web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

PSE DJALLI I VRET SHERBËTORËT E TIJ?

17 Tetor 2024, 13:56, Opinione Miron Çako

PSE DJALLI I VRET SHERBËTORËT E TIJ?

Dëgjojmë shpesh që edhe njerëzit që fatkeqësisht i shërbejnë djallit me ndërgjegje, apo edhe pa ndërgjegje, si magjistar, fallxhor, okultist, etj. madje edhe satanist kanë një fund tragjik, jo vetëm me diskreditim publik, por edhe me vdekje të dhunshme apo me vetëvrasje të pafalshme. Këta njerëz në shërbim të djallit mendojnë se duke qenë solidarë me forcat okulte (demonët) do kenë një jetë pa probleme madje edhe një vdekje të paqshme, sepse ata mendojnë se janë miqtë e djallit të atij që solli vdekjen në botë, sepse; “vdekja erdhi në botë nga cmira e djallit? (Urtësia e Solominit2:24), dhe sipas atyre sundon në botën e vdekjes si një zot i errësirës i Hadit dhe i Ferrit, ndryshe nga Zoti i dritës dhe i jetës edhe i Parajsës.

Me këtë mendësi ata shpresojnë se do sundojnë me djallin jo vetë në këtë botë mëkatare por edhe në Ferr, por faktet na tregojnë të kundërtën sepse vet jeta e tyre bëhet një ferr për së gjalli dhe vdekja e tyre është e papritur e dhunshme dhe e frikshme.

Arsyeja pse ndodh kështu është e thjeshtë, kuptohet për ata që kanë sy për të parë edhe vesh për të dëgjuar, sepse bashkëpunimi, ose kontrata që këta njerëz mendjelehtë kanë bërë me “zotërinë” e tyre të zi është me një kamatë shumë të lartë.

Kur njerëzit u kërkojmë ndihmë forcave okulte mund të përfitojmë disa benefite të çastit,si psikologjike, fizike, materialiste.

Ndoshta ata me ritet magjike dhe yshtjet okulte mund t’i kontrollojnë njerëzit e tjerë, mund të përfitojnë prej tyre duke I mashtruar me astrologjinë, fallin etj,mund edhe të hakmerren për armiqtë tyre dhe t’i mundin me ndihmën dhe fuqinë e demonëve, por në të vërtetë ata vetë janë të zënë rob tek djalli edhe demonët, të cilën Zoti Jisu Krisht e demaskon si “babai i gënjeshtrës “(Joani 8-43).

Kështu përfundimi i bashkëpunimit dhe kontratës me djallin nuk ka tjetër përfundim vetëm, zhgënjim, dëshpërim, frikë, ankth, tmerr, dhe në fund vdekje shpirtërore dhe vdekje trupore, sepse Krishti e cilëson djallin:“ njerivrasës që nga fillim”( Joani 8-44).

Sipas Biblës Eisfori ky kryeengjëll rebel është armiku i Zotit, dhe quhet tani Satana, apo djall dhe automatikisht ai është armiku i vetes, sepse kur ai gënjeu veten se mund të bëhesh si Perëndia dhe për këtë mburrje euforike humbi vendin si kryeengjëll në parajsën qiellore ashtu si na i përshkruan Profeti Jezekel: “E thuaji atij: Kështu thotë Zoti Perëndi: T’u rrit mendja për shkak të bukurisë, pasuria të bëri të humbësh urtinë; atëherë vetë të flaka përtokë, të vura para syve të mbretërve që të të shikojnë me përbuzje” (Ezekieli 28:17); “Të gjithë popujt që do të shohin, do të çuditen se çka të gjeti. Ti u bëre shenjë tmerrimi, humbe për jetë të jetës!” (Ezekieli 28:19) dhe per si rjedhim ra si rufe nga qielli( Luka 10-18), duke rrëzuar edhe një të tretën e engjëjve rebelë ( Zbulesa 21-4), nuk pendohet por qëndron në tragjedinë e tij duke mos lënë as demonët të kthehen dhe të dalin nga ferri që ja krijuan vetes.

