web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Takim ndërkombëtar i nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor në kështjellën Hillsborough-ut

8 Gusht 2025, 13:27, Kosova & Bota CNA

Takim ndërkombëtar i nivelit të lartë për Ballkanin

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, do të presë më 8 tetor 15 ministra europianë për të biseduar në lidhje me paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor.

Takimi do të zhvillohet në kështjellën historike të Hillsborough-ut në Belfast.

Lammy deklaroi se shpreson të mbështesë partnerët e Ballkanit Perëndimor për të kapërcyer sfidat e së kaluarës nëpërmjet pajtimit.

Më tej ai tha se qeveria britanike është e angazhuar për forcimin e partneriteteve me Europën.

Vendet që do të marrin pjesë do të jenë Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Polonia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar. Danimarka si Presidencë e BE-së dhe BE-ja.

 

Njoftimi i plotë

Kështjella historike e Hillsborough-ut do të mirëpresë një takim ndërkombëtar të nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy do të presë partnerë evropianë për të promovuar bashkëpunimin në rajon, jetik për sigurinë e MB-së

Takimi do të jetë pjesë e bisedimeve më të gjera të organizuara nga MB për të forcuar qëndrueshmërinë, për t'u përballur me migracionin e paligjshëm dhe për të nxitur rritjen ekonomike

Trashëgimia paqeruajtëse në Irlandën e Veriut do të përdoret për të mbështetur diplomacinë dhe pajtimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor

Kështjella historike e Hillsborough-ut në Irlandën e Veriut do të shërbejë si skenë për një takim të ministrave të jashtëm mbi Ballkanin Perëndimor më vonë këtë vit. Qeveria po vendos pajtimin e qëndrueshëm mes fqinjëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor në qendër të diskutimeve, ndërsa rajoni përballet me kërcënime në rritje nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe bandat kriminale, që vendos në rrezik sigurinë dhe rritjen e MB-së.

Ministri i Jashtëm Britanik, David Lammy do të mirëpresë mbi 15 ministra evropianë në Belfast më 8 tetor, për të udhëhequr bisedimet për të promovuar paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, për të forcuar sigurinë kolektive të Evropës dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe bandat e trafikimit të njerëzve.

Vendndodhja në County Down ka qenë pritëse e momenteve jetike në politikën e MB-së dhe të Irlandës, duke përfshirë negociatat intensive që shpëtuan bisedimet e paqes nga dështimi, duke zgjidhur dekada ndarjeje mes komuniteteve të Irlandës së Veriut dhe duke hapur rrugën për Marrëveshjen e të Premtes së Mirë së Belfastit (Belfast Good Friday Agreement), të nënshkruar në 1998 nën qeverinë e fundit të Partisë së Punës (Labour Party).

Me mosmarrëveshje të pazgjidhura dhe tensione etnike në rritje në Ballkanin Perëndimor që sfidojnë aspiratat evropiane dhe e lënë rajonin të prekshëm nga ndikimet e dëmshme, Ministri i Jashtëm do të mbështetet në përvojat e procesit të paqes dhe shembujt praktikë të kohezionit ndër-komunitarë i pranishëm në Irlandën e Veriut sot.

Ministri i Jashtëm David Lammy tha:

"Kështjella e Hillsborough-ut është një kujtues prekës i fuqisë së diplomacisë për të transformuar konfliktin dhe ndarjen në paqe dhe bashkëpunim afatgjatë. Duke shfrytëzuar përvojën e Irlandës së Veriut, shpresojmë të mbështesim partnerët në Ballkanin Perëndimor për të kapërcyer sfidat e së kaluarës nëpërmjet pajtimit kuptimplotë dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të begatshme. Si pjesë e Planit për Ndryshim, kjo qeveri është e angazhuar për forcimin e partneriteteve me Evropën, duke siguruar baza të forta stabiliteti ekonomik, kufij të sigurt dhe siguri kombëtare”.

Sekretarja e Shtetit për Irlandën e Veriut Hilary Benn u shpreh:

“Përvoja e Irlandës së Veriut për sigurim të paqes nëpërmjet Marrëveshjes të së Premtes së Mirë pas dekadash konflikti ka dhënë një shembull të fuqishëm pajtimi për botën. Kjo ofron një trashëgimi shprese si dhe përvojë praktike që besoj se do të jetë e paçmueshme për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor ndërsa udhëtojnë në një rrugë të ngjashme drejt paqes dhe prosperitetit. Si forum kohëgjatë për ndërtimin e paqes dhe politikës, është e përshtatshme që Kështjella e Hillsborough-ut është zgjedhur për të pritur këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare".

Laura McCorry, Drejtoresha e Kështjellës së Hillsborough-ut tha:

 

"Për shekuj, Kështjella e Hillsborough-ut ka qenë një vend ku njerëzit vijnë së bashku për të formësuar një të ardhme të përbashkët. Kështjella qëndron si një dëshmi e gjallë e fuqisë së dialogut dhe pajtimit në një vend ku paqja është fituar me mundim. Shpresojmë se do të sigurojë një ambient frymëzues për takimin dhe presim me padurim vizitën e ministrave këtë vjeshtë”.

MB ka një rol të gjatë dhe një trashëgimi të rëndësishme në promovimin e sigurisë në rajon, përfshirë në Kosovë, ku ka pasur prezencë të vazhdueshme nëpërmjet misionit KFOR të NATO-s që prej 1999-ës.

Që prej zgjedhjeve vitin e kaluar, MB ka intensifikuar angazhimin me vendet e Ballkanit Perëndimor për të zbatuar Planin për Ndryshim, duke përfshirë shkatërrimin e rrjeteve të kontrabandës së njerëzve që shfrytëzojnë rajonin si një derë hyrjeje drejt Evropës. Vetëm në 2024, mbi 55,000 persona janë trafikuar në vende të tjera përgjatë rrugëve nëpër Ballkanin Perëndimor. Kjo qeveri po ndërmerr hapa praktikë për të bërë ndryshim, duke përfshirë një marrëveshje të përbashkët mbi krimin e organizuar të emigracionit të nënshkruar me Serbinë gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm në rajon në prill, kur ai vizitoi edhe Kosovën. Në maj, ai vizitoi Bosnjë-Hercegovinën mes paqëndrueshmërisë politike në vend, pjesë e aktivitetit dhe angazhimit të shtuar të MB-së në Ballkanin Perëndimor. Këtë vit, Kryeministri ka zgjeruar dhe Grupin e Përbashkët të Punës për Migracion me Shqipërinë dhe Kosovën, për të përfshirë Maqedoninë e Veriut. Grupi i punës bashkon specialistë nga vendet e përfshira për të projektuar dhe zbatuar operacione për të zbuluar, parandaluar dhe menaxhuar migracionin e paligjshëm.

Muajin e kaluar, Qeveria lançoi regjimin e parë në botë të sanksioneve që synon migracionin e parregullt dhe kriminelët trafikues – duke përfshirë ata nga Ballkani Perëndimor – duke goditur drejtpërdrejt rrjetet e neveritshme që përfitojnë nga mjerimi njerëzor.

Takimi i Ministrit të Jashtëm është pjesë e kryesimit të MB-së në Procesin e Berlinit 2025: forumi kryesor ndërkombëtar i nisur nga Gjermania që bashkon të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor bashkë me kombet partnere evropiane, për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu në tetor, Ministri i Brendshëm do të presë Ministrat e Brendshëm në një takim të fokusuar në emigracion, teksa Kryeministri do të presë një Samit Udhëheqësish në Londër./ CNA





Lajmet e fundit nga