LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nuredin Dumani, “broker"-i i penduar që tregoi shokët/ S’pranon se ka vrarë vetë njerëz

6 Qershor 2022, 08:11, Kronika Elton Qyno

Nuredin Dumani, “broker"-i i penduar që tregoi shokët/

Nga Elton Qyno

Që prej fillimit të ditëve të para të muajit prill 2022, raportova se një ndër personat kryesorë të kërkuar nga drejtësia shqiptare, siç ishte Nuredin Dumani, kishte filluar të flirtonte me prokurorin Dumani, duke i treguar këtij të fundit disa marifete në ngjarje të bujshme kriminale.

Në fakt, Nuredin Dumani ra në grepin e policisë nga rastësia dhe shitja e miqve të tij. Dhe se ditën e ngjarjes, për Dumanin asnjë strukturë e policisë nuk kishte informacion se ku ndodhej, me cilin ishte dhe nga kishte hyrë, çfarë do të bënte, e nga do të flinte.

Për çdo hap të Dumanit kishte informacion vetëm grupi i Talo Çelës, “espinozës” Shqiptare, që jo vetëm që s’është vrarë, por vijon të qëndrojë në arrati duke thurur plane, që të hajë “zogjtë” e fundit të grupit të Nuredin Dumanit.

Këto dy grupe e kthyen aksin rrugor Durrës-Rrogozhinë-Elbasan, në një kasaphanë të vërtetë, ku veç goditjeve që i bënin njëri-tjetrit, filluan të nënshkruanin në seri kontratat e vdekjes, për të gjitha grupet e Elbasanit dhe grupet e tjera të Shqipëri.

Dumani që dikur shiste këpucë të vjetra në tregun e Durrësit dhe Rrogozhinës, u shndërrua në një hajdut serial shtëpish e biznesesh. Duke kaluar më pas te vrasjet në seri.

Dhe nga një pjesëmarrës periferik në vrasje, siç i tregon ai SPAK-ut në dëshminë e tij, se ka qenë krah Talo Çelës ose shofer ose vrojtues, por kurrë vrasës, ai papritur preket nga një metamorfozë e thellë, duke u kthyer në një "broker".

Për të gjithë ata që se dinë çështë "broker"-i, shkurtimisht me dy fjalë po e shpjegoj.

"Broker"'-i është një individ ose firmë, që vepron si ndërmjetës midis një investitori dhe një burse letrash me vlerë.

Për shkak se bursat e letrave me vlerë pranojnë vetëm porosi nga individë ose firma që janë anëtarë të asaj burse, tregtarët dhe investitorët individualë kanë nevojë për shërbimet e anëtarëve të bursës.

"Broker"-ët e ofrojnë atë shërbim dhe kompensohen në mënyra të ndryshme, qoftë përmes komisioneve, tarifave, ose duke u paguar nga vetë bursa.

Bursat mbajnë një listë "broker"-ash, duke listuar ata sipas suksesit të tyre dhe kush është më i miri në ndëmjetësim dhe punë mbaruar ai është në krye të listës, ai është më i kërkuari.

Edhe këtu në bursën kriminale shqiptare, "broker"-i më i kërkuar nga grupet, duket se paska qenë deri në fund të muajit mars 2022, Nuredin Dumani.

E thashë edhe pak më lart, se Dumani vetëm pak ditë pas arrestimit ka filluar të flasë para prokurorit të SPAK-ut, Altin Dumani. Dy Dumanë, dhe dy dibranë, në një dhomë të spitalit të burgut, ku njëri rrëfente dhe tjetri regjistronte me kamera dhe audio.

Në 21 prill 2022, 11 ditë pas lajmit të parë që njoftoja pendesën e Nuredinit, raportoj se ishte penduar dhe kishte folur për ngjarje kriminale, dhe Enrik Hoxhaj.

Por në 27 prill, prokuroria e Posaçme SPAK, doli me një njoftim për shtyp duke deklaruar se media ka gënjyer me raportime, duke treguar se Dumani dhe Enrik Hoxhaj, nuk kanë bashkëpunuar, por janë persona nën hetim për veprat penale që i atribuohen.