Kur ai është kaq i lig me veten dhe engjëjt e tij rebelë si do ti vijë keq për njerëzit, që i urren aq shumë sepse tek njerëzit të krijuar sipas Ikonës së Perëndisë (Zanafilla 1-26),shikon Zotin sepse sado njeriu mund të deformohet prapë imazhi i Zotit mbetet, prandaj ai urren të gjithë njerëzit edhe mëkatarët e mëdhenj si, magjistar, gënjeshtar,vrasës, kurvarë, pervers,pedofil, nekrofil,etj që i shërbejnë anxhentës diabolike.

Xhelozinë dhe ligësinë për njeriun djalli e tregoi që në fillim të jetës njerëzore në kopshtin e Edenit, ku ai me mashtrim duke u futur tek gjarpri gënjeu çiftin e parë njerëzor që të rebeloheshin duke ngrënë frutin e dijes të ndaluar nga Zoti( Zbulesa 2-17);(Zanafilla 3 1-7).

Kështu ai solli i pari tundimin dhe vdekjen tek njerëzit dhe bota e krijuar për njeriun( Zanafilla 3 17-19) i cila rënkon nën peshën e vdekjes kozmike.

Që nga ajo kohë deri më sot edhe deri në fund të kohërave ai si “gjarpri i madh, gjarpri i lashtë ”(Zbulesa 12-9) ;” Levathiani, gjarpërinë e shkathët, gjarpërinë dredha, dredha “ ( Isaia 27-1) do vazhdojë të mashtrojë njerëzit në gënjeshtrën e vjetër se njerëzit do bëhen si perëndi duke mësuar dije të fshehta, okulte, formula,mandra, rite magjike, të bëjnë kurbane, apo perversione, krime që kështu të bëhen të gjithëdijshëm, të gjithëpushtetshëm, të pavdekshëm.

Njerëzit naivë, krenarë, egoistë biem në këtë joshje djallëzore ndoshta dikush nga kurioziteti, tjetri nga dëshira për fuqi mbinatyrore, tjetri për hakmarrje edhe adrenalinë futen në hullinë e magjisë, astrologjisë, numerologjisë, ezoterisë, ufologjisë, omeopatisë, hipnozës, etj., si këto mashtrime demoniake, duke i shoqëruar këto dije okulte edhe me praktika dhe degjenerim moral pa limit dhe vetëm kështu këta njerëz pa e kuptuar zhyten në errësirën mëkatare të ferrit dhe bëhen mashtrues të mashtruar, punëtor të paudhësisë. Djalli ky shpikës i gënjeshtrës u jep në fillim shërbëtorëve të tij naiv disa të “mira” madje iu shfaqet në fillim si një “qen i bindur” ndaj “zotërinjve” njerëz, u`a plotëson të gjitha kërkesat, por në të njëjtën kohë i fut ata më shumë në gënjeshtrën dhe rrethin magjik dhe sa më shumë njerëzit e tillë kërkojnë nga ai favore dhe sa më shumë djalli iu përgjigjet atyre aq më shumë ata njerëz skllavërohen, çimentohen në të keqen duke u bërë përfundimisht instrumente të pashpirt të djallit.

Në fillim është djalli që i bindet magjistarit, pastaj është magjistari, apo fallxhori, astrologu që do t’i bindet djallit, dmth djalli, ose demonët gjithnjë e më shumë marrin pushtet mbi psiqikën, fizikun dhe marrdhëniet shoqërore të njeriut deri aty sa njeriu nuk është më vetvetja, por një instrument i komanduar i ligësisë çnjerëzore së djallit.

