

29 Tetor 2024, 14:16, Opinione Miron Çako

A MUND TË THONË TË KRISHTERËT: "MASHALLAH";

Gjuha është një mjet komunikimi për fiset dhe popujt, e cila përgjatë kohës pëson evolucion, pasurohet me fjalë të reja, por gjithashtu edhe mund të dëmtohet kur huazon fjalë nga gjuhë të tjera, të cilat shpesh futen për shkak të arsyeve historike, sociale, kulturore, politike, ekonomike, fetare.

Edhe gjuha shqipe ndonëse pretendohet si një gjuhë e lashtë e izoluar brenda familjes së gjuhëve indoevropiane, përsëri brenda saj mund të gjesh shumë huazime nga gjuhët e tjera, të cilat mund të jenë jo vetëm fjalë për përdorime të përditshme shoqërore, por edhe politike, ekonomike, kulturore edhe fetare.

Përdorimi i fjalëve të huaja nuk është i pamundur, sepse ato janë miksime bashkëjetese apo imponime politike, ekonomike, kulturore, fetare mes popujve përgjatë historisë dhe sidomos në Shqipëri. Kjo dukuri vihet re edhe si rrjedhojë e pozicionit gjeografik si vend kufitar dhe si një rrugë mes lindjes edhe perëndimit, duke bërë kështu të mundur ndikimin nga gjuhët e ndryshme të kalimtarëve apo dhe pushtuesve të shumtë. Prandaj, në ditët e sotme, në gjuhën shqipe vërejmë fjalë të huazuara nga greqishtja, latinishtja, bullgarishtja, arabishtja, turqishtja etj.

Përdorimi i fjalëve të huaja kur përdoren thjesht si huazime, pa e ditur kuptimin e përdorimit të tyre mund të bëhet një dëmtim i vetë gjuhës apo në disa raste edhe një sakrilegj fetar.

Më konkretisht, në Shqipëri, sipas rrethanave historike kemi disa komunitete fetare, të cilat mund të ndahen në dy besime kryesore. Krishterimi, i cili është themeluar që prej shekullit të I-rë nga Apostujt e Krishtit që përhapën ungjillin nga Jerusalemi deri në Ilirik (Roamakët 15-19) dhe islami i cili u instalua në Shqipëri pas pushtimit osman në shekullin e 15-të.

Doktrina e këtyre dy besimeve ka lënë gjurmë edhe në gjuhën shqipe me përcaktime fjalësh të huazuara edhe me karakter fetar duke u futur në komunikimin e përditshëm.

Që nga shekulli i I-rë, vendasit pagan të krishterizuar sipas Biblës, e thërrasin dhe e adhurojnë Perëndinë me emrin Trinia e Shenjtë, ose Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, kurse ata e islamizuar në shekullin XV-të huazuan emrin Allah. Ky term gjendet në Kuran që prej shekullit të VII-të. Origjina e këtij emri në gjuhën arabe është “ilah” (???), që do të thotë “i adhuruar”.

Fjalët e fetare të krishtera të huazuara në shqip janë të shqipëruara në fillim në të folur dhe vonë në të shkruar, sepse mesazhi i Krishtit duhet të përhapej në të gjitha kombet dhe në çdo gjuhë. (Mateu 28-19). Apostujt në Jerusalem ditën e Pendikostisë e thanë mesazhin e shpëtimit nga Perëndia në Zotin Jisu Krisht te turma në çdo gjuhë siç i mësonte Shpirti i Shenjtë: “Edhe u mbushën të gjithë me Frymë të Shenjtë, e zunë të flisnin me gjuhë të tjera, sikundër Fryma u jepte të flisnin” (Veprat e Apostujve 2-4). Kështu Apostujt mësonin kombet jo me një “gjuhë të shenjtë” dhe për një “vend të shejntë”, por me çdo gjuhë dhe në çdo vend “që në emër të Jisuit të përulet çdo gju atyre që janë në qiell e mbi tokë e nëntokë dhe çdo gjuhë do të rrëfej se: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Perëndisë Atë. (Filipianëve 2-11)

Kurse në islam feja është lidhur me gjuhën edhe vendin e caktuar si ishte arabishtja, dhe Arabia, prandaj edhe islami i dha rëndësi jo vetëm vendit ku u shpall Kurani (Mekës), por dhe gjuhës dhe terminologjisë në arabisht ku ishte shkruar Kurani. Sipas Kuranit çdo fjalë është thënë Muhamedit nga Allahu në arabisht: "E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kurani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj(zotërat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kurani nuk është prej Zotit). E mos e paçit bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët", (2:23-24).

"Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë, se atë e trilloi ai (Muhamedi). Ti thuaj: "Silleni pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni", (10:38).

"Thuaj: "Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhindët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që do ta ndihmonin njëri - tjetrin"". (17:88).

Muhamed Esad, një prej përkthyesve më të mëdhenj të Kuranit, komentues dhe dijetar bashkëkohor, e konsideron Kuranin si "të pamundur që të "riprodhohet" në ndonjë gjuhë tjetër".

Fatmirësisht, sot në Shqipëri kemi një bashkëjetesë fetare, ose siç quhet ndryshe, harmoni fetare, duke e respektuar fenë e tjetrit në mënyrë shembullore. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të bëjmë një miksim fetar apo një sinkretizëm fetar gjuhësor.

Të respektosh fenë e tjetrit nuk do të thotë se duhet të jesh dakord me doktrinën fetare të tjetrit. Multifetarizmi në shoqërinë tonë kozmopolite nuk duhet dhe nuk është faktor ndarës, sepse një shoqëri multifetare dhe kozmopolite si e jona, në qoftë se nuk bashkohet nga feja që nuk është e njëjtë, bashkohet nga ndjenja dhe veprimtaria kombëtare, atdhedashëse për të gjithë ne që jetojnë dhe kontribuojmë në të njëjtin vend, pavarësisht origjinës edhe fesë, sipas aksiomës: “atdheu yt është atje ku punon edhe jeton”. Kjo atdhedashuri me një mendje të hapur nxit edhe respektin për fenë e tjetrit, pa bërë proziletizëm të imponuar me çdo formë verbale, gjuhësore, fizike, juridike te besimtarët e një feje tjetër, sepse feja është një marrëdhënie personale me hyjnoren dhe askush individ, grup, apo shteti laik nuk mund të ndikojë te feja e tjetrit.

Edhe pse krishterimi, myslimanizmi, së bashku me fenë judaike, klasifikohen si fe monoteiste ose abrahamike, përsëri koncepti për Zotin që ato fe besojnë dhe adhurojnë është shumë i ndryshëm.

Për krishterimin, Perëndia është Trinia e Shenjtë dhe Trinia e Shenjtë është një Perëndi në tre persona (hipostaza) hyjnorë, ashtu sikurse Biri dhe Fjala e Perëndisë, Zoti Jisu Krishti mësonte apostujt: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Joani 6:3-16).

“Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit, që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar” (Joani 5: 22-23).

“Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ? deri në të sosur të botës!” (Mateu 28 19-20).

“Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin” (I Joani 2-22).

Kurse për islamin sipas mësimit të Muhametit shekulli i VII që u prezantua, arabëve edhe pastaj botës si profeti i fundit i njerëzimit, Perëndia quhet All?h dhe është i vetmi emër i përveçëm në fenë islame që në shqip përkthehet Zoti.

Zoti, sipas përcaktimit islam nuk ka as gjini, as fëmijë, as partnerë dhe që nuk ka shok, as Bir, sepse sipas Kuranit: “Ata (të Krishterët) thonë: ‘I Gjithëmëshirshmi ka një bir’. Ju keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; toka gati sa nuk çahet dhe malet sa nuk rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i ka hije të Gjithëmëshirshmit të ketë bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.” (Merjem, 88-93)

 “S’ka të Adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij’’.

Prandaj, fjalët që përdoren për të përcaktuar emrin e Zotit, në këndvështrimin e krishterë dhe në atë islam janë të ndryshme edhe në shprehje gjuhësore, por edhe në përmbajtje.