Në 19 maj 2022, Arben Kraja, që përgënjeshtroi dy lajmet e para, doli triumfalisht para gjithë kasabasë, duke pohuar se prokuroria e tij kishte vendosur masa sigurimi për 32 persona, ku disa ishin arrestuar në burg, disa në shtëpi dhe asnjë nga personat e tjerë kryesorë nuk ishte kapur.

Baza e gjithë këtij triumfi të SPAK-ut, ka qenë pikërisht bashkëpunimi i dy të ndaluarve, Enrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani, që SPAK-u mashtronte duke thënë se nuk kanë dëshmuar.

Dumani ka nxjerë rreth 100 emra në dëshminë e tij dhe se tashmë SPAK-u është në përgatitje për të kryer një valë të dytë arrestimesh, por ne të medias dhe publikut të interesuar duhet të presim derisa të kolaudojë shenjestrën.

Në 2 qershor 2022, kolegu veteran i kronikës së zezë, Artan Hoxha, deklaroi në emision se Nuredin Dumani, ka shkuar deri aty sa ka thënë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e Aleksandër Ndokës, vëllait të ish-deputetit të PS-së në Lezhë.

Të nesërmen në 3 qershor 2022, SPAK-u reagoi shpejt duke pohuar se emri i Ilir Metës, as që duket fare në dëshminë e Dumanit që është administruar si provë.

Tani në fillim gënjeva unë, pastaj gënjeu SPAK-u, pastaj lojën e gënjeshtrës e vijoi Tan Hoxha, dhe sërisht SPAK-u reagoi dhe gënjeu sërish duke thënë se Dumani na qenkërka penduar, por nuk ka thënë emrin e presidentit Ilir Meta.

Përtej kësaj, se kush ka gënjyer më shumë në këtë histori penditosh, të nisur qysh prej 11 prillit, druaj se edhe ai qerrata Duman, ka gënjyer në ca gjëra dhe SPAK-un. Dhe po ka gënjyer ai aty, na e ka futur të gjithëve ne mediave, publikut, SPAK-ut dhe atyre bomberave që janë në kërkim tashmë.

Them kështu dhe dyzohem që dëshmia e tij në disa episode, pasi kur lexova dhe rilexova dëshminë pjesore të dhënë nga SPAK-u në gjykatë, Nuredin Dumani rezulton se nuk paska kryer asnjë krim me dorën e vetë.

Edhe kur shkonin për të vjedhur me Talo Çelën, ai nuk zinte gjë me dorë, vetëm rrinte bënte sehir ose ngiste makinën ose shkonte sa për numër të formohej grupi.

Por dëm njeriut, nuk i kishte bërë fare.

Edhe kur shkonin për të vrarë, ai rrinte në timon ndiqte objektivin, se vrasjet sipas tij i bënte Talo Çela, Besmir Xhixha, Tasi i Fierit, Enrik Hoxhaj dhe persona të tjerë.

Vetë Dumani nuk pranon të ketë bërë gjë me dorën e vetë. Ai ishte thjesht një "broker" që ndante pazarin, pastaj punëtorët e kompanisë së tij të bursës kriminale, vepronin në terren, përmes urdhërave në aplikacionin “Matrix”.

Dumani i ka treguar Dumanit prokuror se fillimisht ai ka qenë sehirxhi, shofer, e dhënës makinash në përdorim për të kryer krime, por në asnjë moment s’ka pranuar që të ketë vrarë njeri me dorën e vetë dhe t'i ketë bërë kujt keq.

Edhe në një rast të vetëm ku ai është identifikuar me gjurmë gishti te vrasja e Bujar Çelës, vëllait të pafajshëm të Talo Çelës, Dumani thotë se u nisa për ta qëlluar me pistoletë në kokë Bujarin, por për dreq dhe aty ai tregon se nuk i kishte shkrepur arma dhe për pasojë vrasjen e Çelës e kishin bërë dy shokët e tij, Enver Diva dhe Besmir Xhixha.