Kjo vërtetohet me gjendjen e rënduar psiqike të një magjistari i cili nuk qetësohet më, ai nuk fle dot pa bërë keq pa bërë dëshirën e djallit, sepse ata nuk mund të flenë më, po të mos kenë bërë të keqen, sepse ; “gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë” (Fjalët e urta 4:16), pa bërë të keqen si kundra Zotit, me blasfemi dhe sakrilegje, ose kundër njeriut dhe krijesës deri në shkatërrim e tyre dhe për këto veprime kulte ata bëjnë çdo sakrificë si ofertë djallit që ai t’i dëgjojë, duke filluar nga vetja, duke shitur gjithçka, shpirtin e trupin e tyre deri në depersonalizimin e tyre, por edhe më shumë se këto, duke viktimizuar të tjerët, me dhunime, përdhunime deri në kurbane demonësh me kafshë edhe njerëz dhe këtu kemi jo thjesht një okultizim, por posedim, skllavërim, demonizim, ku nuk kemi më dallim të njeriut me djallin, por janë bërë një shpirt i lig.

Kur magjistari nuk ka më fuqi t’i bindet demonëve dhe i kundërshton, apo është i diskredituar si mashtrues në opinionin publik dhe nuk mund të jetë më një instrument i gënjeshtrës djallëzore tek njerëzit dhe nuk vlen më për propagandë dhe karrem i djallit, atëherë fillon hakmarrja e djallit mbi “mikun “ e tij magjistar. Demonët e çmendin, e torturojnë, e mbysin, e vrasin, ose e nxisin të vrasë veten, ashtu si shikojmë edhe dëgjojmë në kronikën e zezë.

Shën Pais Agjioriti tregon këtë ngjarje nga eksperienca e tij ; “Mos mendoni se magjistarët ia kalojnë mirë me demonët dhe iu plotësojnë kërkesat në çdo rast. Demonëve u mjafton fakti që ata kanë mohuar Krishtin një herë.

Në fillim magjistarët bëjnë kontratë me demonët dhe ata u nënshtrohen për disa vite, por pas disa kohësh fillojnë të mos iu binden, sidomos atëherë kur magjistarët nuk ia arrijnë dot të kryejnë gjërat që duan demonët, vuajnë gjëra të tmerrshme.

Më kujtohet njëherë kur po bisedoja me një magjistar nga Tibeti, ai më zuri dorën dhe më tha: "Tani thuaja Haxhiefendiut ( Shën Arsenit) të lirojë; “Shko tutje djall”, i thashë dhe e rrëzova përtokë.

Ai kishte paturpësinë dhe të blasfemonte kundër shenjtorit. Ai u përpoq që të më godiste me këmbë, por nuk arriti sepse këmba iu bllokua pranë gojës time. Më mbrojti Perëndia. Unë e lashë dhe hyra në qeli. Pak më vonë e pashë të vinte përsëri I mbushur me lot e me gjemba: "Më ka ndëshkuar satanai më tha “sepse nuk të munda. Ai më tërhoqi edhe më hodhi në ferra”.

Fuqitë e errësirës janë të pafuqishme. Njerëzit i bëjnë të fuqishme me largimin e tyre nga Perëndia, sepse në këtë mënyrë i japin të drejta djallit” ( Libri: Lufta shpirtërore)

Le të marrim një tjetër rast historik për një person të dëgjuar si Paracelsus, një alkimist dhe mjek i njohur nga Zvicra në shekullin e 16-të. Ai është i njohur për qasjen e tij inovative ndaj mjekësisë dhe alkimisë, duke sfiduar shumë nga doktrinat tradicionale të asaj kohe, ai zhvilloi një reputacion si një mendimtar i avancuar që përfshinte elemente mistike dhe okulte në mjekësinë e tij. Paracelsus vdiq papritur në vitin 1541 në një moshë relativisht të re. Ndonëse ka disa spekulime rreth shkakut të vdekjes së tij, shumë historianë besojnë se shkaqet mund të kenë përfshirë efektet e substancave që ai kishte konsumuar gjatë praktikave të tij, si dhe stresin e përgjithshëm të jetës së tij. Vdekja e tij konsiderohet një rezultat i pasojave të praktikave të tij alkimike dhe eksperimentale, më shumë se sa një vdekje e shkaktuar nga ndonjë individ tjetër. Trashëgimia e tij mbetet e rëndësishme për okultizmin, duke ndikuar në zhvillimin e mjekësisë moderne dhe filozofisë okulte.