Myslimanët janë shumë të kujdesshëm në gjuhën e përditshme; ata nuk përdorin fjalorë të krishterë, ata nuk thonë asnjëherë për Zotin: “Lavdi Trinisë së shenjtë”; “Në emër të Atit, Birit, Shpirtit Shenjtë”, ose shprehje të tjera me karakter përshëndetës të të krishterëve, si: “Qoftë i lavdëruar Jisu Krishti”: "Krishti të ruajttë," "Krishti midis nesh", "Krisht”, “Amin” etj.

Myslimanët në shqip përdorin fjalë të tjera me konotacion fetar, që vijnë nga arabishtja, turqishtja të pashqipëruara ku i drejtohen Allahut, të cilin ata e besojnë si Zot.

Ndër këto fjalë të huazuara mund të përmendim të tilla si këto: "mashalla", "inshallah," ose "hallall”, pra shprehje adhuruese, lutëse dhe mbrojtëse nga e keqja.

Fjala “Mashalla” është një shprehje arabe (??? ????? ????????, m? sh?'a ll?h) që do të thotë "siç do Zoti" ose "çka të dojë Zoti". Ajo gjithashtu nënkupton "e faltë Zoti!", "ruaje Zot!", "gjë e ligë mos e gjettë!" dhe përdoret për të shprehur mirënjohjen, gëzimin, lavdërimin ose falënderimin për një ngjarje apo person që është përmendur.

Kjo shprehje përdoret shpesh në botën myslimane për të kërkuar mbrojtjen e Perëndisë nga diçka ose dikush, sidomos nga syri i keq.

“In shaa’Allah” (arabisht: ???? ????? ????????, transliterimi: ?In sh?? All?h) është shprehje urimi ose shprese arabe që përdoret për të shprehur diçka që pritet të ndodhë në të ardhmen.

Po ashtu “hallall” është një fjalë arabe që do të thotë e ligjshme ose e lejuar. Në lidhje me ushqimin, hallalli është standardi dietik, siç përshkruhet në Kur’an. E kundërta e hallallit është haram, që do të thotë e paligjshme ose e ndaluar.

Po ashtu, fjala “kismet” do të thotë fat, ose fat i mirë. Përdoret në shprehje si "me kismet!", "shëndet e kismet!", "e pati kismet", "i solli kismet", "doli për kismet" (për të gjetur fat të mirë, për të fituar), apo si të jetë fati.

Edhe pse në këtë rast nuk përmendet emri Allah, përsëri nuk mund ta thonë të krishterët, sepse në doktrinën e krishterë nuk ka kismet; nuk ka të shkruar për fat, por për bekim nga Zoti, që pranohet në liri të plotë nga njeriu në sinergji dhe jo në fatalitet.

Dikush mund të shprehet se nuk është problem të përdoren fjalët "mashalla", "inshallah", edhe nga të krishterët si huazime të huaja ose turqizma të gjuhës shipe sepse ato kanë kuptime edhe në shqip kur shqipërohen, siç i përmendëm më sipër.

Jo, nuk duhet, sepse këto fjalë nuk janë të çfarëdoshme, por fjalë që përcaktojnë doktrinën e një feje jo të krishterë dhe nuk mund t'i përshtaten besimit dhe doktrinës së krishterë.

P.sh., kur ne si të krishterë i lutemi Zotit Jisu Krisht në gjuhën arabe ose turke, nuk themi asnjëherë "Allahu Jisu Krisht", por në turqisht themi "Rab ?sa Mesih" dhe në arabisht Alrabu Yasue Almasih (???? ???? ??????).

Pra të krishterët termin Allah për Zotin nuk e kanë përdorur dhe e përdorin si në gjuhën e vjetër arabe, ose edhe atë turke si një gjuhë relativisht e re, sepse të krishterët, edhe pse kanë jetuar dhe jetojnë në këto vende, i kanë mirëpërcaktuar që në fillim emrat dhe termat si i drejtohen Perëndisë Triadik dhe Zotit Jisu Krisht në çdo gjuhë edhe në shqip.

Por as myslimanët nuk duan që ata ta përdorin e emrin Allahut për një Zot ndryshe nga ai që ata besojnë, madje këtë e quajnë sakrilegj fetar dhe Kurani shprehet qartë: "Jehuditë thonë Ezra është biri i Allahut ndërkohë që të krishterët thonë Mesia është biri i Allahut. Allahu i shkatërroftë ata. Ata janë të prishur. Ata adhurojnë rabinët, murgjit dhe Mesinë, birin e Marisë, si Zot përveç Allahut në kundërshtim me urdhërimin monoteist që u është dhënë atyre (9:30, 31).

