LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Tajvani dënon stërvitjet “e paligjshme” ushtarake të Kinës

4 Gusht 2022, 10:04, Kosova & Bota CNA

Tajvani dënon stërvitjet “e paligjshme” ushtarake të

Kina nisi stërvitje të paprecedentë ushtarake me zjarr të vërtetë në gjashtë zona që rrethojnë Tajvanin të enjten, një ditë pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi në Tajvan.

Kina, që e konsideron Tajvanin si një provincë të saj, menjëherë e dënoi vizitën e Pelosit, duke thënë se seriozisht rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit.

Transmetuesi shtetëror i Kinës, "CCTV", tha se stërvitjet kishin filluar dhe do të përfundonin në orën 4 të mëngjesit me kohën lokale të dielën. Ato do të përfshijnë gjuajtje të drejtpërdrejtë në ujëra dhe në hapësirën ajrore përreth Tajvanit, tha ai.

Zyrtarët e Tajvanit kanë thënë se stërvitjet shkelin rregullat e Kombeve të Bashkuara, pushtojnë hapësirën territoriale të Tajvanit dhe janë një sfidë e drejtpërdrejtë për lundrimin e lirë ajror dhe detar.

Kina po kryen stërvitje në rrugët më të ngarkuara ujore ndërkombëtare dhe ato të aviacionit dhe kjo është "sjellje e papërgjegjshme dhe e paligjshme", tha partia në pushtet - Partia Progresive Demokratike në Tajvan.

Autoritetet tajvaneze thanë gjithashtu se faqet e internetit të ministrisë së Mbrojtjes, ministrisë së Jashtme dhe Presidencës u sulmuan nga hakerët.

Anijet e marinës kineze dhe avionët ushtarakë kaluan për pak kohë vijën ndarëse të ngushticës së Tajvanit disa herë të enjten në mëngjes, i tha Reuters një burim

Të mërkurën mbrëma, vetëm disa orë pasi Pelosi u nis për në Korenë e Jugut, aeroplanë të paidentifikuar, ndoshta dronë, fluturuan mbi zonën e ishujve periferikë Kinmen të Tajvanit pranë bregut kontinental, tha ministria e mbrojtjes e Tajvanit.

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, e quajti vizitën e Pelosit në Tajvan një akt “të papërgjegjshëm dhe irracional" nga Shtetet e Bashkuara, njoftoi transmetuesi shtetëror "CCTV".

Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të Azisë Juglindore në Kamboxhia, Wang tha se Kina kishte bërë përpjekjet maksimale diplomatike për të shmangur krizën, por kurrë nuk do të lejonte që interesat e saj thelbësore të cenoheshin.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin më 2 dhe 3 gusht.

Ajo u tha udhëheqësve të Tajvanit se Uashingtoni nuk do të heqë dorë nga angazhimi ndaj ishullit vetëqeverisës, pavarësisht kundërshtimit nga Kina.

Megjithëse Pelosi nuk tha se Uashingtoni do ta mbronte Tajvanin ushtarakisht, ajo theksoi se Kongresi është "i përkushtuar ndaj sigurisë së Tajvanit, në mënyrë që ishulli të jetë në gjendje të vetëmbrohet”.

Kina kishte thënë me 2 gusht se ushtria është vënë në gatishmëri të lartë dhe do të nisë “operacione të shënjestruara ushtarake” në përgjigje të vizitës së Pelosit./REL

Lajmet e fundit nga