Në kronikën e vdekjes së 5 magjistarëve të mëdhenj na tregohet për vdekjen e papritur të tyre duke performuar magjitë e tyre.

"Ëndrra e 32-vjeçarit Joseph Burrus, do të bëhej më e famshme se ajo e heroit të tij, Harr Houdini. Në ditën e Halloween-it të vitit 1992, në përvjetorin e vdekjes së Houdini, ai u mundua të performonte magjinë e famshme Houdini-t – të varrosurit për së gjalli.

Burrus lidhi duart, u mbyll në arkivol, dhe u vendos në një varr mbi dy metra të thellë, më pas u varros për së gjalli me rreth 7 ton inerte dhe çimento solide. Asnjëri nuk u mundua ta bindte atë që kjo gjë është e pamundur, prandaj kishte nevojë për një lloj iluzioni që të dilte i gjallë nga arkivoli. Megjithëse ai nuk u shtyp deri në vdekje për shkak të peshës, i duhej të çante disa metra çimenton që po bëhej gjithnjë e më solide. Gjithsesi, çimento nuk ishte problem për Burrus. Por struktura e inerteve me çimento u shemb, duke bërë që ai të shtypet përpara se të dalë nga arkivoli."

Ligësia e djallit nuk mbaron këtu,por vazhdon edhe mbas vdekjes fizike të magjistarit, sepse djalli si shpirt i ndyrë, nuk i intereson trupi dhe kjo botë e përkohshme, por shpirti dhe përjetësia dhe meqë ai vetë është një i dënuar përjetësisht nga drejtësia hyjnore në Ferr, kërkon që të gjithë këtë zemërim kundra Perëndisë ta nxjerrë tek shpirtrat e njerëzve mëkatar që edhe pse janë të deformuara nga mëkati përsëri mbeten ikona të Perëndisë dhe ashtu si meriton të vuaj ai do që edhe gjithë njerëzit ta vuajnë ferrin që u krijua për djallin dhe demonët.

Dëshmitë e ndryshme nga shenjtorët na tregojnë për vuajtjet e tmerrshme që pësojnë nga demonë magjistarët në botën e vdekjes, ata nuk ka kush t’i shpëtojë nga duart e demonëve, sepse e kanë mohuar ose sfiduar Zotin në jetën e tyre, kështu lutjet e tyre në Had nuk dëgjohen dhe djalli ka të drejta të plota ndaj këtyre shërbëtorëve të tij dhe i torturon tmerrësisht.

Shën Qirili i Aleksandrisë thotë:“ mjerë, mjerë çfarë demonësh të pamëshirshëm janë ata dënojnë mëkatarët në Had, ndërsa mëkatarët thërrasin “këtu nuk na shpëton njeri”.

Shën Andrtea i marrë në Krishtin i shikonte mëkatarët në ferr me pamje të shpërfytyruar si kafshë, zvarranik dhe kjo sipas mëkatit që i sundonte, p.sh:“ magjistarët dhe ata që përgatisin lëngje magjike ishin në pamje si gjarpërinj”.

Kur demonët e vrasin magjistarin kjo mund të jetë edhe një rrethanë lehtësuese për magjistarin sepse në njëfarë mënyre ai si viktimizuar lehtësohet disa nga vuajtjet që meriton, sepse vuajti nga të këqijat e demonëve kur ishte i gjallë, dmth ha disi Ferrin, por kur magjistari, okultisti vret veten ky është mëkat i pafalshëm dhe një shkëputje totale me Zotin si burim i jetës.

Mbi këta viktima që dënojnë veten jo vetëm nga pranimin dhe ushtrimi i okultizmit, por bëjnë edhe vetëvrasje djalli ushtron të gjithë ligësinë e tij dhe askush mund t’i lehtësojë nga ato vuajtje të tmerrshme në Ferr.