Edhe këtu ai ka qenë shofer i makinës dhe për dreq edhe një herë që ka dashur të vrasë me dorën e vetë, nuk i kishte qëlluar pistoleta.

Kam ndjekur dëshminë e bashkëpuntorit të prokurorisë Ervis Bardhi, e jep me detaje të gjithë tablonë, dhe sigurisht që pranon se ai ka qenë ekzekutori direkt i Gentian Beqirit.

Kam ndjekur dëshminë e Adriatik Colit, 8 vrasje i kishte kryer me dorën e vetë për llogari të bandës së Durrësit, dhe pa lekë fare.

Për të mos i hyrë më tej, se duket sikur dua të them se Dumani na ka gënjyer të gjithëve, por është një moment në dëshminë e tij, që tregon vrasjen e Ervis Dedajt në Kavajë. Dumani shprehet se kanë qenë një ditë ai Festim Qoli dhe Enrik Hoxhaj, duke pirë kokainë dhe alkool.

E teksa pinin mall dhe dendeshin me alkool, ata kanë filluar t'i tregojnë njëri-tjetrit se çfarë ngjarjesh kishin bërë, si i kanë bërë dhe me kë i kishin bërë.

Mes shumë ngjarjeve të treguara, Nuredin Dumani, edhe pse ka qenë nën efektin e kokainës dhe alkoolit, çuditërisht kujton vetëm bisedën që Festim Qoli i ka pranuar në tavolinë se vrasjen e Dedajt e kishte bërë së bashku me Enrik Hoxhajn.

Asnjë bisedë tjetër se çfarë mburreshin me njëri-tjetrin atë ditë nuk e kujton dot para prokurorit.

Po aq i çuditshëm është fakti se "broker"-i, Nuredin Dumani punonte dhe për Çapajt dhe për Suel Çelën në Elbasan. Pra, dy grupe në mospërputhje të madhe me njëri-tjetrin, por që çuditërisht kishin kontraktuar të njëjtin "broker", për të vrarë njëri-tjetrin.

Kjo është si puna e asaj shprehjes, “…mbaj mend kur isha njëherë në Dardanele…”

Në dëshminë e tij, Nuredin Dumani, fut Florenc Çapjan, Vis Korçarin, Eljo Bitrin dhe Bledar Muçën, me të cilët kishte lidhur një plan-marrëveshje prej 200 mijë eurove, për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, mikun e ngushtë të Suel Çelës.

Dhe nga ana tjetër, Suel Çela, sipas Nuredin Dumanit, kontrakton këtë të fundit që kundrejt 70 mijë eurove, të vriste Elton Kilën ose “Otin e Elbasanit” që është shok i ngushtë i Suel Çelës.

Po ashtu Suel Çelën në dy ngjarjet kriminale që e implikon te rasti i Lulzim Mashës dhe Elton Kilës, e fut në aplikacionin “Matrix” dhe sërish e nxjerr nga situata në aplikacionin “Matrix”.

Nuredin Dumani, në të vërtetë nuk tregon emrin e njeriut që hyri në negociim me të, qoftë ky dhe si miku i Suel Çelës. Këtij njeriu misterioz, që donte të vdekur me çdo kusht Lulzim Mashën, dhe që Nuredin Dumanit i kishte premtuar 150 mijë euro, bashkëpuntori nuk ia kujton dot emrin.

Madje, Dumani dhe Enrik Hoxhaj nuk i dinë as emrin dhe as fizionominë personit që i çoi kaparin te TEG-u, për fillimin e punës së vrasjes ndaj Lulzim Mashës.

E sa ka, e sa ka, por t’ia lëmë procesit hetimor dhe atij gjyqësor që të ndajë shapin nga sheqeri me këtë histori, që sa vjen e do të surprizojë dhe sigurisht nëse do të ketë guxim, do të hajë dhe ndonjë kokë të lartë.

 

Lajmet e fundit nga