Jobesimtarët janë ata që thonë Allahu është Mesia, biri i Marisë (5:17).

Gazeta zvicerane "Neue Zürcher Zeitung" shkruan për këtë: “Shumë myslimanë janë të mendimit se jomyslimanëve nuk u lejohet ta zënë me gojë fjalën «Allah». ...myslimanë të zemëruar mbanin në duar parulla me shkrime si «Allahu u përket myslimanëve» ose «mos provokoni fenë islame».

Prandaj ne si të krishterë nuk duhet t’i përdorim në komunikimin e përditshëm fjalët që i takojnë fesë islame si Mashalla, Inshallah, hallall, kismet, as si shprehje zakoni thjesht si arabizma apo turqizma në gjuhën shqipe prej kaq shekujsh, por si besimtarë të krishterë të jemi të përgjegjshëm kur shprehemi se çfarë po flasim dhe duhet t’i drejtohemi Perëndisë (Trinisë së Shenjtë) dhe Zotit Jisu Krisht me fjalë që e shprehin qartë besimin tonë të krishterë edhe në shqip.

Ne të krisherët sipas Shkrimit të Shenjtë dhe traditës shekullore, kur duam të lavdërojmë dikë ose diçka dhe ta ruajmë nga e keqja, syri, mallkimi, përgojimi etj. i japim lavdi Zotit dhe themi me uratë: "Lavdi Perëndisë"; "Lavdi Zotit"; "Krishti të ruajttë", ose "Krisht".

Kur shpresojmë në diçka të mirë që duam të ndodhë sipas providencës hyjnore themi me lutje dhe besim: "E Zotit u bëftë"; "Në dashtë Zoti".( Jakovi 4-15)

Gjithmonë kur themi Perëndia për ne të krisherët nuk është një energji inpersonale, por është një qenie hyjnore në tre persona (Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë) dhe e themi Zoti është Biri i Perëndisë dhe Biri i njeriut Jisu Krishti, që në shqip përkthehet emri Jisu (Zoti shpëton") dhe mbiemri Krisht (i lyeri i Perëndisë).

E përsëris kur ne flasim për këtë problem nuk do të thotë se jemi thjesht kundër arabizmave dhe turqizmave në gjuhën shqipe, apo islamofobë, por ne si të krishterë duhet të jemi korrektë kur flasim dhe të vërtetë si përpara Zotit që ne besojmë, por edhe me veten dhe me të tjerët rreth nesh se çfarë besojmë, se nuk mjafton vetëm mendja, por edhe goja të thotë qartë çfarë beson, ashtu si na thotë Apostulli i kombeve Pavli:

''Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde''. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë, sepse po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jisu, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,sepse Shkrimi (Bibla) thotë: ''Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet''. Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin. Në fakt: ''Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet''.( Romakëve 10 9-13)

Kështu fjala ka rëndësi të madhe për pohimin ose mohimin e besimit tonë në Krishtin.

Zoti Jisu Krisht na ka paralajmëruar: “Por unë po ju them se ditën e gjyqit, njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë. Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh” (Mateu 12:36-37).

"Kushdo, pra, që do të më pohojë përpara njerëzve edhe unë do ta pohoj atë përpara Atit tim që është në qiell. Por këdo që të më mohojë përpara njerëzve, do ta mohoj edhe unë atë përpara Atit tim që është në qiell "(Mateu 10:32-33)./ CNA





14:14 Opinione Brizida Gjikondi

Kalbëzimi i një elite!

Dikujt i është dhënë një autorizim për shtëpi, dikujt i ës...

21:03 Opinione Lutfi Dervishi

Tallja me pensionistët

Po të dëgjojnë se çfarë thonë pensionistët sot, duhet ...

08:34 Opinione Ardi Stefa

Opozita... opozitçkë!

Kam thënë vazhdimisht se kjo opozitë, ashtu siç është sot ...

Lajmet e fundit nga