Patjetër djalli nuk i thotë magjistarit, apo astrologut e çdokush që merret me këto mashtrime; “vrite veten se unë kështu kam më shumë pushtet tek ty”, por ai duke i pëshpëritur në vesh, apo me literaturë okulte, apo edhe me njerëzit “mjeshtrit” e gënjen se: “vetëvrasja është mjeti më i mirë ti shpëtosh prej mundimeve të jetës dhe do vish në mbretërinë time dhe do bashkëmbretërosh me mua”.

Këta mjeranë e dëgjojnë djallin që i kanë shërbyer dhe hidhen nga lartësitë, vriten me armë, apo varen me litar, apo me mbi doza dhe kështu këta fatkeq shkojnë direkt në humnerat e ferrit si viktima të përjetshme të ligësisë diabolike dhe nuk do dalin përjetësisht.

Djalli vërtetë ka në pushtet akoma Hadin, por aty ai nuk sundon me njerëzit si mendojnë magjistarët, apo satanistët, por i torturon ata deri në ardhjen e dytë të Krishtit, pastaj vetë djalli dhe demonët do shkojnë në mundim të përjetshëm në Ferr ( Zbulesa 20-10) dhe po ashtu vetë njerëzit mëkatar po ashtu do të shkojnë në Ferr me shpirt edhe trup mbas ngjalljes nga gjyqit të përbotshëm ashtu si na thuhet në Bibël: “ Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.” ( Zbulesa 21 -8).

Kështu që magjistarët dhe çdo kush që ushtrohet në okultizëm duhet të dijë se ka hyr në një rrugë pa krye në një labirint që shpejtë a vonë do përfundojë në vdekje të frikshme dhe mbas vdekjes trupore në humnerat e Ferrit që edhe vetë djajtë kanë frikë dhe nuk duan që të shkojnë aty. ( Luka 8-31),

Kështu ata magjistarë, astrolog, fallxhor, alkimist, numerologist, ezotorist etj, apo edhe satanist nuk kanë asnjë shans të bëhen mik me djallin dhe shpejtë a vonë do të vriten shpirtërisht dhe fizikisht nga “miku” i tyre çnjerëzor, prandaj duhet të pendohen për bashkëpunimin me forcat okulte, të ndalojnë të mashtrojnë edhe t’u bëjnë keq njerëzve, të nxitojnë sa më shpejtë që të shkojnë me pendim tek Zoti Jisu Krisht: “ Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:16–17) dhe vetëm: me anën e të gjakut të çmuar Të Krishtit si të Qengjit të patëmetë e të panjollë, mund të t’ju falen mëkatet e tyre, sepse mëkati i njeriut lahet me gjak( Levetiku 17-10).

Vetëm duke u çliruar nëpërmjet Zoti Jisu Krishtit nga mëkati ku ranë në bashkëpunim me djallin, magjistarët, okultistët mund të shpëtojnë nga mashtrimi dhe tirania e djallit, sepse ; “ Prandaj u shfaq Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit” ( 1Joani3-8)

Magjistarët dhe të gjithë okultistët, mos vazhdojnë të qëndrojnë me kënaqësi apo dëshpërim nën kthetrën e të ligut, por të shkojnë tek Perëndia sa nuk është shumë vonë, sepse Perëndia Triadik (Ati, Biri, Shpirti i Shenjtë) i do dhe nuk e do vdekjen e tyre, por ju thotë me dashuri atërore: “Unë, në fakt, nuk ndiej asnjë kënaqësi me vdekjen e atij që vdes. Ndërroni rrugë, pra, dhe do të jetoni (Ezekieli 18:32)l, sepse:“Perëndia nuk e krijoi vdekjen dhe nuk kënaqet në shkatërrimin e të gjallëve; sepse Ai i krijoi të gjitha që të jetojnë (Urtësia e Salomonit 1:13).

 





22:44 Opinione Robert Papa

Trump mund të fitojë

Për mendimin tim, Trump po fiton. Mund të jem gabim, s...

09:28 Opinione Erion Dasho

Pluralizmi i dytë

Java që po mbyllet nisi me protestën më të ashpër të vitev...

13:41 Opinione Ermal Mulosmani

Sokoli ynë

Si sot dy vjet më parë, më doli sot te “memory”, Sokoli yn...

Lajmet e fundit nga